E vrava për së gjalli të fejuarin tim

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues të gazetës “Intervista”! Unë që po ju shkruaj, tashmë jam gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçe dhe vazhdoj të paguaj edhe sot për mëkatin që bëra ndaj të fejuarit tim. Njeriu për veten e tij mund të marrë vendime të çuditshme, por kur në mes futen persona të dytë ose të tretë duhet të mendohet shumë më tepër.

Kam lindur në një fshat malor dhe ne ishim gjashtë motra. Me siguri, babai im, në kërkim të djalit rreshtoi çdo një vit e gjysëm gjashtë vajza. Megjithëse im atë është kujdesur e na ka dashur jashtë mase qysh ditën që lindëm, të lindësh në një fshat malor dhe në kohën kur kam lindur unë kur ishin kooperativat ishte tmerr. Akoma më e tmerrshme ishte nëse në familje kishte shumë fëmijë, siç ndodhte rëndom në fshatrat tona. Mamaja ime ka qenë një grua e vogël, por shumë gazmore. Megjithëse ne jemi rritur në skamje, sepse prindërit e mi punonin të dy në kooperativë, atë e mbaj mend gjithmonë të qeshur. Ndërsa mamaja shkonte në ara e punonte e ne vajzat i shkonim mbrapa si breshka, ajo me këngë në buzë fillonte dhe e mbaronte e punën që i caktonte brigadieri. Po me këngë në buzë ajo merrte rrugën e kthimit, ndalej rrugës e mblidhte bar ose degë lisi për lopën. “Lopa duhet të hajë që të na bëjë qumësht”, thoshte e ngarkohej në shpinë aq sa s’mbante dot më. Motra e madhe ishte çobanesha dhe ajo kthehej e para. Ajo kishte detyrën të mbushte edhe ujë të ftohtë te burimi në verë, ndërsa në stinët e tjera e mbushnim sapo ktheheshim nga shkolla. Ne po rriteshim të gjitha nga pak dhe iu bëmë krah prindërve tanë. Fatmirësisht, u ngjamë atyre e u bëmë punëtore e pastërtore. Motra e madhe mbaroi shkollën shtatë-vjeçare dhe nuk vazhdoi me tej sepse prindërit e mi nuk kishin mundësi ekonomike ta çonin në konvikt. Kështu, ajo filloi punë në kooperativë qysh kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Edhe motra e dytë dhe e tretë patën të njëjtin fat. Mbaruan shkollën shtatëvjeçare dhe filluan punë në kooperativë. Kështu, kur u bënë pesë rroga, pra, pindërit dhe dy motrat, babai e mamaja ime vendosën të ndërtonin një shtëpi prej guri, sepse shtëpia e parë ishte prej dërrasash. Ndërtuam një shtëpi të vogël, me dy dhoma gjumi e një kuzhinë dhe prindërit e mi sikur kapën qiellin me dorë.

Ndërtimi i shtëpisë zgjati katër vite, ndërkohë edhe motrat ishin rritur pak nga pak për t’u martuar. Në fakt, me mentalitetin e fshatit, motra e madhe e cila u mbushi njëzet e një vjeçe, kishte mbetur në derë, por ndërkohë, një bashkëfshatar, duke e parë motrën vajzë punëtore e të urtë, ndërhyri për djalin e baxhanakut të tij në një fshat tre orë larg fshatit tonë. Ata ishin familje e mirë dhe ishin më rehat se ne dhe prindërit u gëzuan për këtë krushqi. Motra u martua pas gjashtë muaj fejese. Menjëherë pas saj u fejuan edhe dy motrat e tjera dhe unë pata më të madhin shans që ndërkohë që prisnin të më fejonin, kryetari i kooperativës më ofroi shkollë. Të gjitha ne vajzat kemi mësuar, por unë isha më e mira.

- Na ka ardhur bursë për shkollë e mesme për infermiere, dhe mendoj se askush më shumë se M. nuk e meriton, - i kishte thënë babait në rrugë.

- Po ta mendoj një herë, - tha babai, - se unë sapo bëra një dasëm e kam edhe dy të tjera përpara e nuk i përballoj dot.

- Po shkolla është edhe me bursë, sepse ju punoni të gjithë në kooperativë dhe s’do të jetë nevoja për shumë. Mos ia prish fatin vajzës, - i tha ai ndërsa ndanë rrugë.

Pas dy- tri ditësh, në mbledhjen e kooperativës u tha si vendim nga ana e kryesisë së kooperativës që unë kisha fituar bursën për infermiere.

- Më në fund, edhe fshati jonë do të ketë një infermiere, një nxënëse të shkëlqyer. Dhe shpresoj se do na nderojë edhe atje në shkollë.

Gjithë fshati duartrokiti, i uruan prindërit e mi dhe mbledhja kishte vazhduar me problemet e tjera. Prindërit kur u kthyen ishin të lumtur, më thanë se ç’kishin vendosur e më përqafonin, ndërsa babait iu mbushën me lot e më tha:

- Bija ime, shpresoj që jo vetëm të mësosh e të bëhesh infermiere e zonja, por edhe të ma ruash nderin e familjes. Unë nuk besoj të kem rritur vajza të përdala, - dhe pasi më shtrëngoi edhe një herë, doli në oborr.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.