NJËRI- TJETRIN

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

PYETJE QË ENDE PRESIN PËRGJIGJE...

- Ju ka ndodhur ndonjëherë që vetëm pasi keni humbur diçka, ia keni ditur vlerën? Si keni vepruar? Arla.

- Jo, s’më ka ndodhur, sepse në momentin që e kam humbur, do të thotë që s’ka qenë për mua, është shumë e thjeshtë. Të vras mendjen për çfarë kam humbur, i bie të mos eci kurrë përpara. Vesa.

- Do ndërhynit nëse shikoni një djalë duke rrahur një vajzë në mes të rrugës? Denisa.

- Sigurisht që do të ndërhyja, edhe pse mund të rrezikoja. Një mashkulli të tillë, do i thoja: më falni nga jeni pjellë ju, nuk besoj se keni dalë nga lulja, por nga barku i një femre, debil. Bora.

- A do të bënit tatuazh emrin e të dashurit/dashures nëse jua kërkon? Po ose jo dhe arsyen... X

- Jo nuk do ta bëja absolutisht, tatuazhet janë të përjetshme dhe vështirë të hiqen. E çfarë e kam unë djalin e botës ta bëj tatuazh, sot e kam nesër s’e kam dhe pastaj t’i shikoj emrin në trupin tim. Pffff, më duket absurde, do më kujtonte ndonjë plagë të hidhur. Më pëlqejnë tatuazhet, por vetëm për familjen ose ndonjë simbol që më përfaqëson. Vesa.

- A i jepni rëndësi opinionit të të tjerëve? A ndikojnë ata në jetën tuaj? Dorina.

- Nuk do të më pëlqente t’i vija rëndësi, por ja që ne shqiptarët ndikohemi shumë lehtë. Doja një herë unë një vajzë dhe vetëm sepse ajo nuk ishte racë e bardhë, e ndava. Dhe jam penduar sa qime kam në kokë, sepse humba një vajzë të mirë, sepse dhe kur doja të kthehesha me të ajo nuk u kthye kurrë sepse e lëndova shumë rëndë. Dhe ishte nje vajzë e mrekullueshme. X Tiranë.

- A nuk mendoni se duhet të bëjmë një peticion për turizmin e jugut, ku janë rritur çmimet në stratosferë? Shkova për 1 javë dhe u ktheva brenda dy ditësh, sepse një kokërr vezë kushtonte 2 mije lekë. Po abuzojnë me ne. Ju, si mendoni? Anjeza.

- Ky jugu ynë është bërë sikur të shkosh në Paris dhe jo një copë deti që kohet e fundit është ndotur nga anijet. Pastaj, pse duhet të mbytemi nga jugu kur ka vende shumë të bukura edhe në veri të Shqipërisë? Nuk ju kuptoj pse duhet të vizitoni vetëm jugun. Leta.

- Topless në plazhet shqiptare, jam çuditur kur i pashë. Jeni pro apo kundër atyre femrave që rrinë pa sutjena në plazh? Nikolini.

- Po shyqyr që dalin dhe na bëjnë të zhytemi më shumë në det se na vënë në pozitë të vështirë jashtë ujit hahaha. Ka mundësi të dalin të gjitha gocat që të mos kemi probleme ne çunat, se kështu s’do na bëjë më përshtypje. Vagabondi.

- Si thoni ju, më mirë në çadrat e azilit në Gjermani, apo në Shqipëri, me këtë kohë që ka ardhur? Mondi.

- Besoj se tani për tani mbase nuk ndihen edhe aq mirë me gjendjen e tyre nëpër azilet, por një gjë është e sigurt për të gjithë ata që moren këtë vendim, që do kenë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre në Gjermani, se në Shqipëri. Me këta politikanë që kemi, duam më shumë se 10 vjet që të stabilizohen njerëzit me punë dhe shkolla. Merita.

- Si i keni marrëdhëniet me adoleshentët? Im bir ma kthen fjalën shumë dhe është vetëm 13 vjeç. A i lejoni që t’jua kthejnë fjalen, t’ju bërtasin? Bardha.

- Deri më sot që akoma nuk ka mbushur të 18-tat djali im, mund të them që kam qënë dhe jam me fat. Besoj se, kur fëmijës i jep të gjitha ato që dëshiron, çdo ditë kërkon më shumë e më shumë. Djalin tim e mësova që të fitojë atë që donte dhe të respektojë edhe dhuratën më të vogël. Vetëm kështu mund të kesh një komunikim të mirë dhe jo ngatërresa. Klara.

- A është e vërtetë që nuk e dimë se çfarë kemi para se ta humbim, por është gjithashtu e vërtetë që nuk dimë se çfarë na mungonte para se ta kishim? Si e shpjegoni ju, këtë gjë? Lozonjarja.

