KENI FRIKË NGA SPITALET SHQIPTARE?

Intervista - - FAQE 1 - Nga: Arlis ALIKAJ

Gëzim Dosku

Kushtet në spitale janë shumë të këqija. Papastërti e madhe, doktorët e parregullt, infermieret e pakualifikuara, pa shkollë hera-herës. Gjen nga të gjitha, sidomos këtu në spitalin e Librazhdit.

Muhamet Mënalla

Kam frikë se po nuk pate lekë, s’të prek njeri me dorë, “të vdes” doktori.

Latif Kojku

Spitalet sot janë më poshtë, shumë më poshtë se më përpara. Frika është e madhe për arsye të ilaçeve të skaduara. Nuk financojnë për shtretër, për çarçafë, për batanije. Ushqimi gjithashtu për faqe të zezë, “tkurret” shumë vakti. Me pak fjalë, spitalet nuk u përgjigjen spitaleve as në fshatra…

Xhelali

Po, frikë kam se në punët e shtetit bëhet pallë ariu. Sapo u bë testimi i infermierëve dhe ata dolën shumë keq në pyetësorin e higjienës. Ç’bëhet kështu? Ku po shkojmë?

Artan Tola

Kush ka nevojë të sëmuret, le të vizitojë spitalet shtetërore…

Fitim Allciu

Më mirë është të shkosh në varr sesa në spitalet shqiptare.

Eljona

Eh, po nuk pate lekë t’ua japësh doktorave, kur të du-

ash mund të vdesësh…

Agroni

Në fakt, sa kujton emrin “spital”, përjeton ndjenjën e frikës. Për të qenë korrekt me pyetjen tuaj, kam vënë re në qytetin tim, në Sarandë, se shërbimi spitalor përsa i përket personelit është profesionist dhe mungesa e mjekve të specializuar nuk është e theksuar, sikundër në rrethet e tjera ku situata është alarmante. Këtij shërbimi i vjen në ndihmë edhe kontributi i mjekëve specialistë të dalë në pension dhe që vijojnë të sjellin ndihmën e përvojën e tyre të domosdoshme. Por, frika që të zë në mjediset spitalore, përtej hallit shëndetësor që të ka detyruar paraqitjen aty, është fakti i dhimbshëm i mungesës së ujit, çka sjell edhe situata jo të këndshme në drejtim të higjienës, janë pajisjet nëpër dhomat e pacientëve që të kohës së socializmit, ushqimi për të sëmurët dhe më e keqja, siguria në pavione. Aty hyn kushdo e sillet si të dojë, madje me britma e sherre deri edhe në dhunë e presion ndaj mjekëve, çka dëmton shëndetin e të sëmurëve të tjerë, por ka edhe ordinerë që kanë grabitur sende të të sëmurëve. Përfundimisht, përmend edhe fenomenin që e gjen në shëndetësinë tonë kudo në Shqipëri: mungesa e ilaçeve në pavione dhe rekomandimi në farmaci të caktuara. Mbetet shumë për t’u bërë, por siguria e qetësisë publike brenda spitaleve duhet me urgjencë.

Muhamet Rroca

Po, kam frikë. Duhet të ketë më shumë kontrolle mbi to, që nga puna e pastrueses e deri tek e një drejtori. Kohët e fundit, çfarë nuk kemi parë e kemi dëgjuar në lidhje më to. Unë, sapo kujtoj spitalin, më kujtohet korrupsioni dhe të tremb ideja se mund të të lënë pas dore po nuk pate lek.

Albi Spaholli

Po, frikë kemi. Unë e kam këtë lloj frike për ilaçet që supozohet t’i ketë spitali, sepse në të shumtën e rasteve, nëse shtrohesh në spital, spitali nuk ka ilaçe dhe duhet t’i blesh jashtë. Nëse ka ilaçe, çuditesh, të duket e pabesueshme!

Bujar Çota

Po, kemi frikë nga spita- let shqiptare sepse bëhet fjalë për jetën tona. Duhet të ketë më shumë sensibilizim për respekt e kulturë të shërbimit ndaj pacientit. Të ofrojnë standarde aq sa të munden e t’u bëhen sa më shumë financime nga qeveria se hallall e kanë. Jo tashti, shtetërori nuk ka kushte e hajt marrim borxh e ikim te privatët, me 800 euro nata!

Dritan Biçaku

Po, kemi frikë, sidomos gjatë stinës së dimrit, kur shtrohesh për shembull nga një e ftohur. Nëpër rrethe nuk ka sistem ngrohjeje dhe, ikën për t’u shëruar e ftohesh më shumë në spital.

Mondi

Kemi frikë për arsye se mugojnë shumë aparatura. Herë- herë detyrohesh të bredhësh nga njëri qytet në tjetrin për të bërë analiza për pjesë të veçanta të trupit. Një organi detyrohesh t’i bësh analizë në Përrenjas, për një tjetër duhet të shkosh në Elbasan e për tjetrin ikën fare në Tiranë.

Sajmiri

Po, edhe kemi frikë se në ca qendra shëndetësore, gjendja është skandaloze. Po shemben fare, vetëm shërbime mjekësore që nuk ofrohen.

Albi

Kemi frikë nga dezinfektimi dhe mbetjet spitalore, që të hidhen në vendin e duhur, dyert e gjithçka duhet të bëhen të reja. Të punësohen njerëz kuadro. Shërbimi i ambulancës të jetë më i shpejtë dhe më afër qytetarit, se ke të bësh me jetë njerëzish.

Rei

Unë kam shqetësim për mjekët e dalë në pension, të cilët përdorin metoda primitive të diagnostikimit, për shembull, në rastin konkret të një okulisti, që hedh akoma si shumë vite më para pika në sy që të zmadhohet bebja e syrit e më pas të kryejë vizitën. Ai nuk di të përdorë aparaturën më të fundit e cila sapo ka dalë dhe me sa duket, nuk është as në dijeni që ai ilaç ka rezultuar i dëmshëm e nuk përdoret më. Por, kush e ndalon? Duhen edhe mjekë të rinj që t’i zëvendësojnë, nga ata që bëjnë shkollat jashtë me mastera nëpër Austri, Gjermani etj. Shteti duhet t’u krijojë kushte të punësohen e t’i shërbejnë vendit të tyre!

Luljeta Bylykbashi

Në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme ku kurohet edhe mëlçia, ke frikë të shtrohesh. Kam kunatin tim atje, vuan prej saj. Ka mungesë plazme spitali, ilaçe jo e jo. Nuk ka dushe… çezma uji me tapa… Duhet ndryshuar situata!

Manjola Perleka

Një herë që e dërgova djalin te Pediatria, tek urgjenca, vura duart mbi kokë. “Ku e sollaaa?”, thashë. Gjashtë dhoma janë dhe ishin zhul. Nuk mund ta shtrija djalin mbi ata dyshekë të qelbur. “Shiko, më tha im shoq, si është këtu. Do të sëmuret më keq”. Nuk e di si mund të lihet urgjenca në atë gjendje. Ishte hera e parë dhe e fundit që e dërgova. Mjerë ata fëmijë që futen aty se fëmija ime s’ka për të shkelur më!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.