E vrava për së gjalli të fejuarin tim

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Unë nuk besoj të kem rritur vajza të përdala, - dhe pasi më shtrëngoi edhe një herë, doli në oborr.

Ditët në vijim, ndërsa unë bëja gati rrobat, nëna dhe motrat më të vogla përpiqeshin me të gjitha mënyrat që më ndihmonin e nëna të më këshillonte.

- Ti nuk je mësuar me jetën në qytet, kështu që të duhet të hapësh sytë mirë kur të dalësh. Dhe kur të dalësh, duhet të kesh ndonjë punë të rëndësishme se nuk dilet rrugëve kot. Se mos na vësh ndonjë vulë... - e të tjera si këto.

I dëgjova dhe i regjistrova në mendje gjithë këshillat e prindërve dhe me njëzet e nëntë gusht, me babain, u nisëm për Tiranë. Babai kreu gjithë procedurat e regjistrimit, erdhi me mua deri para konviktit. Më priti sa çova rrobat në dhomë dhe dola e i thirra nga dritarja e dhomës. I tregova se ku do të ishte dritarja ime që, kur të vinte herën tjetër, të dinte ku të më thërriste. Kështu, unë fillova shkollën, sigurisht, me shumë zell dhe kënaqësi jo vetëm se isha e dhënë pas mësimeve, por kur mendoja punën në kooperativë, mendoja se ishte më e lehtë të mësoje dhe punoje si infermiere. Vitet e shkollës sime të mesme kaluan të qeta dhe i zbatova porositë e prindërve të mi. Zura plot shoqe nga veriu e jugu dhe kam patur fat se ishin vajza të mira e kishe ç’të mësoje nga ato.

Kur njeriu e kalon bukur me njerëzit që e rrethojnë, edhe koha ecën më shpejt. Kështu ndodhi edhe me shkollën time. Vitet e shkollës mbaruan shumë shpejt dhe unë u ktheva me diplomën e infermieres me nota nënta e dhjeta plot. Menjëherë fillova punë në qendrën ambulatore të fshatit tim. Tashmë isha rritur e isha në moshë për t’u fejuar e martuar. Nuk kam qenë shumë e bukur, por as e shëmtuar. Kam qenë vajzë e pafjalë dhe shumë punëtore. Pas tetë muajsh pune, prindërit e mi vendosëm të më fejonin me një djalë nga fshati ngjitur.

- Janë shtëpi me taban, janë njerëz të mirë, - më tha babai. – Dhe ne kemi vendosur të të fejojmë. Nuk e di nëse ti je dakord.

- Unë jam dakord me ç’të vendosni ju, - i thashë. Në kohën time nuk bëhej fjalë që unë të kisha mundësinë e zgjedhjes.

Në fakt, prindërit e mi kishin patur të drejtë. I fejuari im ishte shofer dhe ishte djalë shumë i mirë. Të gjithë e lavdëronin. Në muhabet më dukej si mamaja ime, ishte gjithë humor. Edhe ata ishin shumë fëmijë dhe kishin filluar të ndërtonin një shtëpi më të madhe se djemtë, po i fejove, edhe duhet t’i martosh. Ne ndenjëm të fejuar për një vit. Nuk takoheshim shpesh se në fshat ishte turp që të takoje të fejuarin, por gjithsesi, shiheshim e flisnim. Kisha filluar ta doja shumë. Një ditë më tha se do të shkonte në dasmën e djalit të hallës.

- Do kisha qejf të të kisha me vete e të hidhja valle një herë me ty, - më tha ndërsa më ndihmoi të mbyllja derën e ambulancës.

- Do kesh kohë sa të duash të kërcesh me mua, mjafton të kesh dëshirë, - i thashë, ndërsa u skuqa si llampë. Ai qeshi nën zë dhe e la me kaq. U takuam e ai iku për në shtëpi të tij e unë në timen.

Ai kishte shkuar në dasmën e djalit të hallës dhe me sa duket, ka qenë ulur në tavolinë me shoqërinë e dhëndrrit. Të nesërmen pas dasmës shkova në punë si gjithmonë dhe në ambulancë erdhi një kushëri i të fejuarit tim. Ai më pyeti se kur e kishte ditën mjeku që të vinte në fshat sepse i fejuari im ishte sëmurë. - Vjen nesër - i thashë. – Po nuk pret puna deri nesër, - tha ai. - Atij i duhet bërë ndonjë serum apo ilaç se nuk ngrihet dot të vijë deri këtu dhe makina nuk hyn deri në fshatin tonë. Pastaj, ti do vish të bësh detyrën, nuk është se po vjen për xhiro. Po shkoj nga babai yt e po i them të të marr e të të kthej unë.

Pas gjysëm ore, babai im erdhi bashkë me kushëririn e të fejuarit tim.

- Bëji gati ilaçet vajzë dhe hajde shkojmë, - më tha ai, por ishte nxirë në fytyrë.

E bëmë për njëzet minuta atë rrugë që bëhej për dyzet e pesë minuta duke vrapuar. Mezi merrja frymë, por mendjen e kisha të kthjellët. E ruajta kthjelltësinë derisa e pashë të fejuarin tim si ishte katandisur nga pija.

