Burri më përdhosi familjen

Intervista - - FAQE 1 - (Vijon numrin e ardhshëm)

Të nderuar lexues, jam goxha në moshë dhe ju duhet të mendoni se duhet të jem më e pjekur për të mos folur në këtë mënyrë për bashkëshortin tim, por kur të vjen shpirti në majë të hundës, nuk duron dot. E meqenëse unë nuk kam ç’t’i bëj gomarit, po i bie samarit.

Po e shkruaj këtë letër për t’ju treguar historinë time sepse nuk dua të mërzis tri vajzat e mia. Nëse do t’ua tregoja atyre gjithë brengën time, jam e sigurt që do të ishin ato që do ta kërkonin divorcin tim.

Kam lindur në një fshat të vogël dhe isha vajza e tretë. Pas meje nëna ime lindi dhe dy djem. Prindërit e mi kanë qenë shumë punëtorë dhe ne të pestë fëmijët ua morëm këtë zakon të mirë. Motra e madhe u martua kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe i rastisi që burri të ishte djalë shumë i mirë, por ai pati fatin e keq të sëmurej shumë shpejt pas martese dhe motra ime i rriti pothuajse vetëm të tre fëmijët e saj. I shoqi vdiq kur ishte shumë i ri, dyzet e nëntë vjeç. Më ka dhembur shpirti për të sikur ta kisha vëlla sepse jo vetëm ka qenë burrë i mirë, por edhe na ka ndihmuar, ndonëse ishte i sëmurë. Motra e dytë u martua në një fshat tjetër me një burrë që vetëm emrin kishte burrë. E vetmja gjë që ka ditur të bëjë ishte të linte motrën time shtatzënë çdo dy vjet dhe të bridhte me gjithë gratë e fshatit, kështu që motra ime i ka rritur vetëm të shtatë fëmijët e saj. Sot ajo është më e sëmura nga ne. Mua më doli fati në një fshat më afër prindërve të mi, në një familje me fanatikë dhe xhelozë të tmerrshëm.

Dy vëllezërit e mi vazhduan fakultet dhe u martuan goxha vonë, gjë që për prindërit e mi ishte shumë e vështirë. “Të gjithëve u kanë mbetur çupat në derë, mua më kanë mbetur djemtë”, thoshte babai im. Por, ata patën fat me martesat e tyre, morën vajza shumë të mira. Edhe pse nuk jetuan në fshat te pleqtë, kanë patur marrëdhënie shumë të mira me prindërit e mi dhe të dyja palët e kanë dashur njëratjetrën. Rrallë dëgjoj vjehrrë të dojë nusen apo e kundërta, por në familjen e prindërve të mi ka ndodhur. Po kthehem te fati im i zi. Familja ku u martova ( jo vetëm vjehrri im, por gjithë fisi i tyre) ishin si të çartisur. Gratë nuk mund të dilnin në punë në fermë si gjithë gratë e tjera të fshatit, ne nuk mund të vishnim bluza me mëngë të shkrutra e budallallëqe pa fund si këto.

Ky lloj fanatizmi idiot që kishin fisi i tyre ndikonte jo vetëm në marrëdhëni- et në çift, por edhe në ekonominë tonë të rrënuar. Unë isha rritur në një familje të qetë, me prindër shumë punëtorë dhe pavarësisht nervave të vjehrrit, dilja e punoja arën bashkë me tri motrat e burrit. Vjehrra dhe kunatat e mia më kanë dashur qysh ditën e parë që kam hyrë në atë derë. Vjehrri filloi të fliste nëpër dhëmbë pse dilnim në arë, por im shoq i tha se rroga që merrnim në fermë nuk dilte për të blerë gjithë ushqimet e jo për gjëra të tjera. Pas gjashtë muajsh martesë, im shoq më tha të dilja në punë me gratë e fshatit. U bë një sherr i madh mes vjehrrit e burrit tim dhe në fund, vendosën që unë të dilja në punë dhe bashkë me mua do të vinin edhe tri kunatat e pamartuara. Të tria bashkë me bekonin çdo ditë kur dilnim në gjashtë të mëngjesit për të shkuar në punë.

- Na nxore në dritë, na u nxi jeta brenda mureve dhe pa bukë në bark. S’e marr vesh për çfarë mund të jetë njeriu xheloz, kur ne s’e ngremë shaminë nga sytë. Ne, rrezik edhe dielli nuk e di që na ka për të na ngrohur, - thoshin vazhdimisht kunatat e mia.

Puna jonë na dha pak dorë, edhe pse ishte rrogë e vogël, por gjithsesi, rrogë ishte. Unë mbeta shtatzënë dhe linda një vajzë të shëndetshme e të mbarë. Pas tre muajve leje lindjeje, u ktheva në punë, se vjehrri në shtëpi ishte i padurueshëm.

