Theu krahun... tani e ka të shtrembër

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar Doktor Agroni, vëllai im është 13 vjeç. Në moshën 7 vjeçare ka thyer krahun dhe ia vunë në allçi te një doktor në Gjirokastër, mirëpo kur e hoqi allçinë, vumë re se krahu ishte i shtrembër, nuk ishte zënë në vendin që duhej. E çuam prapë tek i njëjti doktor, por na tha që duhej vetëm pak stërvitje e krahut dhe për pak ditë do të vinte në rregull sepse mishi ishte i enjtur, ndërsa kocka kishte zënë në rregull. Kështu bëmë, por edhe pas kaq vitesh krahu ngeli njësoj dhe vëllai, përveç defektit fizik, ka edhe lodhje kur shkruan dhe kur punon. E kemi çuar përsëri gjatë këtyre viteve te doktorë të tjerë dhe tek i njëjti e përsëri e njëjta gjë nga të gjithë. Jemi në dilemë... Nëse i bëhet operacion krahu, a do të ketë pasoja? A do t’i bëhet siç e ka pasur? A mund t’i kthehet në normalitet, si krahu tjetër? Theksoj se bërryli i krahut është i zënë përsipër krahut, në vend që të jetë anash. Ju lutem, më ktheni një përgjigje se jam shumë e shqetësuar. Ju faleminderit.

Dr. Agron Islamaj, neurolog: Sipas të dhënave tuaja, mendoj se vëllai juaj, krahas problemeve të thyerjes dhe ngjitjes së kockës së krahut, ka mundësi të ketë edhe probleme me prekjen e nervave periferikë të kësaj anësie. Në këto kushte, do të këshilloja së pari një konsultë me mjekët ortopedë e ne neurologët, qoftë aty në Gjirokastër, qoftë këtu në Tiranë. Ka një avantazh se vëllai juaj është në moshë të vogël dhe proceset e ripërtëritjes janë shumë të mira, prandaj me mjekim dhe procedura riaftësuese ai mund të kthehet shumë shpejt në normalitet. Ejani sa më shpejt te ne, mjekët specialistë.

-

Valbona VUKULAJ

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.