Lulzim Basha: “Berisha po ma punon pas shpine”

Intervista - - AKTUALITET -

Zotin Lulzim Basha e takova në breg të liqenit të Farkës. Ja si ndodhi: Ishte mbrëmje. Dikush ishte ulur në breg të liqenit. Kishte ngulur në zallishte një kallam. Një palë dhëmbë shkëlqenin që larg e dalloheshin edhe në errësirë. I njoha. Ishin dhëmbët e zotit Basha. Rrjedhimisht, mendova se ai do ishte vetë Luli dhe iu afrova...

- Përshëndetje zoti Basha!

- Hi Kaso! Si je?

- Unë, mirë. Ç’po bëni këtu në liqen?

- Kam dalë të kap ngjala, Kaso. Më urdhëroi zoti Berisha. Shko kap ca ngjala, më tha, se i duhen partisë.

- E përse ju duhen ngjalat?

- Do ftojmë Ramën ose Metën në një darkë. Do t’u kërkojmë që në zgjedhjet e ardhshme, njëri prej tyre të bëjë koalicion me PD-në, ndryshe do mbetemi gjithë jetën në opozitë, Kaso.

- Mirë me Metën, se e keni bërë njëherë një koalicion, por koalicion me Ramën?

- Ç’të bëjmë, Kaso?

- Po a do të pranojë Rama të bëjë koalicion me ju, o zoti Basha?

- Do pranojë si Çeçua, Kaso! S’ka ku vete. E kemi bërë strategjinë e tillë, që PD-ja të jetë në qeveri…

- Ç’është kjo strategji?

- Dëgjo Kaso! Ne si PD kemi vendosur që në zgjedhjet e ardhshme, PD-ja të jetë, e shumta, partia e tretë me vota. S’jemi kundra që të jemi edhe e katërta.

- Strategji interesante...

- Mos më ndërprit, Kaso! Ndërkohë, Rama dhe Meta do zihen me njëri-tjetrin se kush të dalë parti e parë. Njëri prej tyre do dalë i pari dhe do të bëjë koalicion me ne të tretët, siç bëri PS- ja me LSI- në. Më kupton, Kaso? Eeeeuuuu, e ka menduar mirë këtë punë zoti Berisha, o Kaso. E kam menduar edhe unë. S’ma ha qeni shkopin… Pas dy vjetësh, ne do të jemi në pushtet. Kjo është e sigurtë...

- Jo vetëm që qeni s’jua ha shkopin, por me ç’shoh, as peshqit s’jua hanë karremin. S’paskeni kapur asnjë ngjalë!

- S’ka gjë, Kaso. Ka kohë. Se mos kam punë tjetër unë. Këtu do rri, derisa të kap. Kështu e kam urdhërin nga zoti Berisha.

- Si i keni marrëdhëniet me të?

- Po ta them vetëm ty, Kaso. Keq fare. Nuk ka më keq. Zoti Berisha ma ka punuar përherë pas shpine. Më vendosi në krye të partisë dhe, kur isha kryetar bashkie dhe ai kryeministër, s’më dha asnjë lek të investoja për qytetin... E

kapa…

- Ç’kapët? Ngjalën? Epo shyqyr, zoti Basha!

- Jo, jo! E kapa njëherë zotin Berisha dhe e bëra për një lek e bëra. “Po ti, mor komunist i poshtër, i thashë. Ti të ishe burrë, më jepje fonde kur isha kryetar bashkie, të bëja investime”…

- Po zoti Berisha, ç’ju tha?

- Donte të më qëllonte, Kaso.

- Mos! Ju qëlloi?

- Jo, ia futa unë. Iu shmanga grushtit të parë dhe, sa lëshoi grushtin e dytë ai, më doli gjumi mua.

- Këtë radhë paskeni shpëtuar... Po ju, zoti Basha keni thënë që projektet tuaja jua bllokoi zoti Rama. Bulevardin e Ri të Tiranës, për shembull.

- Ore Kaso! Dy vjet që Berisha ishte kryeministër, po të donte e ndërtonte atë bulevard, po nuk donte, se ka synime të tjera. Do që unë të dështoj dhe në krye të partisë, të vijë dhëndrri i tij. Eeeuuu Kaso! Janë bo planet. Nuk ka më delenxhi se Doktori, o Kaso. Tani të puth, tani të shan. Nuk e njeh mirë ti, po hë.

- Ç’do të bëni nëse ikni nga vendi i kryetarit të partisë, zoti Basha?

- Ç’do bëj the?! Do fryj sytë, ç’të bëj tjetër? Se mos bëj ndonjë punë unë. Unë edhe me parrullën e PD-së në zgjedhjet vendore “Punë dhe dinjitet” isha kundër. Të ishte puna e mirë, punoja unë, bëja ndonjë gjë për qytetin. Unë vetëm një punë di të bëj Kaso, të qesh. Atë e bëj mirë. Edhe kur përktheja, më shumë qeshja, sesa flisja.

- Nuk do merreni më me politikë, nëse largoheni si kryetar?

- Ku marr vesh unë nga politika, o Kaso. Ne humbën edhe te zona ku është grupimi i “Tirona fanatics” e jo më në zonat e tjera. Edhe ata ma futën...

- Juve ju iku edhe Çiljeta…

- Se mos vetëm Çiljeta... Po na ikin të gjithë, Kaso. PD-ja është katandisur si një instrument mekanik, në kohën elektronike.

- Çohemi zoti Basha? Kthehemi në Tiranë, se u bë natë.

- Kaso, edhe tani në Tiranë jemi. Farka tashmë është Tiranë. Shiko kur të bëjnë edhe Tepelenën, pjesë të Tiranës. Po ik ti, Kaso, ik! Nuk iki unë. Kam marrë urdhër nga Berisha që të mos i shkoj pa ngjala, ndryshe më zë belaja. Më skuq mua në vend të ngjalave!

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.