E tradhtova burrin tim të sëmurë me kancer

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

E nderuar redaksi dhe të nderuar lexues të gazetës! Dua t’ju them që në fillim që të mos më paragjykoni për historinë që po më torturon prej tre vitesh e gjysmë. Njeriu ndonjëherë ndodhet në situata ku nuk gjen mundësi zgjedhjeje, por vetëm zgjidhje, pra, zgjedh të keqen më të vogël.

Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Në familjen time ishim shumë fëmijë, katër djem dhe pesë vajza, por kemi qenë fëmijë të lumtur. Nuk jemi rritur me gjithë të mirat, por jemi rritur mes një dashurie e hareje pa fund. Kur isha adoleshente dhe doja të blija ndonjë gjë, mendoja në nerva e sipër se prindërit e mi kanë ditur vetëm të bëjnë fëmijë dhe jo të plotësojnë ndonjë kërkesë apo kusht për mirërritjen e këtyre engjëjve që sillnin në jetë. Ne, mes njëritjetrit, kishim nga një vit e gjysëm diferencë dhe dukeshim pothuajse njësoj. Jemi rritur me rrobat e njëri-tjetrit, pa i parë fare a ishin rroba djemsh apo vajzash. Kemi patur fat që shkollën jo vetëm e kishim afër, por edhe e kishim qejf. Gjashtë nga ne mbaruam universitet e tre të tjerët morën zanate. Ne u rritëm shpejt dhe filluam të martoheshim një e nga një. Prindërit e mi shumë shpejt u bënë gjyshër dhe mendoj se janë prindërit më të lumtur.

Unë vazhdova shkollën për mësuese e ciklit të ulët dhe sapo e mbarova, fillova punë në shkollën pranë shtëpisë sime. Në universitet kam qenë e etur për dije, kisha pasion të veçantë letërsinë dhe mendoj se kam qenë studentja e vetme që i mbaroja romanet sado voluminozë të ishin, brenda dy apo tre ditësh. Duke qenë se pasioni im ishin librat, në shkollë nuk arrita të dashurohesha me asnjë djalë përveçse me personazhet e librave. Motrat dhe vëllezërit më ngacmonin gjithmonë kur kthehesha nga shkolla, por unë vazhdoja në terezinë time.

Mbarova shkollën dhe falë miqësive që kishte vëllai im i madh, edhe emërimin e mora në shkollën ku isha ulur për herë të parë në bangat e shkollës. Kolegët më mirëpritën dhe më ndihmuan shumë sepse nuk kisha përvojë. E mora me qejf punën me fëmijët dhe me të vërtetë që edhe ata ma shpërblyen. Hargalisjet e tyre më kujtonin harenë në shtëpinë time kur kam qenë fëmijë. Shkolla ku punoja, duke qenë se ishte shkollë e madhe, kishte edhe staf të shumtë. Kishte mësues gra e burra dhe ishin edhe tre djem beqarë, të tre shumë simpatikë. Ata ishin profesori i fizkulturës, profesori i matematikës dhe nëndrejtori. Duke qenë e re dhe natyrë që vetëm kisha lexuar e jo shijuar jetën si moshataret e mia, isha shumë e ndrojtur.

Koleget e mia që kishin klasa të fillores filluan avashavash të më ngacmonin.

- Zgjidhe njërin, - më thoshin e megjithëse e dija që ishte e gjitha në kuadër të shakasë, skuqesha e tëra.

Pas dy vitesh punë, ishte profesori i matematikës që më zgjodhi mua. Në festën që u organizua nga shkolla në fund të vitit kërceva me pothuajse të gjithë, por i vetmi që ma shtrëngoi dorën e më buzëqeshi më shumë ishte R. Kur vallëzuam bashkë, ai më pëshpëriti në vesh:

- E kam ëndërruar prej dy vitesh të të kem në krahët e mi e të të rrotulloj sipas dëshirës sime, yll i vogël, - e ndërkohë më rrotulloi. Më shtrëngoi aq fort gjatë kohës që më rrotullonte, sa i ndjeja rrahjet e zemrës së tij. Sigurisht që më rrën- qethi ajo që më tha e shtrëngimi i duarve të tij.

