Festim Cani: Ëndërroja që në vogëli të bëhesha muzikant

Intervista - - MUZIKE -

Është ende i ri, vetëm 28 vjeç, por ka lindur me talent për muzikën. Punën që bën sot e ka nisur 12 vite më parë, fillimisht si pasion, duke e kthyer më pas në profesion. Festim Cani, një ndër organistët më të mirë dhe më të kërkuar për momentin në kryeqytet, por edhe më gjerë, deri në Kosovë, në një intervistë për gazetën “Intervista” tregon se si ka nisur dhe si vazhdon rrugëtimi i tij në muzikë… Era Çela: - Çfarë duhet të dijë publiku për ty, Festim? Festim Cani: - Unë kam lindur në Tiranë, jam 28 vjeç dhe kam mbaruar shkollën e mesme për muzikë. Kam vite që merrem me muzikë pasi e kam pasur pasion qëkur isha i vogël. E bëj me dashuri punën time, jam i aftë dhe mbi të gjitha, shumë korrekt...

- Si lindi ky pasion i yti për muzikën?

- Në fakt, unë muzikën e kam trashëgimi prej gjyshit, i cili ka qenë muzikant. Si fëmijë, gjithmonë i qëndroja pranë atij për të mësuar sa më shumë. Këtu kuptova që muzika më pëlqente aq shumë sa ëndërroja të bëhesha muzikant dhe iu kushtova me gjithë energjitë e mia për të arritur këtu ku jam sot, që e kam kthyer pasionin në profesion.

- Sa vite ke që i bie pianos?

- Nga koha kur e kam prekur për herë të parë pianon me dorë, për t’iu përkushtuar më pas, u bënë plot 13 vite. Tani që i kujtoj, as mua nuk më besohet që vitet ikin kaq shpejt. Kam 8 vite pa ndërpreje që punoj çdo mbrëmje në lokale ku ka muzikë live dhe 12 vite që kam filluar të punoj në dasma. Kuptohet, dasmat janë me sezone, kështu që njëkohësisht punoj nëpër ditëlindje dhe në gëzime të tjera familjare.

- Sa e vështirë është puna si organist nëpër lokale me muzike live?

- Çdo punë ka vështirësitë e veta, por kur e dashuron punën që bën, vështirësitë mposhten. Kjo puna jonë ka probleme nga më të ndryshmet, që varen nga ambienti. Nëse je në lokal, dikush vjen i pirë, dikush tjetër thotë: “Dua këtë muzikë”, tjetri ka kërkesa të tjera... Përshtatemi me ambientin, kjo është zgjidhja më e mirë.

- Konkretisht, ku po punon?

- Nuk kam një vend fiks. Puna ime varet nga kërkesat që kam, por për të gjithë adhuruesit e muzikës sime, gjendem nëpër lokalet me muzikë live të Tiranës dhe sigurisht, në çdo festë familjare, në dasma, ditëlindje etj.

- Meqë jemi në sezon dasmash... Më thuaj, si është ky sezon këtë vit?

- Si çdo sezon tjetër, edhe ky vit më ka gjetur me shumë punë. Ofertat janë nga më të ndryshmet. Zakonisht kam shkuar në dasma në të gjitha qytetet, por edhe në Kosovë. Megjithëse në përgjithësi dasmat kanë rënë, nuk janë më si dikur, unë edhe këtë vit, po e mbyll me sukses.

- Si i ke marrëdhëniet me kolegët dhe në veçanti, me këngëtarët?

- Nga natyra ime nuk prish qejf me njeri, kështu që me të gjithë kolegët më shkon puna shumë mirë dhe kam marrëdhënie të shkëlqyera. Mundohem të jem korrekt me të gjithë në punë. Gjithashtu, mundohem t’i përshtatem çdo vokali, në mënyrë që dhe ata mos i lodh dhe nga kjo, marrëdhëniet janë shumë të mira me të gjithë këngëtarët.

- Cili është miku apo mikja jote më i mirë?

- (Qesh) Të gjithë i kam për zemër dhe jam i lumtur që punoj me ta.

- Sipas teje, cili është problemi i muzikës së sotme?

- Problemet e muzikës janë të shumta, duke nisur që nga cilësia e muzikantëve, qoftë organist, qofshin këngëtarë... Një tjetër problem që unë do ta quaja kryesor është se keta dixhejtë janë shtuar shumë, na mbytën! (Qesh)

- Sa e do Festimi punën që bën?

- Si çdo person tjetër dhe unë e dua shumë punën time, jam shumë i lumtur që kam zgjedhur këtë profesion dhe i përkushtohem shumë, e bëj me dashuri të madhe. Kjo është zgjedhja më e mirë që kam bërë.

- Jemi në sezon veror. I ke bërë apo i ke në plan pushimet?

- (Qesh) Sa do të dëshiroja dhe unë t’i bëja ca ditë pushim, por ja që këtë verë është e pamundur pasi sezoni i dasmave na kapi pa planifikime pushimesh dhe tani nuk mundemi që të pushojmë, ndonëse vërtet kishim nevojë.

- Në fund të kësaj interviste, çfarë u la pa thënë?

- U mundove të më pyesësh për të gjitha dhe unë t’i thashë të gjitha, megjithatë një gjë dua ta shtoj, që çdo gjë që kam dashur në jetë deri tani e kam realizuar. Nuk ndjehem mirë nëse dështoj, pasi kam karakter shumë të fortë dhe jam shumë këmbëngulës në gjërat që dua të bëj. Tani, në fund, dua t’ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për këtë intervistë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.