Kur do rregullohet drejtësia shqiptare?

Intervista - - AKTUALITET -

Artan Kristo: - Ditët e fundit po flitet shumë për reformën në drejtësi. Eshtë krijuar edhe një komision parlamentar për këtë. Kur thuhet “reformë” nënkuptohet ndryshim rrënjësor. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në drejtesinë shqiptare: organizmi i saj, ligjet, apo njerëzit dhe pse?

Av. Idajet Beqiri: - Për plotë 25 vjet në Shqipëri, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera ish - komuniste në Europë, në vend që të ndërtohej demokracia e vërtetë, shteti ligjor dhe mirëqenia e popullit, u bë diametralisht e kundërta. Klasa politike që u instalua në vitet 1990 me rol protagonisti, erdhi e katapultuar si “misionare” e interesave të vendeve armike të përbetuara ndaj kombit shqiptar. Ajo filloi dhe po vazhdon ta mbajë këtë vend peng të krimeve monstruoze, të destabilitetit, të hajdutërisë, të korrupsionit, të padrejtësisë dhe arbitraritetit, të varfërisë dhe skamjes, të errësimit të perspektivës se një ditë edhe mund të bëhemi.

Ishte fatkeqësia më e madhe kombëtare vënia në krye të shtetit dhe të qeverisë për vite me radhë të Berishës, këtij armiku tashmë të deklaruar dhe të njohur botërisht, këtij shërbëtori të bindur të agjenturës më dëmësjellëse antishqiptare, sikundër ka qënë dhe ka mbetur agjentura serbe me rrënjë të thella në Shqipëri.

Berisha ndërtoi shtetin e mafies, të antiligjit, të “tokës së djegur”, të mashtrimit, të vjedhjes, të gjakmarrjes, të arbitraritetit, të padrejtësisë dhe pandershmërisë, dhe mbi të gjitha të pandëshkueshmërisë. Në këtë vend fara e krimit është mbjellë kudo. Kjo farë ka rritur dhe vazhdon të rrisë në çdo cep e skutë të Shqipërisë lloje-lloje krime dhe krimineli të pafund, të cilët e kanë ndotur shumë keq këtë vend. Ndotja më e madhe është në politikë, në qeverisje, në administratën publike. Dhe për fatin e keq, ato organe që e kanë për detyrë të dekriminalizojnë Shqipërinë e zhytur në krim dhe kaos, sistemi gjyqësor, organi i akuzës, KLD, KLSH, SHISH, një pjesë e policisë së shtetit, janë të zhytura vetë në krim dhe korrupsion, çka e bën situatën pa rrugëdalje.

Janë pikërisht këto arsyet që e bëjnë domosdoshmëri historike reformën në drejtësi, pasi pa reformimin e thellë të këtij pushteti, nuk ka dhe nuk mund të ketë dekriminalizim të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

- Nje pyetje pak të thjeshtëe që ta bëjmë më të kuptueshme për lexuesin problemin. Sikur të ishit në krye të vendit apo drejtësisë, të ishit “vetë zot e vet shkop” siç thotëe populli, si do ta ndërtonit drejtësine shqiptare?

- Do të bëja ndryshimet e duhura në ligjin themelor të shtetit, në Kushtetutën e Republikës. Do e riktheja atë në gjëndjen e para vitit 2008, dhe pastaj do i bëja amendime neneve të saj që rregullojnë gjithë pushtetin gjyqësor, KLD, Gjykatën e Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm. Do bëja një ligj të ri për KLD, dhe do përcaktoja kritere të atilla emërimi në të, sa të bëja që ky institucion të ishte tmerri i gjyqtarëve të paaftë, të pandershëm, të korruptuar dhe të liq në shpirt, që nuk dinë të japin drejtësi. Do të kaloja në “vrimën” e gjilpërës, me testime juridike, psikologjike, të ndershmërisë dhe të sensit të padiskutueshëm për të dhënë drejtësi të pastër gjithë prokurorët, gjyqtarët dhe oficerët e policisë gjyqësore.

