Anxhela Peristeri: Pres të mos jem beqare...

Intervista - - MUZIKE -

Është nga ato këngëtare që kur vjen me një këngë apo klip të ri, di ta surprizojë publikun. Është e gjatë, e bukur, nuk ka asnjë ndërhyrje në fizik, ka një zë të veçantë dhe kush e ka dëgjuar live, ka pasur dëshirë për ta dëgjuar përsëri. Korçarka bukuroshe Anxhela Peristeri, pas klipit me tre miqtë e saj, kolegë njëkohësisht, Aurel Thëllimi, Blerina Braka dhe Erik Lloshi “S’ka si ne”, sapo ka mbaruar edhe xhirimet e klipit të saj veror “Ta kam dhon”, një klip që nuk ka si të jetë ndryshe, përveçse i nxehtë dhe ritmik... Këtë herë Anxhelën e kemi pyetur jo vetëm për këngët. I kemi bërë edhe disa pyetje me “spec”, të cilave ajo iu përgjigj me sportivitet dhe çiltërsi. Kush tjetër si ajo?!

Fabjola Kuburi: - Anxhela, se s’të kam pyetur, si të thërrasin shkurt miqtë, shoqëria?

Anxhela Peristeri: - Zakonisht, nuk para më thërrasin shkurt, por disa mikesha të miat më quajnë Anxhi.

- Çfarë të mirash i sjell botës një vajzë e bukur si Anxhela?

- Uroj t’i sjellë shumë, por i pari që më vjen ndërmend është kontributi im në muzikë. Shpresoj që njerëzit vërtet të kënaqen me këngët e mia.

- A është Anxhela altruiste po aq sa emri i saj?

- Po, jam shumë altruiste, por jo aq sa emri im. Jam vetëm me njerëzit që e meritojnë.

- “S’ka si ne” , vërtet apo vetëm për efek t kënge?

- Sigurisht që s’ka si ne. Ne jemi më të mirët.

- Ti vishesh gjithmonë me ngjyra të forta, fustane mbushur me lule... Pse je kaq e lidhur me to?

- Ngjyrat më pëlqejnë shumë dhe gjithashtu është e vërtetë që i adhuroj njerëzit që kanë ngjyra edhe në shpirt, jo vetëm në veshje. Ngjyrat e lulet më sjellin energji pozitive.

- Mos më thuaj që je supersticioze...

- Po, shumë madje! (Buzëqesh)

- Në takimin e parë me një mashkull, e pyet çfarë shenje zodiakale është?

- Faktikisht, është e para gjë që bëj, duke qenë se kam lexuar shumë astrologji. Ndoshta ngaqë kam jetuar shumë në Greqi dhe atje e kanë shumë të theksuar këtë gjë.

- Të pëlqejnë meshkujt e sjellshëm e të kuruar apo maçot, që nuk i kanë shumë problem këto gjëra?

- Sigurisht që ata me edukatë. Edukata e zbukuron njeriun, është virtyt i pazëvendësueshëm.

- Nëse je duke pirë kafe me një djalë dhe kur duhet të paguani faturën, ai nxjerr një shuk lekësh nga xhepi, shenjë pozitive apo negative?

- Absolutisht negative! Nuk është nevoja të tregojë mirëqenien e tij që të më bëjë për vete. Fundja, mund të përdorë edhe portofol, për estetikë mendoj.

- Ti buzëqesh shumë bukur! Kur ta kanë thënë për herë të fundit, përveç meje?

- Nuk e mbaj mend fare. Gjithsesi, sigurisht që do ta mbaj mend që po ma thua ti. Faleminderit shumë. (Qesh)

- Tani, do më thuash me pak fjalë, ky klipi yt i ri, i verës, si është dhe çfarë ka të veçantë?

- Përveç veshjeve të mrekullueshme të Joni Peçit, është një këngë shumë verore që flet për flirtet që lindin gjatë verës dhe me pak fjalë, tregon dëshirën e pasionin e një femre ndaj një mashkulli. Titullohet “Ta kam dhon”, një titull i gjetur për verën dhe kuptimin e vërtetë të të cilit do ta gjeni kur të dëgjoni këngën dhe shikoni klipin.

- Do ta quash edhe ti si disa këngëtarë që i quajnë këngët e tyre “hit” pa u pjekur akoma apo do presësh edhe mendimin e publikut?

- Sigurisht që vlerësimi i publikut është i rëndësishëm, është ai që thotë fjalën e fundit, por unë shpresoj shumë t’i pëlqejë.

- Ti këndon në një nga lokalet më në zë në Tiranë, me tre zëra të veçantë të muzikës shqiptare, Blerina Braka, Aurel Thellimi dhe Erik Lloshi. Ke ndonjë fjalë për ta, të mirë... se të keqe nuk besoj të kesh!

- Kam thjesht një fjali të vetme: Jam shumë e lumtur që bashkëpunoj me artistë të tillë dhe persona kaq të veçantë.

- A ka ndonjë peng në muzikë Anxhela?

- Jo, asgjë, nuk më pëlqen të mbetem me gjëra peng. Më mirë të rrezikoj sesa të pendohem që nuk kam rrezikuar. - Po në jetë? - As në jetë. Është njësoj si në profesion.

- Meqë jemi këtu dhe të kam përballë. Ti nuk ke kryer asnjë ndërhyrje estetike në trup? - Jo, asnjë fare! - Çfarë u thua atyre që mund të kenë menduar të kundërtën?

- Le të mendojnë si të duan, unë nuk kam asnjë kundërshtim me ato që ndërhyjnë te vetja për të zbukuruar paksa tiparet, por jam kundër ekzagjerimit. Nuk më duket me vend.

- Çfarë ka Anxhela më shumë se vajzat e tjera, që këndojnë ose jo?

- Nuk e krahasoj veten me vajzat e tjera. Unë jam kjo që jam.

- Kush mërzitet që Anxhela është akoma beqare?

- Mami, e para. Për të tjerë, nuk e kam idenë. (Qesh)

- Je beqare ligjërisht. Po shpirtërisht, si je?

- Ligjërisht jam beqare, shpirtërisht po pres të mos jem. (Buzëqesh)

- Ku do të shkosh për pushime?

- Akoma nuk e kam vendosur, po sa të kemi rrjetet sociale, nuk ngelet gjë pa marrë vesh. (Qesh) - Me kë? - Me shoqërinë, normalisht.

- Cila është pjesa më e bukur që ke ti në trup e për të cilën vdesin meshkujt?

- Nuk besoj të kem ndonjë gjë të veçantë, por gjithmonë kam aspiruar të më shohin për virtyte të tjera, jo sipërfaqësore.

- Kur je bërë tapë për herë të parë?

- Për herë të parë nuk e mbaj mend... - Po për herë të fundit? - Për herë të fundit do të bëhem sonte. (Qesh)

- Ndonjë merak, ndonjë lutje, urim a përqafim për dikë në fund...

- Përqafoj pa fund familjen dhe i lutem Zotit çdo ditë që t’u falë shëndet. Gjithashtu, u uroj fat dhe mbarësi të gjithë njerëzve të mirë. Me dashuri, Anxhela!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.