Muharrem Ahmeti: Dy femrat që më frymëzojnë

Intervista - - MUZIKE -

Muharrem Ahmeti është quajtur nga publiku si “mbreti i tallavasë”. Tallavaja, rryma muzikore që në Shqipëri është gërshetuar me rryma të tjera, ka bërë dhe vazhdon ta bëjë publikun që t’i kërcejë dhe këndojë këto këngë. Muharrem Ahmeti, këngëtari aq i dashur për publikun shqiptar dhe jo vetëm, sapo ka nxjerrë në treg një këngë me ritme verore në bashkëpunim me këngëtaren Amarda Arkaxhiu dhe si të ftuar edhe personazhin e ri në botën e shoubizit, Kallashin. Muharremin e takuam në momentin që sapo kishte përfunduar një gëzim familjar. Si në çdo sezon, edhe këtë verë, ai është prezent në gëzimet e shqiptarëve kudo ku ndodhen, pasi kërkesat janë të panumërta për Muharremin, këngëtari që këndon live me orë të tëra dhe nuk lodhet.

Fabjola Kuburi:- Muharrem, kjo intervistë po ndodh menjëherë pasi … ?

Muharrem Ahmeti:- Realisht, sapo kam mbaruar nje dasmë. Ky është sezon dasmash dhe jam shumë i angazhuar me to.

- Ne sot deshëm të bënim një intervistë për klipin e ri që ke nxjerrë me Amardën, “Loca loca”. Pse zgjodhe Amardën dhe jo një tjetër këngëtare?

- Sepse Amarda është një këngëtare e mrekullueshme, “shërbet” i themi ne, kolegët. Është vërtet nje këngëtare me nje zë të mrekullueshëm dhe ishte e duhura për atë këngë. Veç kësaj, ne jemi miq edhe familjarisht me Amardën, madje kemi vite që punojmë bashkë, kështu janë shumë gjëra që kanë bërë që ky bashkëpunim të realizohet.

- Në fakt, muzika pak a shumë konsiderohet si garë mes këngëtarëve…

- Mund të jetë garë, por mes më të mirëve. Por për mua më shumë se garë, muzika është ajo që më mban gjallë shpirtin…

- Më lër të them që kjo këngë më duket shumë e arrirë në realizim. A ke diçka tjetër në dorë për të sjellë për publikun në këtë nivel?

- Kam shumë projekte në dorë, por siç të thashë jam kaq i angazhuar tani, sa ngelen për pak më vone për t’ i realizuar.

- Duke parë karierën tënde, na krijohet ideja sikur ti “ushqehesh” me muzikë…

- Po, muzika është ushqim për mua. Synimi është të arrij më të mirën dhe e mira nuk ka fund, kështu që jam në kërkim gjatë gjithë kohës.

- Pas debutimit në Top Fest me Anjeza Brankën, të etiketuan si këngëtarin e dashurisë. Sa lidhje keni ti dhe ky përcaktim?

- Kënga vetë është dashuri. Nëse nuk i këndohet dashurisë, kujt mund t’ i këndohet. Ajo këngë me Anjezën ka qenë nje sukses i vërtetë sepse preku shpirtrat e të gjithë atyre që e dëgjuan. Realisht, ky është suksesi i vërtetë.

- Cili është stili yt, në zgjedhjet që bën përsa i përkët muzikës?

- Mundohem të zgjedh më të mirën, më të dashurën dhe atë që publiku e do vërtet.

- Si është jeta e një këngëtari si Muharrem Ahmeti përtej mbrëmjeve muzikore, klipeve?

- Është e bukur. Jam i rrethuar nga njerëz të mirë, kam një bashkëshorte të veçantë, sa e bukur në fizik, aq edhe në shpirt, kam një vajzë që është kthyer në motiv jete për mua.

- Di që ke një marrdhënie te mrekullueshme me bashkëshorten tënde Iridën, a është ajo këshilluesja jote më e mirë si në jetë si në profesion?

- Ajo është këshilluesja ime në gjithçka, jo vetëm në profesion. Ajo është mbretëresha ime.

- Nëse të kërkoj të më thuash një kuriozitet, ajo që do të më thoje do të ishte…

- Kaq kuriozë jeni për jetën time? Muharremi është ky që eshtë, sido të jetë dhe kam qenë gjithnjë i hapur për publikun.

- Ku i mban ëndrrat Muharrem Ahmeti, përveçse në sirtar?

- I kam realizuar dhe po i realizoj një nga një, po më mbetet sirtari bosh.( Qesh)

- Ku e sheh të bukurën Muharremi?

- Kudo ku mund të jetë, e shikoj edhe aty ku nuk ka, sepse kjo është e bukur në vetvete.

- Të kemi intervistuar shpesh po asnjëherë nuk të kemi pyetur, historiku i jetës tënde cili ka qenë, me pak fjalë?

- Historiku i jetës time nuk thuhet as shkruhet me pak fjalë kështu që kur të kemi më shumë kohë do flasim më shumë.( Buzëqesh)

- Në këtë botë që është vazhdimisht në ndryshim, çfarë mbetet e pandryshueshme për ty?

- Dashuria për Allahun, familjen dhe muzikën.

- Nëse ti hyn në një ambient të mbushur me njerëz, çfarë ndodh?

- Ndodh që më njohin të gjithë, më përshëndesin, më urojnë, më bëjnë të ndihem mirë.

- Kam dëgjuar që në mbrëmjet ku je i ftuar je këngëtari më i paguar, nëse nuk do quhej shkelje, sa ka qenë shuma më e madhe që ke fituar në një mbrëmje ku ke kënduar?

- Më duhet t’ju lë pak pa përgjigje, sepse është gjynah të pyetet pagesa.

- Viza më interesantë në pasaportën tënde? - Viza e Australisë. - Si duhet të jetë dikush që të konsiderohet mik i Muharrem Ahmetit?

- Duhet të jetë i mirë në shpirt, të dojë Allahun dhe të jetë besnik.

- Di edhe që je shumë i lidhur me fenë të cilës i përket, fesë myslimane , apo nuk ësh të kështu?

- Është e vërtetë. Unë jam mysliman dhe jam shumë besimtar. Jam shumë i lidhur me Allahun sepse falë tij unë jam këtu ku jam dhe falë tij unë dhe familja ime, miqtë e mij janë mirë.

- Sa të është dashur të sakrifikosh që të jesh këtu ku je, profesionalisht?

- Më është dashur të sakrifikoj shumë por kam kuptuar diçka, nëse e do diçka me shpirt sado e lodhshme të jete dhe me pengesa, arrihet gjithmonë.

- Si e sheh veten profesionalisht, në këtë moment?

- Jam i kënaqur nga gjërat qe kam arritur por siç ju thashë, e mira nuk ka fund kështu që do përpiqem të sjell akoma më shumë pjesë të bukura për publikun.

- Nëse nuk do të ishe duke bërë këtë rrugë, tani do të kishim një Muharrem…?

- Mendoj se do isha bërë hoxhë.

- Çfarë të bën të zgjohesh me dëshirë në mëngjes? - Vajza ime, Elivja. - Zakonisht, realizohet ajo që thua apo përkundrazi, ajo që e mban për vete?

- Nëse ia them vetes që do ta realizoj, nuk diskutohet që do realizohet.

- Ka diçka që e ke mbajtur gjatë për vete dhe do të doje ta ndaje me ne?

- Do ta them në intervistën tjetër. Tani për tani ju uroj gjithçka të mirë ju dhe kujtdo tjetër. Paçit Allahun me vete kudo ku jemi…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.