- Janë çupat vetëm dhe vetëm kur ti je me to jam i qetë, - thoshte nga mëngjesi e deri në drekë.

Pavarësisht gjithë fanatizmit të tyre, asnjëherë nuk më ka thënë ndonjë fjalë të rëndë që të ketë të bëjë me nderin tim. Ai kishte besim tek unë dhe unë e kam shpërblyer me punë, nder e dashuri për të birin. Kur vajza ime u bë dy vjeçe, mbeta shtatzënë prapë. Gjatë kohës që isha shtatzënë, njëra nga kunatat u martua. Të motrat e vjehrra përpiqeshin të më ndihmonin me punët.

“Ishalla do na bësh ndonjë djalë, se nuk dua të vdes pa parë një nip në derë”, thoshte vjehrra. Në fakt, linda vajzë dhe të gjithë e deshëm prapë shumë, edhe pse donim djalë. Me dy fëmijë dhe me rrogë ferme, jeta ishte shumë e vështirë. Vjehrra ishte pa pension, vjehrri merrte pension ferme, kunati i vogël ishte i ri dhe atë rrogë që merrte, e donte për duhan, kështu që im shoq i kërkoi të atit që ne të ndaheshim shtëpi më vete. U bë xhind dhe nuk pranoi. Vetëm pas një viti kur unë mbeta shtatzënë sërish dhe kunati i vogël tha që nuk do të punonte që të mbante tre fëmijët tanë, vjehrri u bind që ne të ndaheshim. Fëmijën e tretë e linda djalë dhe u gëzua gjithë fisi. Këtë radhë, meqenëse kishim dalë ekonomi më vete, bëra vetëm dy muaj leje lindjeje. Të tre fëmijët rrinin me vjehrrën time. Vajzat, megjithëse të vogla, kujdeseshin gjithë kohën për vëllain. Kunatat e mia, pasi vinin nga puna, më ndihmonin me djalin. Në atë kohë, qeveria na dha një sasi parash si kompensim për tokën që na ishte zënë për një fabrikë dhe ne me ato para ndërtuam një shtëpi rreth njëzet metra larg shtëpisë së vjehrrit. Aq para nuk mjaftonin për ta mbaruar shtëpinë të gjithën dhe ne rregulluam vetëm pjesën e papafingos. Ndryshoi edhe sistemi dhe ne mbetëm pa punë. Unë dhe im shoq ishim me shkollë tetë- vjeçare dhe nuk kishim se ç’të punonim. Unë iu ktheva punimit të tokës dhe toka më shpërbleu. Të gjitha prodhimet e fshatit i kisha mbjellë dhe të gjitha bëheshin me shumicë. Ne ishim shumë të ngathët që të mund t’i shisnim dhe shumicën e shpërndaja nëpër kushërinj. Burri im mori ca para borxh te një kushëri i tij dhe bleu një makinë e filloi si taksist. Pas djalit, unë linda një vajzë tjetër dhe kështu, u bëmë me katër fëmijë, por me çlirimin nga zgjedha e vjehrrit, më erdhën halle të tjera.

Një kushëri i burrit u rrah dhe theri me thikë një djalë tjetër dhe burrat u mbyllën brenda nga frika se na vrisnin. E mendoni dot një shtëpi me pesëmbëdhjetë burra xhelozë që rrinë brenda e që detyrohen të nxjerrin vetëm gratë për pazar e punë? Jua them unë, është ferri vetë! Pas tetë muajsh ndërhyrjesh të policisë dhe disa shokëve të vjehrrit tim, sikur u qetësuan gjakrat dhe burrat filluan të dilnin. Burri im filloi punë me makinën e vet dhe sa për fillim, i eci shumë mirë. Njihej si burrë i kujdesshëm e i qetë dhe të gjithë e merrnin për punë. U mëkëmbëm pak ekonomikisht, por nuk ishte e thënë të na mbaronin hallet. Mua më duket sikur kam lindur për të vuajtur.

Kur djali ishte njëmbëdhjetë vjeç, ndërsa luante me shokët në murin rrethues të shkollës, ra nga një lartësi një metër e gjysëm dhe theu këmbën e majtë. Nga gjuri e poshtë ia kam mbledhur më çarçaf kockat e damarët për ta çuar në spital. Kur e çuam në Spitalin Ushtarak, mjeku i rojes tha se duhej t’i pritej këmba. Ishte viti 1997 dhe armët ishin sheshit kudo. Atëherë djali i xhaxhait të burrit nxori pistoletën dhe ia vuri doktorit në kokë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.