Do të bëja rregullime të qenësishme në ligjin për organizimin gjyqësore, për organizimin dhe mënyrën e zgjedhjes së prokurorëve dhe vetë prokurorit të përgjithshëm. Do të ndërtoja pranë KLD, të cilën do ta drejtonte kreu i Gjykatës së Lartë, një organ kontrolli të veprimtarisë gjyqësore dhe gjyqtarëve, me kuadro të tilla, të aftë dhe të pa korruptuar, të cilët të bëheshin tmerri i gjyqtarëve të korruptuar, të paaftë dhe hileqar të padrejtë.

Do të vija në efiçencë të plotë, profesionalisht dhe ndershmërisht tepër lartë kërkesën për mbrojtje ligjshmërie dhe kërkesën për rishikim, me anën e të cilave do të korregjoja urgjentisht të gjitha padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve gjatë këtyre 25 vjetëve. Do të ngrija një “Task forcë” me juristët dhe ekspertët më të shquar, më të pakompromisë dhe më të ndershëm të këtij vendi për të zbardhur dhe çuar në bankën e të akuzuarve të gjithë kriminelët politikë të cilët bënë skenarin e vrasjeve politike të 2 prillit 1991, djegjen dhe grabitjen e Shqipërisë, ngjarjet tragjike të viteve 1996-1998, krimet shtetërore të Gërdecit, vjedhjen e thesarit të shtetit, vrasjet e 21 janarit, vjedhjen e paskrupullt të parave të shqiptarëve në rrugën e Kombit, shitjen Greqisë të 351 km2 sipërfaqe uji deti, ajri dhe toke etj. Do bëja ndryshime thelbësore në Kodin Penal, në Kodin e Procedurës Penale, në Kodin Civil, të Procedurës Civile etj.

- Këto do t’ i bënit po të ishit në krye të KLDsë, apo jo? Kush duhet të jetë në krye të këtij institucioni? Eshtë normale të jetë Presidenti i Republikës, si te ne? Si ështëe përvoja botërore?

- Presidenti i Republikës, edhe sikur të zgjidhet me konsensusin e të gjitha forcave politike, edhe sikur të zgjidhet me 2/3 e Kuvendit të Shqipërisë, përsëri është njeri politik dhe nuk duhet të jetë kryetar i KLD. Duam, apo nuk duam ta pranojmë, kreu i shtetit e politizon KLD, e bën atë të varur nga politika. Kreun e KLD duhet ta ketë kryetari i Gjykatës së Lartë. Anëtarët e KLD duhet të jenë juristët më të shquar dhe më të pa kompromis të këtij vendi. Funksioni i anëtarëve të KLD të jetë absolutisht i papajtueshëm me çdo lloj funksioni tjetër, aq më tepër me funksionin e gjyqtarit, të mësimdhënësit, të prokurorit, të avokatit etj.

- Kush mban përgjegjësi për këtë gjendje që është drejtësia sot, kur kriminelë lirohen pa të keq nga burgu, kur politikanë të korruptuar nuk dënohen etj etj? Kush e ka fajin për këtë gjendje? Gjyqtaret e “plepave”, politika që ka ndërhyrë në drejtësi, apo diçka tjetër?

- Fajin kryesor e ka politika, e kanë të inkriminuarit e politikës, të cilët për të fituar statusin e të pandëshkueshmit, me gjithë se janë të krimbur në krime, kanë gjetur mënyra, mjete, rrugë ligjore etj, që ta mbajnë sistemin gjyqësor, gjyqtarët, prokurorët, policinë kriminale, KLSH, SHISH, avokatët e shtetit, larg të qënurit në krye të detyrës, larg të qënurit të pakorruptuar dhe të pakompromis në dhënien e drejtësisë. Fajin e kanë trupa gjyqësore dhe ajo e prokurorëve, të cilat sundohen nga kapja prej krimit, korrupsionit, pandershmërisë, paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë ekstreme. Fajin e ka mungesa thuajse totale e kontrollit të rreptë dhe e ndëshkueshmërisë së organeve të kontrollit ndaj sistemit gjyqësor, i cili ka qënë dhe ka mbetur inekzistent.

- Kush duhet ta bëjë reformën në drejtësi, sipas jush? Parlamenti, pozita, opozita?

