Tradhtova gruan dhe mashtrova të dashurën

Intervista - - FAQE 1 - (Vijon numrin e ardhshëm)

E nderuar redaksi e gazetës dhe ju të nderuar lexues! E di që do të më paragjykoni kur ta lexoni historinë e dashurisë sime. Jam 39 vjeç dhe punoj në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Prindërit i kam që të dy nga një qytet i vogël, por shumë i bukur i Shqipërisë së Jugut. Babai im ka lindur në Tiranë, sepse gjyshi ka qenë oficer dhe ka ardhur në Tiranë pas çlirimit, ndërsa nëna ime u fejua e martua me babanë tim pasi kishte mbaruar shkollën e mesme të infermierisë. Ne jemi katër fëmijë. Vëllai i madh është menaxher në një kompani private. Ai ka mbaruar për Ekonomik dhe nusen e ka ekonomiste, zonjë grua në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Edhe dy motrat e mia janë rregulluar dhe Zoti deshi që të dyja të merrnin burra të mirë. Më i vogli i fëmijëve isha unë dhe unë vendosa të ndiqja rrugën e mamasë sime. E fillova shkollën e mesme të infermierisë me synimin që nëse do të arrija të dilja mirë në shkollë të mesme, do të konkurroja dhe të vazhdoja mjekësi, se do të ishte më e thjeshtë, por unë nuk isha i prerë për shkollë dhe sapo mbarova infermierinë, fillova punë falë emrit të mirë të mamasë dhe një miku të babait, që punonte në Ministrinë e Shëndetësisë.

Fillimi i punës më përkoi edhe me ndryshimin e sistemeve. Shumë gjëra ndryshuan jo vetëm në llojin e sëmundjeve, por edhe në mënyrën e mjekimit, në listat e ilaçeve që ndryshonin vazhdimisht për terapitë e ndryshme, por prania e mamasë sime në punë bëri që të bëhesha ndër më të zotët. Në lagje, qysh kur kam qenë në shkollë të mesme, kisha një vajzë që më pëlqente shumë. Nuk i kisha folur asnjëherë, por pasi fillova punë dhe isha shkathtësuar goxha, edhe ajo vetë kishte mbaruar shkollën e mesme dhe u lidhëm bashkë. Ndenjëm për afro një vit të dashuruar e takoheshim në varësi të turneve të punës sime. Pastaj vendosëm që të fejoheshim. Jam i sigurt që kam qenë djalë me fat. Vajza që kisha zgjedhur është gruaja më e mrekullueshme në botë.

- Shpirti im, ke lëkurën më të butë, më pëlqen ta përkëd- hel e puth gjithë kohën, - i thosha sa herë prekja duart e saj.

- Edhe mua do të më pëlqente të më prekje gjithë kohën, - më thoshte ndërsa kruspullosej në krahët e mi. E kështu, mes dehjes e zjarrit të dashurisë ndenjëm dy vite të fejuar e më pas u martuam. Ne jetuam në shtëpinë e prindërve të mi, ndërsa ata shkuan të jetonin me vëllain e madh. Ai ishte shumë më mirë ekonomikisht se unë dhe arriti të blinte një shtëpi të madhe. Edhe nusja e vëllait ishte shumë e mirë. Pastaj ata u bënë me fëmijë dhe prindërit e mi i ndihmuan deri në fund.

Gruaja ime kishte bërë një kurs rrobaqepësie dhe filloi të punonte në zanatin e vet në shtëpi. Puna e saj nuk ishte ndonjë gjë e madhe sepse duheshin goxha para që të blinte disa makineri, por rroga ime si infermier bashkuar me bakshishet që u merrja pacientëve, ishin mjaftueshëm. Një vit pasi u martuam, gruaja mbeti shtatzënë. U lumturuam dhe nuk dija ku ta vija nga kënaqësia. Shtatzania i erdhi e vështirë me të vjella e siklete sa s’di ç’të them. Më dukej vetja krejt i paaftë, përderisa nuk isha i zoti të lehtësoja sikletin e saj. Kur ishte pesë muajshe shtatzënë, ajo u përkeqësua. Meqenëse kisha ca njohje edhe te materniteti, ambulanca erdhi menjëherë kur i mora në telefon në orën dhjetë të darkës, por me gjithë përpjekjen e mjekëve, bebi nuk arriti të mbijetonte. Kur mjeku doli nga salla, më tha:

- Më vjen keq... e humbëm fëmijën, por jam i lumtur që gruaja jote ishte me fat. Nëse do të kishit ardhur dy minuta më vonë, do të ishte shumë vonë. Shko takoje dhe mundohu t’i rrish pranë, - më tha dhe ndërsa largohej, më rrahu shpatullat. Në sytë e tij pashë frikën që kishte kaluar edhe ai.

Pasi e çuan gruan time në dhomë, më thanë që mund të hyja. Dukej në gjendje të mjerueshme.

- Shpirt, do ta kalojmë, do kemi fëmijë tjetër. E rëndësishme është që të bëhesh ti mirë, - mundohesha ta qetësoja, ndërsa e përqafoja dhe e përkëdhelja.

- Nuk e di nëse do të kemi, se dëgjova mjekun që po fliste me infermieren, - tha ndërsa shkrehej në lot. Qante me dihama dhe e pashë që po e përjetonte keq. - Nuk është se thjesht dua fëmijë tjetër, por ç’të keqe kam bërë, që ta filloj kështu me fëmijët? - thoshte dhe të dy burrë e grua po qanim në krahët e njëri-tjetrit.

Kur erdhi infermierja për ta kontrolluar nëse ishte sistemuar si duhet, na gjeti duke qarë të dy.

- Po unë mendova se ti do ta qetësosh, jo do ta bësh të qajë më shumë. Edhe unë që s’ju kam asgjë, nuk do t’jua uroja që të humbnit fëmijën pesë muajsh në bark, por të dy duhet të mendoni që jeni të rinj dhe veglat ju punojnë të dyve për të patur fëmijë tjetër. Pastaj, mendoni që të tjerët i humbasin fëmijët edhe në moshë mad- hore. Unë vetë kam patur dy aborte dhe një djalë më ka vdekur njëzet e një vjeç, kështu që mblidhni mendtë e kokës. E ti, që ma mban veten për infermier kirurgjie, që duhet të ishe i fortë, dil e shko në shtëpi se kujdesem më mirë unë, - tha dhe nuk bëhej fjalë të kundërshtoja me atë ton zëri që më foli. E përqafova edhe një herë gruan, i thashë që do të kthehesha në mëngjes e ika me zemrën copë.

Pasi gruaja ime doli nga spitali, u kujdesa që të qetësohej sa më shumë dhe pas gjashtë muajsh, sipas këshillës së mjekut, filluam përpjekjet për fëmijë tjetër.

Erdhi sërish çasti i shumëpritur dhe gruaja ime mbeti shtatzënë, po me sikletet e rrezikun që pati në shtatzaninë e parë. Atëherë, mjeku vendosi që ajo të shtrohej në spital dhe ta kalonte gjithë shtatzaninë në spital. Dhe, sigurisht që ne zbatuam këshillën e mjekut. Shkoja çdo ditë ta takoja në spital e shkoja edhe në punë. Më mungonte shumë gruaja në shtëpi, por vendosa ta kaloja me sa më shumë punë. Në fakt, puna ime është që të kujdesem gjithmonë për pacientët që na vijnë në spital, e unë nuk e bëj gjithmonë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.