Shimpanzetë kanë dhunti gatimi

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Një studim i publikuar nga revista “Royal Society” tregon se shimpanzetë zotërojnë disa aftësi njohëse, thelbësore për të gatuar, një zbulim që tregon se njerëzit e parë mund të kenë filluar të gatuajnë sapo kanë arritur të zotërojnë zjarrin. Atëherë, cilat janë cilësitë që zotërojnë shimpanzetë? Atyre u pëlqejnë më shumë gjërat e gatuara, arrijnë të dallojnë një ushqim nga tjetri dhe kanë durim. Këto rezultate të bëjnë të mendosh se njerëzit e parë kanë ditur të gatuanin qëkur arritën të zotëronin zjarrin. Ky përfundim rrjedh nga fakti i thjesh- të se njeriu zotëron të njëjtën pasuri gjenetike me këtë kafshë, në masën 98.5%.

Për të zhvilluar studimin e tij, profesori Feliks Varneken i Universitetit të Harvardit ka shkuar në Republikën e Kongos. Aty ai ka bërë eksperimente të shumta me shimpanzetë. Rezultati: majmunët preferojnë më shumë ushqimet e gatuara, se të gjalla, por ata kanë treguar edhe durim për t’i gatuar. Megjithatë, është dashur që studiuesit t’u tregojnë atyre si të veprojnë. «Nëse kushëriri ynë më i afërt i zotëron këto aftësi, mund të mendohet se njerëzit e parë, sapo kanë mundur të zotërojnë zjarrin, kanë mundur edhe të gatuajnë», ka thënë Feliks Varneken në gazetën “Guardian”. Zotërimi i zjarrit nga njerëzit e parë daton para dy milionë vjetësh, sipas komunitetit shkencor. Këto përfundime janë kundërshtuar nga profesori Fred Spur. I pyetur nga BBC, specialisti i Evolucionit mbështet tezën se njerëzit kanë mësuar të gatuajnë vetëm para 300 ose 400 mijë vjetësh. “Mbase njerëzit e parë kanë ngrënë kafshë të pjekura nga zjarri i savanës, por ky nuk mund të quhet gatim”, ka thënë ai.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.