Nard Ndoka: ”Jam i vetmi kryetar partie akademik, filozof dhe axhustator njëkohësisht...”

Intervista - - HUMOR -

Zotin Nard Ndoka e takova ne zyrën e tij. Ishte i ulur në tavolinë, i menduar e me dorën grusht në faqe. Shikimi i qe ngulitur në një pikë të murit....

- Erdha të bëj një intervistë me ju, - i thashë.

- Derisa ke ardhur për intervistë je gazetar dhe derisa je gazetar vjen për intervistë...

- Si po e shtyni vapën zoti Ndoka?

- Në verë gjithnjë është vapë. Kur është vapë djersin dhe kur djersin të bëhet këmisha me njolla djerse. Pra, njeriu nuk djersin vetëm kur punon, por edhe kur rri në vapë, siç po rrij unë tani duke medituar...

- Në shtypin e kësaj jave është thënë se një akademi italiane e quajtur “Akademia Internacionale Konstadiniane e Shkencave Mjekësore, Juridike dhe Sociale të Italisë ju ka dhënë titullin “Akademik Efektiv Nderi”. Eshtë e vërtetë, apo shaka nga ato që bëhen në Facebook për ju?

- Nëse është e vërtetë, nuk mund të jetë shaka, ndërkohë që mund të jetë edhe e vërtetë edhe shaka...

- Nuk e kuptova zoti Ndoka, jeni apo nuk jeni akademik tani?

- Besoj se po. Duhet të jem. Dje shkova në një supermarket dhe sa u futa m’u hap dera vetë. Kjo s’më kishte bërë vaki kurrë më parw. Diçka kishte ndodhur me mua tani. E kuptova që isha bërë vërtetë akademik...

- Pse quhet konstandiniane kjo akademi që ju dha titullin?

- Sepse e ka krijuar Kosta. Po ta kisha krijuar unë do të quhej leonardiane....

- Kush është Kosta, zoti Ndoka?

- Kosta është motoristi që punonim bashkë në tragetin e Komanit ku unë isha axhustator, para se të bëhesha filozof dhe akademik. Ai shkoi emigrant në Itali. Ai ka krijuar atje tani një akademi me emrin e tij. Kush ka akademi është Akademik. Kush ka miq s’ka armiq...

- Të bukura këto shprehje zoti Ndoka. Ju vetë i bëni?

- Të them të drejtën Kaso në Facebook kanë dalë aq shumë shprehje me mua sa nuk e di cilat janë të miat e cilat janë të shpikura nga njerëzit.... Por nëse thonë që e ka thënë Nard Ndoka dy variante ka: ose e kam thënë unë, ose nuk e kam thënë. S’ka variant tjetër!!!

- Thuhet që titulli “Akademik” u shoqeua me një shumë të mdhe parash nga Italia. E vërtetë është?

- Te kesh para, Kaso, është më mirë se të mos kesh para, por të kesh më shumë para është më mire se të kesh pak para, sidoqoftë të kesh pak para është më mirë se të mos kesh fare para. Kush ka para, është i pasur. Kështu që sado para që te kesh është diçka shumë e mirë për shëndetin dhe rrethin shoqëror. Prandaj unë i pranova të gjitha lekët që më dërgoi Kosta... Aq më shumë që ai më tha se ato para ja kishte dhënë vetë Berluksoni për mua...

- Thuhet se ju keni njohje të mëdha anembanë botës dhe keni shokë udhëheqësit më në zë botërorë, nga Obama deri te Fidel Kastrro. Duhet ta besojmë këtë, apo është thjesht shaka Facebook- u?

- Besoje Kaso... Ai që nuk beson, nuk ka besim. - Si na e vërtetoni këtë? - Pyet sekretaren time. As ajo nuk e besonte, por e pa me sytë e vet kur takova Obamën. Ai, sa më pa mua, ndërpreu fjalimin dhe më thirri:” Hi Nard. How are you?!” dhe m’u hodh në qafë duke më pwrqafuar. - E pabesueshme! - As sekretarja ime nuk e besoi. Ndaj unë që andej shko- va në Vatikan, te Papa. Aty jam si i shtëpisë meqë edhe Papa është katolik si unë. “Prit një minutë këtu në shesh, i thashë vajzës, se do shkoj të takoj Papën që do dalë tani në ballkon...”

Sa dola në Ballkon shoh që poshtë në turmë u bë rrëmujë dhe erdhi ambalanca. Sekretares sime i kishte rënë të fikët. Zbres me vrap dhe e përmënd me shpullla. Se kur njeriut i bie te fikët domethenë që është pa ndjenja dhe kur njeriu është pa ndjenja, duhet ta rrahësh...

- He mi, ç’pate? Pse te ra te fikët? S’e besoje që njihja Papën?

- Jo jo, nuk është kjo, më tha ajo, po kur dole ti me Papën aty, më pyeti njeri: “Kush është ai që ka dal me Nardin n’ballkon?” ... Tani sekretarja është mësuar. Nuk i bën më përshtypje. Madje bën shaka në telefon edhe me Fidel Kastron, se ka mësuar spanjisht nga telenovelat si puna ime. Gjithë ditën rrijnë në Skajp. Ola njeri, ola tjetri. Ka rënë në dashuri Fideli më sekretaren time. “Dashnia nuk njeh moshë”, themi ne në Shkodër. Të biesh në dashuri është më mirë sesa të mos biesh, domethënë rënia në dashuri është e vetmja rënie e parrezikshme...

- Po ju keni rënë në dashuri?

- Unë jam akademik filozof dhe politikan. Ne nuk biem, me ne bien në dashuri, Kaso.

- Meqë përmende politikën, na thuaj ç’mendon për Edi Ramën me të cilin jeni në koalicion?

- Edi Rama është i gjatë dhe kur je i gjatë nuk je i shkurtër. Këtë gjë do thosha edhe për jetëgjatësinë politike të tij. Ai do të jetë jetëgjatë...

- Dhe ju do vazhdoni në aleancë me të?

- Ai do të jetë në aleancë me mua, Kaso. Jam i vetmi kryetar partie akademik, filozof dhe axhustator, njëkohësisht...

Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.