- Sigurisht që është e vërtetë një gjë e tillë, vetëm kur humbasim tjetrin atëherë kuptojmë se ç‘vlerë kishte për ne. Prandaj dhe kur hapim dreqin e gojës, duhet të matemi gjithmonë kur i flasim të dashurit apo të dashurës. Gabimi më i madh është që shumë persona kërkojnë nga i dashuri apo e dashura të ndryshojnë karakter dhe pasi e humbasin tjetrin, ia kuptojnë vlerën. Elsa.

- Si e quani veprimin e një vëllai që të qëllon në shpullë në mes të shoqërisë? Si do të reagonit? X vajzë.

- Një veprim i tillë në ditët e sotshme, unë e quaj skandal. Nuk do pranoja kurrë të ngrinte dorë askush në botë mbi mua. Po të më ndodhte mua një gjë e tillë, sigurisht që do më mbulonte turpi, por ajo që do bëja është thjesht të largohesha nga shoqëria për momentin. Pastaj, turpin do ta merrte im vëlla për gjestin që bëri dhe jo unë. Shpresa.

- Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të vetëvriteni? Çfarë ju ka bërë ta ndaloni këtë veprim dhe pse? Julia.

- Jam në moshën më të mirë të jetës sime dhe s’do pranoja kurrë ta mendoja një gjë të tillë. Nuk është e lehtë të mbijetosh me këtë gjendje jete që ka ardhur, por mbas stuhive gjithmonë ndriçon dielli, prandaj edhe mos humbisni asnjë sekondë të jetës pa e jetuar. Bashkimi.

- Dëgjoj shpesh që më thonë: “Unë po bëj doktoraturën, kam bërë 2 mastera”, por ama dy fjalë nuk dinë me i lidh. Si ia bëjnë? I blejnë me siguri, se s’ka mundësi... Dini ju ndonjë mënyrë tjetër? Neta.

- Po mos flisni kot o njerëz, nuk mund të paguash master po nuk nxore sytë duke studiuar. Masterat bëhen vetëm jashtë atdheut dhe shkollat e larta jashtë, nuk shiten si këtu me para, por me mësim. Nëse nuk dinë të lidhin dy fjalë në jetën e tyre, kjo s’ka të bëjë me sa studim ke bërë, por nga tipi i njeriut. Elle.

- Si ju duket hyrja te Kryeministria? Mos vallë është një mesazh i qartë se ne jemi thjesht dele që shkojmë pas turmës? Bashkimi.

- Kam vite tashmë që nuk besoj në asgjë, të tjera thonë e të tjera bëjnë në këtë vend. Prandaj do ngelim dele dhe kafshë në përgjithësi për këta politikanët tanë. Mund ta kenë sajuar që të duket se disa kanë guximin e kërkojnë të drejtat dhe ne si shtet ua hapëm derën, por sajimet dhe politika e tyre do na bëjnë të mësojmë shumë shpejt se sa e vërtetë ishte kjo hyrje. Berti.

- A nuk mendoni se duhet të ndjekim edhe ne shembullin e Greqisë, të mos i nënshtrohemi asnjë shteti? Ledina.

- Jemi pothuajse në prag apo mbase dhe brenda Luftës së Tretë Botërore. Dikur kam dëgjuar që nuk do përdorin armë, por do kemi luftë ekonomike. Ja tani po e përjeton Greqia, Spanja dhe Portugalia dhe shumë shtete evropiane janë në të njëjtin nivel dhe mos më keq mbase. Plaku im thoshte: mëso nga tjetri duke parë pasojat e tij dhe s’është nevoja t’i pësosh ti. Nuk duhet të ndjekim politikën e të tjerëve. Flora.

FORUMI NJËRI-TJETRIT... - Tronditëse, rrënqethëse, e pabesueshme që politikanët tanë akoma nuk kanë menduar të organizojnë shoqata mbrojtëse për femrat e dhunuara nga bishat e tyre. I quaj bisha sepse dhunon vetëm ai që dashuri nuk ofron. Shpresoj që qeveritarët ose më mirë Evropa do të detyrojë politikanët tanë që të organizojnë sa më shpejt vende mbrojtëse për këto nëna, femra që Zoti i krijoi të vazhdojnë një detyrë, krijimin e njerëzimit. E si mund të lejohet dhuna ndaj femrës? Nuk u falet politikanëve tanë që nuk kanë bërë struktura të tilla, por vetëm hotele e ndërtesa madhështore për interesat e tyre. E kam përjetuar vetë në shpatullat e mia me motrën time një histori të tillë, e nuk di ç’të them. Motër, Zoti të ndihmoftë ty dhe fëmijën tënd.

“Jetën time ia dhurova vëllait të sëmurë”

- Sinqerisht, kam qarë, por do t’ju uroja me gjith shpirte qe Zoti t’jua shperblejë ashtu siç ke menduar ti për vëllain, ai pushoftë ne paqe. Shumë respekt per ju. - Shume histori prekëse. Ishalla Zoti te dhente fatin e mire ashtu siç e ke zemren tere jeten tende. Bravo te qoftë!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.