U dashurova në pleqëri...

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një burrë tashmë rreth të 65-tave. Të gjitha punët i kam në rregull. I kam martuar fëmijët dhe jam bërë gjysh. Jam dhe në punë se ende munda ta zgjas e të mos dal në pension. Edhe me gruan shkoj mirë dhe nuk kam probleme. I vetmi problem, nëse mund ta quaj të tillë, është ai që më ndodhi para tre muajsh. Në një aktivitet u njoha me një femër. Po e quaj kështu se nuk e di t’i them vajzë apo grua, sepse nuk është e martuar. Ajo është rreth të tridhjetave, një femër me plot kuptimin e fjalës. Rastësisht u ula pranë saj, sepse kisha shkuar me vonesë dhe ishin zënë vendet e fillimit, kështu që u ula në fund.

Në fillim nuk e vura re, por kur ajo më tha nëse mund t’ia shikoja vendin se mos e zinin, se i duhej të dilte të fliste në telefon, si një shigjetë Kupidi shënoi ajo femër tek unë. Nuk e besoja se në moshën time mund të më ndodhte kjo gjë. Mezi prita sa të kthehej dhe desha t’i flisja, por goja m’u mbyll si të ma kishin qepur. Më erdhi radha për të folur në podium, por ndryshe nga herët e tjera, kisha shumë emocione, gjë që nuk më kishte ndodhur më parë. Mendova se kjo gjë ishte e natyrshme dhe për momentin nuk gjeta një arsye pse më ndodhi kështu. Nuk prita as reagimin e saj, e cila kur u ula, më tha: - Folët shumë bukur! - Faleminderit! - i thashë. Isha kthyer në një njeri i cili po belbëzonte, sepse fjalët mezi më dilnin. Tani që po tregoj këtë më vjen dhe pak turp, por ja që jeta i ka këto. Atë ditë munda vetëm të mbaja mend emrin e saj që të pyesja më vonë për të. E kisha lënë për më vonë dhe sa zgjati kjo, do thoni ju? Sapo shkova në shtëpi mora organizatorin e aktivitetit dhe e pyeta në një formë të çuditshme për të. I thashë se më duhej një përkthyese dhe meqë vajza që ishte ulur pranë meje më kishte thënë se ishte përkthyese, më duhej numri i saj i telefonit. Ai ma dha numrin dhe instinktivisht i rashë menjëherë. Një herë nuk u përgjigj njeri. I rashë për së dyti dhe më doli një burrë.

- Më falni, i kam rënë gabim...

- S’ka problem! - ma ktheu burri në telefon qetë- sisht.

Të nesërmen më mori ajo në mëngjes.

- Përshëndetje! Më keni telefonuar dje në këtë numër. Më falni që po ju marr me vonesë, por isha e zënë. A mund ta di se si mund t’ju ndihmoj?

- Më falni nëse ju kam shqetësuar. Ne u takuam në aktivitetin e pardjeshëm dhe meqë më lindi nevoja për një përkthyese, mendova se mos jeni e interesuar. - i fola me shumë takt, që të mos dyshonte.

- Faleminderit, po jam e interesuar. Më thoni si është puna dhe pastaj vendosim.

- Dakord, por si dëshironi, me telefon apo të takohemi? Gjithmonë, pa ju prishur punë.

- Jo, nuk më prishni asnjë punë. Besoj se në telefon nuk mund të merremi vesh edhe aq mirë, prandaj për mua nuk ka problem të takohemi.

- Dakord, - i thashë dhe lamë ditën dhe orën e takimit.

Isha shumë i emocionuar dhe këtë e vuri re edhe ime shoqe.

- Ç’ke që je kaq i shqetësuar? Mos ke ndonjë prob- lem?

- Jo, asnjë, zemër. Kam një takim pune tani e po reflektoj se si do të veproj.

- Mirë! - tha ajo qetë. Është një grua e veçantë, që nuk ta prish për asgjë. Nuk të shqetëson me telefonata e pyetje të kota dhe ndoshta nga kjo unë kisha më shumë se duhet emocione.

U takuam dhe menjëherë kuptova se ajo që ndjeja ishte një ndjenjë e papërshkrueshme. Ajo për mua ishte si një rrufe e rënë nga qielli. Biseduam dhe i tregova materialin. Në të vërtetë, unë mund ta përktheja edhe vetë, por e kisha sajuar enkas për këtë takim. U ndamë mirë, u morëm vesh edhe për pagesën dhe u ngritëm nga aty ku kishim qëndruar për gati dy orë. Nuk e kisha kuptuar se si kaloi koha, aq mirë u ndjeva. Ajo do ta përfundonte pas një jave dhe gjatë kësaj kohe, ne kontaktonim për gjëra të cilat i dilnin gjatë përkthimit. Kur ajo i binte numrit tim, gjithë trupi më bëhej me mornica. Mezi po prisja ditën kur ta mbaronte e të takoheshim përsëri.

Dhe ja, dita erdhi. U takuam në të njëjtin lokal. Ajo dukej pak e shqetësuar. Materialin e kishte mbaruar dhe e kishte bërë shumë mirë.

- Të lumtë! Ke punuar mjaft mirë...

- Faleminderit! - tha me gjysmë zëri.

- Më fal, se nuk më takon mua të pyes, por sikur nuk ndjeheni mirë...

- Jo, s’ka gjë. Tashmë ne jemi të njohur. Kemi bërë aq shumë biseda telefonike me njëri-tjetrin sa mund të quhemi miq. Mirë e keni, nuk ndjehem shumë mirë sot...

- Mos keni ndonjë problem shëndetësor?

- Jo, fatmirësisht, jo! Kam vetëm një problem të vogël me të dashurin, por besoj se do të kalojë.

- Kur të doni unë jam gati t’ju dëgjoj e t’ju ndihmoj me aq sa mundem.

Kur thashë këto fjalë, ajo ngriti kokën dhe më pa me një vështrim të dashur e shumë besues.

- Faleminderit! - tha si më e qetësuar.

- Kur të duash mund të më telefonosh dhe takohemi.

Unë mezi prisja të më telefononte dhe kjo telefonatë nuk vonoi. U takuam dhe ajo më tregoi gjithçka. Kishte zbuluar se i dashuri kishte një tjetër dhe do të largohej jashtë vendit e do të mbetej vetëm. Ajo vinte nga një vend i vogël i Shqipërisë dhe të gjitha shpenzimet i mbulonte vetë. Pra, përveç vetmisë, do t’i shtoheshin edhe problemet financiare. Nga njëra anë u mërzita, por nga ana tjetër u gëzova se pashë një dritë shprese për vete dhe për një lidhje mes ne të dyve.

- Për gjithçka do të më kesh mua. Mos u shqetëso, se unë do të jem për ty i gatshëm kur të duash.

- Nuk dua t’ju shqetësoj as ju me këto problemet e mia. Pastaj, duhet t’i zgjidh vetë, apo jo?

- S’ka rëndësi në i zgjidh vetë apo me të tjerë. Miqtë për këtë janë, për ndihmë në ditë të vështirë. – i thashë dhe pashë se këto fjalë bënë efekt menjëherë.

Pak nga pak, që nga ajo ditë, mes nesh u krijua një lidhje e fortë e shumë e sinqertë dhe ç’është më e rëndësishmja, një dashuri e vërtetë.

Një ditë më erdhi të më takonte një djalë i ri. Ishte shumë i shqetësuar dhe më shihte sikur do të më mbyste. (vijon në numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.