- Reformat në drejtësi nuk i bëjnë dot as qeveria, as opozita, as të dyja së bashku. Ato e kanë çuar sistemin gjyqësor në këtë situatë dramatike ku ndodhemi. Të lësh reformën në drejtësi përsëri në duart e kësaj politike aktuale, të këtij Kuvendi nga më skandalozi për aftësi, ndershmëri dhe përgjeshmëri në gjithë historinë e shtetit shqiptar, do të thotë që t’i thuash ujkut, ruami delet! Mazhoranca aktuale e ka kuptuar deri diku këtë gjë dhe përgjithësisht po vendos në krye të bërjes së kësaj reforme specialistët më të mirë të vendit. Nëse këtë dukuri do ta shtrijë dukshëm dhe masivisht në çdo skut të sistemit të drejtësisë ku reforma duhet të bëhet e thellë, kjo reformë do të ketë sukses të padiskutueshëm. Nëse specialistët e mirëfilltë do të përdoren si fasadë, ose si mjet argumentimi të poshtërsive të politikës për ta mbajtur drejtësinë edhe në të ardhmen vegël të tyre, mburojë të krimeve të tyre, në se do të pranonim lodrat e opozitës aktuale me të ashtuquajturën bërje të platformës së mëvetshme deri në shtator, kjo “reformë” do të kthehet në antireformë, në një bllok solid për të mbajtur vendin edhe në të ardhmen peng të krimit, kriminelëve, korrupsionit dhe destabilitetit. Dëmet prej saj do të ishin edhe më të rënda nga sa i kemi sot.

- Në fakt, duket se më shumë se për vendosjen e drejtësisë, politkanët e kanë mendjen te konsensusi për të bërë këtë reforme... E keni edhe ju këtë mendim?

- Konsensusi politik që kërkohet me këmbëngulje për bërjen e reformës sipas vlerësimit tim, do të thotë “ruajtje e statukuosë”! Domethënë: bashkë i kemi bërë krimet, bashkë kemi përfituar prej tyre, bashkë i ndajmë përsëri rolet, ne ju tolerojmë ku doni ju, e ju na toleroni për çfarë duam ne, me qëllim që edhe në të ardhmen të mos i lëmë kusur këtij vendi dhe populli, pa na hyrë gjemb në këmbë!

- Si e shihni prespektivën e reformës? Çfarë do të bëhet?

- Nuk ka filluar keq, por kam frikë se, te ne, fillimi i mirë nuk është gjysma e punës! Kemi në Kuvend një klasë politike të papërgjegjshme, me të kaluar të inkriminuar rëndë, të cilët janë të interesuar veç të sabotojnë dhe pengojnë çdo lloj progresi në vend. Duhet një “Cunam” që të bëhen ndryshimet e duhura. Ky “cunam” do harmonizim të faktorit të brendshëm me atë ndërkombëtar. A jemi të gatshëm për këtë? Duhet edhe pak kohë.

- Një i huaj europian më thoshte para ca kohësh se në vendin e tij, edhe sikur te kesh një gjyq me presidentin e vendit ose djalin e tij dhe të kesh të drejtë , ti e fiton gjyqin. Gjyqi mund të zgjatet, e drejta mund të vonojë, por në fund fiton... Si ka arritur Europa të ketë një drejtësi të tillë, të pavarur? Si e kanë shmangur ndërhyrjen e politikës?

- Faktori njeri është kryesori. Duhen gjetur mekanizmat, qoftë edhe me mjete të dhimbshme, që në krye të organeve të drejtësisë, të KLD, të Prokurorisë, të gjykatave të vinë ata njerëz që i vënë prangat e hekurit në duar si banditit të thjeshtë, ashtu edhe kryebanditëve ish - presidentë, kryeministra, ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë e me radhë. Të guxohet fillimisht me vendosjen e disa cilësorëve në fillim, se pastaj dinë ata vetë kë të marrin pranë dhe cilësinë ta kthejnë në cilësi. Ligjin dhe shtetin e ka tmerr edhe mbreti më i plotfuqishëm i botës!

- Dhe, për ta mbyllur, kur mendoni se do te kemi një drejtësi të vërtetë, si ajo që përmendi miku im i huaj?

- Një drejtësi si ajo që u ka thënë miku, është larg, shumë larg! Por drejtësi që të jetë së paku si nata me ditën me atë që është sot, kjo është tepër e afërt.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.