Do të fitoj kundër Skënderbeut

ENDRI ÇEKIÇI DINAMO ZAGREB

Intervista - - FAQE 1 -

Skënderbeu është një hap larg historisë dhe për ironi të fatit do të jetë një shqiptar që do të përpiqet ta ndalojë. Endri Çekiçi është pjesë e Dinamos së Zagrebit, ekipit me të cilin korçarët do të luajnë fatet në këtë play-off. Ai është një talent i pastër dhe po mundohet të lërë gjurmë në ekipin kroat, pavarësisht moshës së tij të re, vetëm 18 vjeç. Mesfushori ka sezonin e tij të dytë me kampionët. Ai është pogradecar i dalë nga akademitë e këtij qyteti dhe e sheh këtë përballje edhe si një derbi të cilin duhet ta fitojë. Të mërkurën ai shpreson të luajë dhe të marrë kënaqësinë që do t’i dhurojë publiku shqiptar. Në këtë bisedë, Endri do të na tregojë më shumë për Dinamon e Zagrebit dhe se si e presin ata këtë sfidë. Pjesë e Dinamos është edhe shqiptari i Maqedonisë, Arijan Ademi…

Eraldo Harlicaj: - Endri a e prisnit një ndeshje me Skënderbeun për Play-off-in e Ligës së Kampionëve?

Endri Çekiçi: - Të them të drejtën, nuk e prisja fare. Kur po shikoja shortin, nuk kisha asnjë parandjenjë, madje mund të them se isha i sigurt se nuk do të binim me Skënderbeun.

- A kishe dëshirë të ndodhte kjo që ndodhi?

- Nuk kisha ndonjë dëshirë të veçantë. Ne jemi profesionistë dhe kundër kujtdo të luajmë, duhet të japim maksimumin; unë nuk e marr si një sfidë personale. Kemi përpara një objektiv dhe duhet të arrijmë synimet tona, si përballë Skënder- beut, ashtu edhe përballë çdo ekipi tjetër që mund të na binte.

- Si e prisni këtë ndeshje?

- Është një ndeshje e vështirë dhe shpresojmë të kualifikohemi. Kemi për të luajtur 180 minuta dhe mund të ndodhë gjithçka. Futbolli, prandaj është i bukur.

- Kjo është një frazë klishe apo e mendoni realisht se Skënderbeu mund t’ju bëjë rezistencë?

- Nuk mund të them se nuk jemi favoritë apo se ne nuk jemi më lart, pasi do të ishte gënjeshtër, por çdo skuadër në këtë tur është mjaft e vështirë për t’u kaluar. Ata, ashtu si edhe ne, kanë ardhur me meritë këtu dhe të dyja ekipet synojmë kalimin e turit. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe me emocione.

- E keni ndjekur ecurinë e Skënderbeut? Si ju duket si ekip?

- Të jesh pesë herë radhazi kampion Shqipërie nuk është pak. Ata kanë bërë një ekip mjaft të mirë dhe shumë konkurrues. Kanë arritur të ndërthurin talentet e reja me lojtarët me më shumë përvojë. Kanë lojtarë mjaft të mirë në përbërje.

- Nëse i ndani shanset me përqindje, si do të ishin ato sipas jush?

- Nuk mund ta them, pasi kjo është e paparashikueshme. Pastaj, ne futbollistët nuk merremi me bastet. (Qesh)

- Si është pritur shorti në klub, te lojtarët e trajneri?

- Shorti është pritur mirë, pasi në letër, ekipi më i kalueshëm ishte Skënderbeu. Drejtuesit dhe sidomos trajneri i kanë kushtuar shumë rëndësi, kanë kërkuar maksimumin nga lojtarët dhe në asnjë mënyrë që ta marrim lehtë apo ta nënvlerësojmë. Jemi 100 % të fokusuar dhe kemi objektiva të qarta.

- Keni emocione që do të ktheheni në Shqipëri?

- Sigurisht, është një emocion i veçantë për çdo shqiptar që të luajë përballë publikut shqiptar. Shpresoj që trajneri të më japë kënaqësinë të prek edhe unë fushën e “Elbasan Arenës”. Besoj se do të pritesha mirë.

- Ju jeni nga Pogradeci. A do ta shihni këtë si një përballje derbi?

- Zakonisht, derbit mes këtyre qyteteve janë të ashpra, ndërsa unë dua një derbi miqësor. Nëse e marrim si derbi do të jetë e para për mua dhe normalisht, do të doja të dilja nga fusha me fitore. Në këtë fazë, çdo ekip kërkon të arrijë objektivat e veta, ne duam të kalojmë më tej.

- Të flasim për karrierën tuaj personale... Si po ecën ajo?

- Unë kam nevojë për minutazh dhe jam duke u stërvitur fort që të bind edhe trajnerin Mamiç. Deri në këto momente kam luajtur vetëm një ndeshje dhe kam nevojë për më shumë minuta.

- Pse kaq pak minuta?

- Është trajneri ai që vendos, nuk di të jap një përgjigje. Ndoshta e sheh se nuk jam akoma në formën time më të mirë.

- Për ndeshjen ndaj Skënderbeut, a keni biseduar për t’ju lënë një vend titullari?

- Mamiçi e di se unë kam shumë dëshirë të luaj në atë ndeshje, por personalisht nuk ia kam shprehur, pasi nuk më duket e drejtë të marr diçka pa meritë.

- Nëse nuk gjeni hapësira, a do të jetë largimi një opsion?

- Nuk besoj. Unë kam vetëm një synim, që të fitoj sa më shumë minuta këtë sezon.

- A mendoni se De Biazi duhet t’ju thirrë në Kombëtaren A?

- Ëndrra e çdo lojtari është të përfaqësojë kombin e tij. Unë nuk e di se çfarë mendon De Biazi apo nëse i duhem apo jo. Po punoj që të bëj më të mirën, në mënyrë që të meritoj grumbullimin. Më pas, është ai që vendos.

- E fundit: Do të fitoni në Elbasan?

- Besoj se do të fitojmë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.