Ta vazhdoj ushtrimin kur më zë ngërçi?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Ushtrohem vazhdimisht sepse e dua sportin, por edhe formën e bukur trupore, ama kohët e fundit më kap shumë shpejt ngërçi dhe kjo më jep kaq shumë dhimbje saqë më detyron ta lë ushtrimin përgjysëm. Si ta largoj ngërçin në ato momente dhe a është i dëmshëm vazhdimi i ushtrimeve ndërkohë që më kap ngërçi? Sokoli.

Mario, instruktor: - I nderuar Sokol, e kuptoj këtë lloj shqetësimi, sepse ngërçin mund ta ketë provuar çdokush, edhe unë vetë. Ai kap më shumë këmbët, pulpat e kofshët, por ka raste, edhe krahët. Ngërçi vjen përgjithësisht nga mungesa e kripërave minerale, lodhja, pozicione të parehatshme, kur keni qëndruar për një kohë të gjatë në një pozicion gjë që ka penguar rrjedhjen normale të gjakut dhe në raste të tjera, kur femra është shtatzënë. Por, ka raste që ngërçi është edhe i trashëguar. Atëherë, dalim te pyetja juaj; në momentin që ju zë ngërçi, duhet ta ndalni ushtrimin dhe ta lehtësoni dhimbjen duke e çmpirë me ngadalë muskulin e mpirë. Nëse ngërçi është në këmbë, uluni, kapni me duar gishtat e këmbëve, tërhiqini drejt vetes ngadalë dhe shtyjeni thembrën përpara. Nëse ju zë në pulpë, uluni sërish në tokë, duke mbajtur këmbën që ju dhemb të shtrirë dhe tjetrën të përkulur. Kapni sërish gishtat e këmbëve dhe tërhiqini ngadalë drejt vetes, por pa i lëvizur, gjersa dhimbja të largohet. Nëse ngërçi është në kofshë, atëherë kërkoni ndihmën e instruktorit. Mund ta bëni edhe vetë: shtrihuni në dyshek fitnesi, tërhiqni gjurin përpara gjoksit, ose rrini ulur dhe masazhojeni avash kofshën që e ka zënë ngërçi. Brenda pak çasteve ngërçi largohet, edhe pse le mbrapa një dhimbje të lehtë, por që ikën me kalimin e minutave. Më pas, kur ta ndjeni se nuk keni më dhimbje, mund të vazhdoni sërish ushtrimet.

- Megjithatë, që të shmangni ngërçet, duhet që përpara se të filloni ushtrimet të pini një gjysëm gote me lëng frutash dhe gjysëm gote ujë. Kjo do të pengojë në njëfarë mënyre humbjen e kripërave minerale. Mos bëni gjimnastikë menjëherë pas ngrënies. Hani kos dhe kajsi të thata sepse janë të pasura me kalcium dhe magnez të cilët janë minerale të rëndësishme për tkurrjen e muskujve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.