- Është hera e parë që ai pi raki,- tha babai i tij. Ndërsa ai përpiqej të justifikohej para babait tim, mua mu zu fryma. I bëra një qetësues e i vura një serum. Në serum i hodha një ilaç qetësues. Pritëm me babain tim sa mbaroi serumi dhe u ngritëm e ikëm. Kushëriri i të fejuarit tim erdhi e na përcolli dhe e mbajti çantën time të ilaçeve edhe kur ikëm, edhe në kthim.

- Ju po vini për ne e nuk ke taksirat të ngresh gjithë këtë çantë në këtë rrugë të keqe. – Ndërsa ai përpiqej të fliste, babai im i përgjigjej po qetësisht e bëri muhabet, ndërsa unë mora një vendim kobzi. Atë pasdite, kur shkova në shtëpi, u shtriva direkt e qava aq shumë për fatin tim të zi sa kur prindërit u kthyen në darkë në shtëpi, u trembën nga pamja ime.

- Ç’ka ndodhur? - tha babai e ndërkohë priste që t’i thosha se i fejuari im kishte vdekur. Ai e kishte parë se sa sëmurë ishte.

- Kam vendosur që të prish fejesën. Nuk mund të matohem me një burrë pijanec, që e tërheqin zvarrë rrugëve për ta kthyer në shtëpi. Nuk do martohem asnjëherë, - i thashë. - Këtu mbyllet jeta ime.

Atë natë, prindërit e mi ndenjën zgjuar duke folur me mua pothuajse gjithë natën, por unë isha betuar dhe nuk ktheva mendje. Pas disa ditësh, babai im i çoi fjalë babait të fejuarit tim për vendimin tim dhe i kërkoi edhe falje. I fejuari im sapo i kishte treguar i ati se ç’kisha vendosur unë, erdhi menjëherë te puna ime. M’u lut e m’u përgjërua, m’u betua se ajo kishte qenë hera e parë dhe e fundit që pinte alkool, por unë nuk ktheva mendje. Në darkë erdhi në shtëpinë time bashkë me të atin e të njëjtat fjalë m’i tha edhe para prindërve të mi.

- Po si mund ta marrësh ti këtë vendim, kur unë të dua? Si mendon, se do ta lë me kaq? - tha dhe ai e kuptoi që nuk po fliste me mua në ambulancë, por para babait tim e babait të vet. Ju thashë se koha ime ishte kohë dreqi dhe as vajza e as djali nuk mund të shpehnin deklarata dashurie.

- Unë nuk mund të jetoj me një pijanec dhe mos më dil më përpara në rrugë e as mos hajde në ambulancë, - thashë dhe e mbylla gojën e nuk fola më. Qëndrova në dhomë sepse këmbënguli babai i të fejuarit tim, por aty isha thjesht si bust, jo se dëgjoja apo flisja e lëre pastaj të arsyetoja.

Të nesërmen shkova në punë dhe fjala e ndarjes sime mori dhenë. Të gjithë bashkëfshatarët më shihnin shtrembër, por mua aq më bënte. Kështu, fillova t’i kaloja ditët punë-shtëpi pa asnjë lloj gëzimi për asnjërën, as për punën, as për shtëpinë. Pas dy vitesh, më kërkoi dorën për martesë një burrë që i kishte vdekur gruaja e një tjetër që ishte topall, por unë nuk pranova. Zemrës sime i kisha vënë një gur. Edhe i fejuari im nuk u fejua, kalonte nga ambulanca shpesh, por nuk më fliste. Kur ndryshoi sistemi, të gjitha motrat e mia ishin martuar e unë jetoja me prindërit e mi dhe meqenëse isha infermiere, me ndërhyrje fillova punë në spitalin e qytetit. Qysh ditët e para të punës time në qytet, ish-i fejuari im erdhi e më gjeti. U përpoq të fliste me mua, u përpoq të më vinte trurin në punë, por i thashë të zhdukej nga jeta ime. Edhe ai filloi punë në qytet dhe sillej e sillej e kalonte nga puna ime.

- Të paktën të pleqërojmë bashkë, - më tha një ditë, - se ti rininë na e dogje.

Ishte përgjërim, zëri i tij kullonte veç dashuri, por unë e marra nuk pranova. Pas katër vitesh punë në qytet, drejtori me të cilin punonte ai, njihte një kolegen time dhe ai ndërhyri për të na rregulluar. Ish-i fejuari im me të vërtetë që ishte djalë i mirë dhe gati m’u kthye mendja. Ditën që e lashë të pija kafe me të, atij i vdiq i ati dhe i kishte thënë drejtorit të tij të më lajmëronte.

- Atij i ka vdekur i ati, ti e di që ai kishte tetë vite i paralizuar, prandaj të lutem mos e mendo si ogurzezë këtë vdekje para takimit tuaj. Ai është me të vërtetë burrë i mirë, - tha ndër të tjera dhe më dha dorën e iku.

Ai më kishte lexuar mendjen, sepse unë ashtu e mendova atë vdekje, si ogurzezë... Edhe sot jetoj vetëm dhe jam gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçe, ndërsa ish-i fejuari im është shtatëdhjetë e pesë vjeç dhe jeton po i vetëm. Unë e vrava atë për së gjalli... Dua t’i kërkoj falje, por nuk di nëse ai do të ma pranojë ndjesën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.