NJËRI- TJETRIN

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

PYETJE QË ENDE PRESIN PËRGJIGJE...

- Si e komentoni gjendjen në Greqi? Duhet të hidhërohemi për komshinjtë tanë apo të gëzohemi për gjendjen e tyre? Bashkimi.

- Patjetër që duhet të mërzitemi, sepse kur digjet rrushi i komshiut, duhet të presësh se do vijë dhe te ti. Pra, situata si kjo që ndodh në Greqi besoj se të gjithëve na mërzit, mendoni se sa shqiptarë jetojnë andej, punojnë dhe nuk do paguhen, njerëzit tanë janë. Bella.

- Do ta toleronit një tradhti fizike nga i dashuri, kur jua ka treguar vetë? Klara.

- Fatkeqësisht, mua më ka ndodhur që e mora vesh pa më treguar i dashuri dhe sigurisht që u ndava, edhe pse nuk donte ta pranonte dhe më kërkonte falje. Për mua, ai njeri, në momentin që tradhtoi besimin tim, nuk ekziston më. Nuk mund të them mendimin tim kur tjetri të tregon, pas kësaj që më ndodhi. Elle.

- Si ju duket shërbimi nëpër zonat turistike në Shqipëri? Kam nevojë për një opinion tuajin, sepse akoma s’kam vendosur ku do të shkoj. Armandi.

- Edhe pse jetoj jashtë Shqipërie çdo verë kthehem në vendin tim për pushime, sepse u rrita jashtë dhe dua të mësoj vendin tim si është. Kemi vend shumë të bukur, por me atë që ndodhi kohët e fundit, më vjen turp të them që jam shqiptar. Kemi shërbim shumë të mirë kudo që të vesh, kemi qenë popull i mikpritjes, edhe pse kanë ndryshuar kohët. Leta.

- Nuk ju duket se është degjeneruar shumë vendi ynë në të gjitha fushat? Hap televizorin dhe vetëm femra lakuriq shikon. Del në rrugë, po ashtu. Pse ndodh kjo gjë? S’po e kuptoj... Klodi.

- More djalë, çdo ditë dhe më nxehtë është, ç’të bëjnë femrat e shkreta, pa më thuaj ti? Nuk është degjenerim kjo gjë, mos shiko veshjen, por karakterin e njeriut, aty qëndron degjenerimi. Besoj edhe djemtë të njëjtën veshje kanë, por për meshkujt nuk diskutoni fare. Lozonjarja.

- Tregohuni të sinqertë, a e ka shitur ndonjë prej jush votën dhe pse e keni bërë? Garipi.

- Si je ti Garip? E kam shitur në 2013, 100 mijë lekë. Unë kam votuar PD (2 herë për pushtetin lokal, 1 presorin tim). PD (dy herë për deputet). Unë s’kam lidhur kontratë. Nuk mundem pa pare. Arturi i Kafazit.

- Jam pothuajse 3 vjet me radhë pa punë, mund të shes votën vetëm për të më ndihmuar, aty ka vajtur tashmë puna. S’ka më politikanë të pastër që të shikojnë të drejtat njerëzore, por vetëm interesin e tyre shikojnë. Pra, edhe unë shes votën time për interesin tim. Besi.

- I dashuri më la sepse jam racë e përzier, pra, me ngjyrë, ama jetoj normalisht si ju, me shkollë e të gjitha. Si e

komentoni sjelljen e tij? Laura.

- Është racist, ndaj të ka braktisur. Arturi i Kafazit.

- Njeriu që është njeri, nuk shikon racën apo ngjyrën, e dashur Laura, ai nuk ia vlen për dashurinë tënde dhe më mirë të mos e kishe njohur kurrë. Me një person që nuk të dashuron për atë që je dhe kërkon të ndryshosh apo të bësh siç dëshiron ai, më mirë ndahu në momentin që e kupton, sepse do vuash një jetë të tërë pastaj. Flora.

- Pse gjithmonë në prag zgjedhjesh e kandidaturash bëhen krime? A hyn politika në këtë mes? Flas për vrasjet në Lazarat... Bashkimi.

- Patjetër që politika ka dorë në krimet në prag fushate dhe në Lazarat. Arturi i Kafazit.

- Besoj se politikanët janë shumë të zgjuar dhe mundohen të dërgojnë vëmendjen tonë në anë të ndryshme, prandaj dhe ndodhi ajo që ndodhi në Lazarat. Edhe emisionet televizive hyjnë këtu dhe janë bërë dora e djathtë e politikanëve, si dhe shumë gazetarë që fshehin të vërtetën dhe nuk e nxjerrin në shesh. Besi.

- Si e komentoni faktin që kanë ngelur në provimin kualifikues 299 mësues? Eltoni.

- Si mund të komentosh një gjë të tillë, këtu para disa ditësh një emigrant i dha përgjigjen më të mirë presidentit, “flasim kur të bëhemi shtet” i tha?! Po të ishim shtet, sigurisht që do kishim punë dhe diplomat që kemi do ishim krenarë t’i tregonim. Prandaj edhe ngelën në provimin kualifikues, sepse s’kanë ku t’i fusin në punë, kështu që i ngelin dhe shohim vitin tjetër a do t’i kalojnë apo jo. Studentja.

- A keni përdorur rrugë të pista për të arritur qëllimet tuaja në jetë? Për çfarë? Mund të na i thoni edhe anonim, nëse dëshironi. Ledina.

- Për mendimin tim, besoj se nuk ka njeri në këtë botë që të mos ketë përdor sadopak rrugë të pistë për t’ia arritur qëllimit të tij. Unë kam shitur vendin tim të punës, sepse shikoja të ngrihesha në detyrë dhe ia arrita qëllimit. S’do t’ju them se ç‘lloj mënyre përdora, por rëndësi për mua ka ajo që kisha vënë në shënjestër dhe të arrija qëllimin. Lola.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.