Modern Talking: Para viteve ’90, nuk e njihnim fare Shqipërinë

Intervista - - MUZIKE -

Ditën e mbylljes së fushatës elektorale të kandidatës demokrate Voltana Ademi, tashmë kryetare e Bashkisë së Shkodrës, me iniciativën e Armando Lohjes, inspektorit të kulturës dhe sporteve pranë Bashkisë, i njohur si organizator i shumë eventeve rinore dhe artistike në kryeqendrën e veriut, grupi “Modern Talking” dha një koncert të hapur në qendër të qytetit. Koncerti u ndoq nga mijëra shikues e fansa të këtij grupi aq të njohur të viteve ’80-‘90. Të nesërmen pas koncertit, pata fatin të bisedoja për rreth 30 minuta me të famshmit “Modern Talking” në barin e Hotel “Colosseo”. Këngë- tari lider, kompozitori, si dhe njëri prej themeluesve të këtij grupi-simbol, Thomas Anders, i njohur për zërin e tij brilant, iu përgjigj në pjesën më të madhe pyetjeve të kësaj interviste, natyrisht, duke ua lënë radhën me xhentilesë edhe ndërhyrjeve të kitaristit Mikael Beurich...

Arben Lagreta: - “Modern Talking” u bë i njohur në vitet ’80, në fillimet e adoleshencës së brezit tim. Kur dëgjonim në radio “You’re my heart, you’re my soul” dhe ju shikonim fshehurazi në televizionin italian, apo atë jugosllav, ëndërronim t’ju ndiqnim në skenë një ditë. Po ju, e dinit në ato vite që ju dëgjonin edhe në Shqipëri?

Thomas Anders:

- Në ato vite, t’ju them të drejtën, Shqipëria nuk ekzistonte për ne. Edhe pse “Modern Talking” patën dhënë koncerte në atë kohë në disa vende të ishkampit socialist, si në Hungari, Bullgari dhe në Jugosllavi, në Shqipëri, as mund ta mendonim…

- Po pas rënies së komunizmit?

- Kemi dhënë shfaqje në gjithë shtetet ish-komuniste dhe jemi takuar me shumë nga fansat tanë që na kanë ndjekur, vetëm me anën e radios e televizionit. Ishin takime shumë emocionuese… E tillë ishte edhe kjo vizitë në Sh- qipëri ku takuam qindra fansa që na kanë ndjekur vite më përpara.

- Cili është mendimi juaj për muzikën që bëhet sot, krahasuar me atë që bëhej në vitet ‘80?

- Unë mendoj se muzika e sotme është shumë e komplikuar. Më përpara muzika ishte më e thjeshtë. Ne kompozonim këngën, e këndonim, kënga mësohej menjëherë prej njerëzve dhe nuk harrohej lehtë, kurse sot bëhet kënga dhe pas një jave harrohet nga fansat.

- Keni të drejtë. “You’re my heart, you’re my soul”, këndohet ende…

- Eh, ajo këngë arriti numrin 1 në renditje në 81 vende të botës. U bë, si të thuash, emblema e grupit tonë…

- Tani është në krizë edhe shitja e CD-ve...

- Po, tani është lehtësuar puna shumë, nuk ke nevojë të inçizosh këngët në CD. I shet direkt nga interneti, me një klikim.

- Mendoni se muzika ka ndryshuar për keq sepse është bërë shumë moderne, elektronike?

- Ndofta edhe kjo ndikon. Artistët rendin pas fitimeve të çastit, bëjnë këngë me efekte të shpejta, sipërfaqësore. Ka shumë vite që nuk ka superstarë të vërtetë, sepse dalin shumë këngëtarë të momentit, bëjnë disa këngë, mbushin xhepat me para dhe zhduken. Kështu, për shembull, jemi të sigurtë që Xhastin Biberin askush nuk do ta njohë pas 30 vjetëve. (Qeshin fort të dy)

- Muzika që luanit ju në atë kohë u bë mjaft e dashur edhe sepse kërcehej këndshëm... Në atë kohë nuk kishte shumë klasifikime si sot: muzikë dance, R&B, house, etj. Si do ta karakterizonit ju tani muzikën tuaj të viteve ‘80?

