Si t’i heq njollat në fytyrë?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Doktoreshë Albana, prej dy vjetësh më janë formuar njolla kafe në fytyrë. Gjatë periudhës së dimrit njollat duken më të zbehta, por në verë ama më theksohen shumë. Kam përdorur kremra të ndryshëm të dhënë nga dermatologu, por nuk kanë patur efekt. Doja të dija më shumë arsyet e shfaqjes së tyre dhe nëse ekziston ndonjë krem për t’i zhdukur plotësisht?

Dr. Albana Lufi, Ph.D në dermatologji: - Njollat kafe ose hiperpigmentimet janë rrjedhojë e shtimit të pigmentit të lëkurës. Njollat mund të jenë të vetme ose të shumta në numër dhe lokalizohen në përgjithësi në mënyrë simetrike në ballë, faqe, shpinën e hundës, buzën e sipërme, mjekër dhe në qafë. Ato kanë tendencë të qëndrojnë gjatë dhe nuk zhduken gjatë dimrit. Shfaqen zakonisht te personat me lëkurë të bardhë, por janë gjithashtu të shpeshta te personat që nxihen lehtë dhe që kanë lëkurë të errët. Kryesisht, preken femrat, por në 10 % të rasteve, shfaqen edhe te meshkujt. Faktorët kryesorë që ndikojne në shfaqjen e njollave kafe (melazma) janë: rrezatimi diellor që është një faktor i pranishëm në pjesën më të madhe të rasteve. Si faktorë të tjerë përmendim shtatzaninë, disa medikamente si kontraceptivët, disa produkte kozmetike të cilët përmbajnë faktorë që ndihmojnë në shfaqjen e njollave kafe dhe historia familjare, pra, gjenetike. Megjithatë, siç e përmendëm dhe më sipër shkaku kryesor është rrezatimi diellor. Me kalimin e kohës, si pasojë e mbiekspozimit në diell, njollat kafe shfaqen kryesisht në fytyrë, por edhe në trup. Lëkura jonë është përherë e më shumë subjekt i mjaft dëmtimeve nga dielli. Pjesa më e madhe e dëmtimit

nga dielli ndodh kur ngasim makinën. Xhami i makinës bllokon 100 % të rrezeve UVB (të cilat shkaktojnë djegien e lëkurës) dhe aspak ato UVA, rreze shkaktare të plakjes së lëkurës dhe të dëmtimeve nga dielli.

- Mjekimi i njollave kafe (melazmës) është i vështirë. Është më e lehtë të parandalohet formimi i hiperpigmentimeve sesa të trajtohen ato. Evitimi i diellit dhe përdorimi ditor i kremrave kundër diellit është i domosdoshëm për të penguar formimin e njollave të tjera. Femrat duhet të ndalojnë kontraceptivët oralë. Mbas shtatzanise hiperpigmentimi mund të largohet pa mjekim. Mund të përdoren preparatet zbardhuese si hydroquinoni 2-4 %, vetëm ose në bashkëveprim me tretinoinën 0.05 %. Veprim zbardhues kanë edhe përbërjet fenolike, vitaminat C dhe E, acidi azelaik, kojik etj. Metodat e sotme të mjekimit përfshijnë edhe mikrodermoabrazionin, mesoterapinë dhe laserin fraksional. Një procedurë me efikasitet të lartë në trajtimin e hiperpigmentimeve të lëkurës është pilingu kimik.

- Meqë jemi në periudhen e verës, po jap disa këshilla për të gjithë se si duhet të mbrohemi nga dielli: Përdorni kremrat kundër diellit me faktorë mbrojtës të lartë SPF 30 dhe 50 deri në fund të shtatorit. Përdorni kremin 30 minuta para daljes në diell dhe përsëriteni çdo 3 orë. Pasi keni përdorur kremin fotombrojtës, mos përdorni produkt tjeter kozmetik mbi të (pudër ose krem pudër). Në kohën e plazhit, përdorni kremrat kundra diellit së herë që dilni nga deti, duke e shpëlarë më parë fytyrën me ujë, pasi uji i kripur lejon që rrezet e diellit të depërtojne më lehtë në lëkurë, duke bërë të mundshme shfaqjen e njollave kafe. Mos harroni të përdorni syze, pse jo edhe në periudhen e dimrit, duke parandaluar shfaqjen e rrudhave të diellit, por edhe te njollave kafe në zonën rreth syve. Përdorimi në mënyrë korrekte i kremit fotombrojtës të përshtatshëm sipas tipit të lëkurës, do të ndihmonte në parandalimin e formimit të hiperpigmentimeve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.