Edmond Haxhinasto: Ndonjë ditë do ndërtojmë edhe rrugë!

Intervista - - HUMOR -

Vapë e madhe në Tiranë! E, meqenëse nuk ka asnjë pemë, dola jashtë qytetit të freskohesha në pyjet përreth. Pyje i thënçin! Teksa isha ulur nën një pemë, pashë në kryqëzimin e rrugës një makinë që ikte nga njëra anë në tjetrën. Iu afrova dhe brenda dallova Ministrin e Transportit, zotin Haxhinasto...

Kaso Kosa: - Përshëndetje zoti Haxhinasto!

Edmond Haxhinasto: - O Kaso, më ndihmo se s'po gjej rrugën të kthehem në Tiranë. Mbeta rrugëve.

- Lëre, lëre zoti ministër. Rrugët nuk kanë fare tabela orientuese.

- Lëri llafet Kaso, po hip e me udhëzo se ç'rrugë duhet të marr. Pastaj llafosemi! ( Hipa në makinë duke i treguar drejtimin që na çonte në Tiranë.) Ku e kishim llafin Kaso? Te tabelat, the. Po, tendera për tabela kemi bërë plot ne, por jo për tabela rrugësh. Bëmë tabela ku i thuhej popullit të votonte LSI- në.

- E di mor e di! Ku ishit, zoti Haxhinasto?

- Isha në Poliçan, Kaso. Filloi puna për demontimin e 500 kallashnikovëve. Shkuam nja 500 anëtarë të LSIsë ta festonim këtë event...

- Më falni, zoti ministër, po ç'domethënë "event"?

- Event do të thotë ngjarje e shënuar, Kaso. Unë për anglisht jam diplomuar dhe e kam zakon të fus ndonjë llaf nga kjo gjuhë kur flas. Nejse! Ndalova edhe në Çorovodë për të inspektuar fillimin e projektit në letër të një rruge, që thua ti.

- Urime për projektin në letër, po rrugë të ndërtuar s'po shikoj…

- Me radhë gjërat Kaso, me radhë.

- Po mirë rrugët e reja që s'po bëhen, po të paktën të bëjnë vijëzimet në këto rrugë që kemi...

- Me radhë të thashë, me radhë... Do t'u vijë radha edhe vijëzimeve të rrugëve, por ka prioritete puna. Ministria jonë sapo mbaroi vijëzimet e reja të pishinës së zotit Meta. A duhej lënë pishina pa to Kaso? Zoti Meta tashmë është dobësuar dhe vijëzimet e pishinës ishin qëkur ai ishte i shëndoshë. Më parë, meqë ishte dyqind kile, Meta i futej Monikës te pjesa e saj dhe kjo gjë shkaktonte debate brenda familjes. Tani, jo më!

- Ju lumtë z Haxhinasto! Mirë thoni, me radhë bëhen gjërat. Ore fundja, unë jam i mendimit që të mos ndërtoni fare rrugë kombëtare. Ndonjë ditë të ndërtoni rrugë dhe ndonjë unazë qyteti e kaq...

- Me radhë pra, Kaso... Edhe unaza qyteti do ndërtojmë, por kemi qenë të zënë se mezi ndërtuam unazën e Ilir Metës.

- Unazën e Metës!? S'kam dëgjuar ndonjë rrugë- unazë me emrin e Metës!

- Nuk është rrugë, mor Kaso, jo. Për unazën që i ngushton stomakun Ilirit, thashë. Mezi e ndërtuam. Atë e paguam sa frëngu pulën. Ç'kemi hequr Kaso! Gjithë partia u preokupua që unaza e stomakut të ishte sa më cilësore dhe më në fund, ia dolëm. Falë kësaj unaze, lëvizja e ushqimit bëhet pa problem në stomakun e tij. Tashmë gjithë populli, por sidomos ai i Skraparit, është i lumtur.

- Meqë më kujtuat Skraparin…. Lexova në gazetë që futbollistët e Çorovodës kanë kohë që s'marrin kokërr leku. Hanë bukë e djathë në shtëpi...

- Kujton ti Kaso se nuk e di këtë zoti Meta?! Ai i di të gjitha, por ishte vendimi i tij. Desh na u mbytën 500 çorovodas në Osum, Kaso, vetëm e vetëm se një futbollist ia ngopi topit fort. Topi ra në lumë dhe asnjë çorovodas nuk u hodh ta merrte. Atëherë, zoti Meta, me shpirtin e sakrificës që e karakterizon, hoqi pantallonat dhe, me gjithë xhaketë, u hodh në lumë. Pas tij u hodhën 1 mijë çorovodas. - E kapën topin? - Le topin që s'e kapën, por desh na mbytën zotin Meta, o Kaso miku! Ziheshin kush të merrte meritat se cili do ta shpëtonte. Me të dalë në breg zoti Meta, me shpirtin e ruajtjes së pronës që e karakterizon, telefonoi Mimi Kodhelin, Ministren e Mbrojtjes.

- Po zonjën Kodheli, ç'e deshi?

- Po ja, i tha që një top na ka rënë në Osum. Mimi i tha: "Zoti Meta! Ushtria jonë nuk ka asnjë top. Të gjithë topave që kishim, u "kemi bërë topin". I shkrimë në Metalurgjik".

- Qenka histori interesante. Po më pas?

- Më pas, zoti Meta i shpjegoi se bëhej fjalë për top futbolli dhe e udhëroi zonjën Kodheli që ushtria të dilte në Bogovë dhe të kapte topin. E, mo Kaso! Kur jep urdhër Iliri, s'ka grua nëne t'i thotë jo. Mimi u fut vetë në Osum që mori topin dhe ia solli zotit Meta.

- Prapë, unë s'po bëj dot asnjë lidhje të kësaj ngjarjeje me faktin që futbollistët e Çorovodës nuk kanë marrë kokërr leku!

- E, mo Kaso, si s'kuptove njëherë?! Sa më të dobët të jenë futbollistët e Çorovodës, aq më pak fuqi do kenë për ta gjuajtur topin. Rrjedhimisht, asnjë top nuk do të bjerë në Osum dhe rrjedhimisht, asnjë jetë njeriu nuk rrezikohet në Çorovodë. Mendon për njerëzit zoti Meta, o Kaso!

- Ju kuptova zoti Haxhinasto...

( Pas 20 minutash udhëtim, ishte errur dhe s'po dinim nga të ecnim. Na mori në qafë mungesa e sinjalistikës rrugore. E pranoj publikisht, se zotit Haxhinasto i kisha thënë rrugën e gabuar, por të më kuptoni. Pa qëllim e kisha bërë. Kisha ngatërruar rrugën për në Tiranë edhe unë. Natën e kalova me zotin Haxhinasto, por mos t'ju shkojë mendja për keq. Të nesërmen, pa u gdhirë mirë, forca të shumta të LSI- së u ndodhën pranë nesh dhe na shoqëruan për në Tiranë. Kishin kërkuar gjatë gjithë natës. "I tillë është shpirti i solidaritetit brenda LSI- së", më tha zoti Haxhinasto, kur u ndamë).

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.