- Në fakt, muzika që luan “Modern Talking” është dance dhe për kuriozitet mund t’ju them se në vitet ’80-‘90 vetëm në Gjermani dominonte danci dhe vetëm rreth 20 për qind e të rinjve preferonin rok nëpër diskoteka. Natyrisht që edhe grupe të tjera si Dr. Alban e luanin këtë rrymë, siç kishte edhe grupe të tjera që preferonin rryma të tjera të preferuara për të rinjtë... Por, dansi dominonte.

- Po tani, vazhdoni të jepni koncerte?

- Vazhdoj të jap koncerte solo anembanë botës, ku këndoj këngë të “Modern Talking”, por edhe të të tjerëve. Vazhdoj të prodhoj albume si në Gjermani, ashtu edhe jashtë saj, albume që nuk po ecin keq... Albumi im i fundit “Strong” është shitur në më shumë se 1 milion kopje vetëm në Rusi...

- Ç’lloj muzike bëni tani?

- Vazhdoj të ndjek traditën, se kam vënë re se njerëzit ende pëlqe- jnë atë lloj kënge si të “Modern Talking”. Edhe gjatë koncerteve, këngët e vjetra kanë më shumë sukses se të rejat...

- Fansat janë kuriozë edhe për jetën tuaj private...

- Udhëtoj shumë dhe jetën time e kaloj sa në Amerikë, sa në Gjermani. Natyrisht, më shumë kohë jetoj në Gjermani, në Koblenz, ku jeton gruaja ime Klaudia dhe djali Aleksandër, të cilët mbeten epiqendra e jetës sime. Ata më shtyjnë vazhdimisht drejt sukseseve në karrierë.

- I keni kaluar të 50at, por dukeni ende shumë i ri…

- Ndofta sepse gjatë gjithë jetës kam bërë diçka që më ka pëlqyer. Më shumë se 40 vjet të jetës sime i kam kaluar nëpër skena… sivjet madje mbusha edhe 30 vjetorin e daljes sime të parë në televizion…

- Le të pyesim tani kitaristin e grupit tuaj, Mikaelin. Edhe për ju, kjo është hera e parë që vizitoni Shqipërinë, apo jo?

Mikael Beurich:

- Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Do të kisha dëshirë ta vizitoja atë, por kam parë vetëm Shkodrën që të them të drejtën, më ka pëlqyer shumë. Kemi mbresa shumë të mira nga Shkodra.

- Çfarë ju pëlqeu më shumë?

- Së pari, na pëlqeu klima, koha me diell dhe shumë e bukur. Në Gjermani sot është 12 gradë temperatura, pra, shumë ftohtë, ndërsa këtu qe mbi 28, besoj. Po kështu, në krahasim me Gjermaninë, ku të gjithë nguten për të shkuar aty-këtu, apo për të bërë diçka, vumë re se këtu në Shkodër njerëzit janë shumë të qetë dhe të relaksuar.

- E dini se Shkodra konsiderohet edhe si djepi i kulturës dhe i civilizimit shqiptar? Qyteti është themeluar para afro 2500 vjetësh, kurse kalaja “Rozafa” që ju vizituat dje pasdite daton para Perandorisë Romake.

- Para 2500 vjetësh? (Qesh) Në atë kohë, në Gjermaninë e sotme njerëzit jetonin nëpër shpella. Kështu është historia... Ajo që na impresionoi shumë në këto dy ditë që ndenjëm është edhe bashkëjetesa e feve në qytetin tuaj. Mësuam se këtu ka edhe katolikë, edhe myslimanë e ortodoksë. Shumë interesante kjo... - Po koncerti si ju shkoi?

- Çdo gjë shkoi shumë mirë. Ishte diçka fantastike të këndoje dhe të shikojë se publiku i dinte të gjitha këngët tona, madje jo vetëm ritmin, por edhe fjalët... Ata kënduan me ne gjatë gjithë koncertit.

- Na bëri përshtypje se ju ishit shumë të komunikueshëm më publikun...

- Ne në skenë jemi shumë spontanë. E mendojmë koncertin jo thjesht si një performancë me këngë, por si një spektakël, flasim gjatë koncertit, komunikojmë me shikuesit. Edhe dje folëm me shikuesit për shumë gjëra, edhe për futbollin gjerman dhe Kupën e Botës të fituar para një viti nga Gjermania. Për më tepër që në Shkodër gjetëm shumë tifozë të zjarrtë të kombëtares gjermane të futbollit.

Tomas:

Mikael:

Tomas:

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.