Pas festës ai filloi të më fliste më shumë e të më rrinte më afër. Filluam të pinim kafet bashkë dhe pas dy muajsh “pranova” të bëhesha e dashura e tij. Ishim çift i bukur, gazmor dhe e kam shijuar atë kohë maksimalisht. Pas gjashtë muajsh me R. vendosëm të fejoheshim dhe prindërit e mi e miratuan menjëherë.

Verën e parë që u fejuam shkuam me pushime bashkë dhe ma merr mendja që do më kishte zili çdo grua nëse do të gjeja fjalët që t’i përshkruaja ato ditë të arta. R. ishte burri ideal, “princi i kaltër” që mund të ëndërrojë çdo grua.

- Mirëmëngjes pulëbardha ime, - më thoshte ndërkohë që më guduliste e puthte mëngjeseve. – Do dalim në plazh? Megjithëse bëhem xheloz që edhe dielli të përkëdhël e ngroh si unë, - thoshte e qeshte. Ata dhëmbët e tij të bardhë dilnin nga goja e tij e bukur dhe kur mendoja që më puthnin dhe i puthja, rrënqethesha e tëra.

Pas një viti fejese, ne u martuam. Morëm me qira një shtëpi pranë shkollës dhe jeta jonë si çift filloi. E doja jashtë mase R. jo vetëm sepse sillej shumë mirë për mua, por me të vërtetë ishte djalë i bukur.

- Po unë tani dua të kem edhe një beb të vockël që herë të qajë e herë të qeshë në krahët tanë shpirt, - më tha burri. - Me të vërtetë mendoj se ne duhet të kemi fëmijë. Jo se ne jemi keq me njëri–tjetrin, por shtëpia ka nevojë për pak zhurmë.

Dëshirën tonë Zoti e realizoi menjëherë. Pas tetë muajsh martese unë mbeta shtatzënë. R. më përkëdhelte barkun e më puthte si në mëngjes, edhe në darkë. Nuk harroi asnjë ditë të vetme gjatë gjithë shtatzanisë. Linda një vajzë katër kile, bardhoshe dhe sytë ngjyrë gri.

- Ngjyrën e syve e ka marrë nga komshiu, - thoshte e qeshte R. kur vinin të afërmit tanë për urim. Vajza u rrit dhe u bë si i ati në miniaturë. Kur vajza u bë pesë vjeçe, ne vendosëm të bënim një festë për ditëlindjen e vajzës. Diku në mes të festës i thashë në vesh:

- Kam një surprizë për ty, i dashuri im. - Më pa gjithë ankth duke menduar se çfarë mund të kisha planifikuar për festën. - Jo, jo surprizë për ty, - i thashë.

– Çfarë? - më tha ndërkohë që më shtrëngoi krahun që t’ia thosha në moment.

- Do të bëhesh baba prapë, uroj të jetë djalë këtë herë, - i thashë dhe e putha në faqe.

Ai menjëherë mori një pirun dhe u ra dy gotave që kishte aty afër duke kërkuar pak qetësi. U tremba sepse nuk desha ta bëj akaq të madhe, por tashmë ishte shumë vonë.

- Prindër, motra e vëllezër të mitë dhe të A., dua t’ju jap një lajm shumë të bukur për familjen time që së pari dua ta ndaj me ju. Me shpresën te Zoti që çdo gjë do të ecë mirë, ne do gëzohemi me fëmijën e dytë dhe që ishalla do t’i ngjajë mamit, se kjo e para mori nga unë... - tha.

Ndërkohë që më puthi e përqafi fort dhe të gjithë qeshën, ai mori vajzën në krahë e kërcente me ne të dyja.

Shtatzania e dytë shkoi mirë dhe linda djalë që fatmirësisht i ngjau të atit. Kur bëmë drekën e djalit të gjithë po i thonin se “kërkesa” e tij e dytë që fëmija t’i ngjante mamasë nuk i qe plotësuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.