ANASTASIA: Pse vendosa t’i them “po” Shqipërisë!

Intervista - - FAQE 1 -

Ajo është një prej divave të muzikës botërore, me miliona albume të shitura dhe një prej këngëtareve ikonë të forcës dhe muzikës së mirëfilltë. Gazeta “Intervista” sjell e para një intervistë ekskluzive me këngëtaren që thuhet se ka një zë shërues. Anastasia konsiderohet simbol i forcës dhe sakrificës për të ecur përpara për shkak të luftës së saj me tumorin në gjoks në vitin 2003, sëmundje që e mundi me sukses dhe e ktheu në frymëzim, duke u futur në studio e duke punuar me këngë të reja, mes të cilave “Sick and tired” (E sëmurë dhe e lodhur) e cila ka me miliona shikime në Youtube. Këngëtarja e vogël me trup, por një nga zërat më të fortë në këtë biznes, mund të ketë shitur 16 milion albume gjatë kohës që sëmundja e kërcënonte me jetë. Por, pse ajo vendosi t’i thotë “po” Shqipërisë, sa e si e njihte vendin tonë dhe çfarë mesazhi do të përcjellë për gratë shqiptare, pikërisht pasi vetë ka fituar një betejë

të gjatë kundër kancerit? Zbuloni gjithçka në një intervistë që Anastasia jep për gazetën, vetëm pak përpara koncertit të saj të datës 25 gusht në stadiumin “Qemal Stafa”...

Arlis ALIKAJ - Anastasia, kur ke dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?

Anastasia: - Të them të them të drejtën, nuk e njihja vendin tuaj përpara se organizatorët të më bënin një ftesë për të ardhur aty në koncertin e 25 gushtit. Në turet e mia të mëparshme kisha patur mundësinë të prekja disa vende të Europës ku jam pritur shumë mirë dhe kam shijuar gjithçka, kështu që kur mësova se ishte edhe një vend i vogël në Ballkan që dëshironte të bëhej pjesë e turit tim, vendosa ta shihja me përparësi. Ishte një vend në kufi me Greqinë dhe kam dëgjuar që emri im e ka origjinën pikërisht nga Greqia, kështu që u bëra kurioze.

- Cili qe mendimi i parë që të erdhi në mendje kur të thanë se do të shkoje në Shqipëri për të dhënë një koncert?

- Unë jam shumë e prirur të shkoj me koncertet e mia në vende të reja dhe veçanërisht, në ato vende për të cilat nuk kisha dëgjuar më parë ose që i njihja pak. Mendoj se udhëtimet në destinacione të reja gjeografike, qofshin këto edhe për punë, hapin dimensione të reja për një njeri dhe të krijojnë mundësinë e kontaktit me fansa e adhurues, të cilët ti as nuk e ke ditur që i ke patur ose të cilët nuk kanë patur kurrë mundësinë të të ndjekin nga afër. Për një artist është shumë e rëndësishme të dijë që njerëzit e pëlqejnë dhe e duan, në cilëndo pikë të globit qofshin, kështu që mendimi im i parë ishte “po”, thjesht më duhej të mendoja për detajet.

- Cila është gjëja pozitive dhe negative që keni dëgjuar për Shqipërinë?

- Kam lexuar që është një vend me bukuri natyrore të veçanta dhe i pëlqyer nga turistët. Nuk besoj se do të kem mundësinë të shijoj turizmin tuaj këtë radhë, por të paktën kur të më pyesin, do të them: “Po, unë kam qenë në Shqipëri!”. Gjëja më negative? Nuk e di, kam lexuar shumë pak për të folur për gjëra negative, kështu që prisni edhe ca. (Buzëqesh)

- Si i mbani mend momentet e para të sëmundjes suaj?

- Një ditë, isha duke parë televizor kur ndjeva një masë, një gungë, në pjesën poshtë gjoksit… Në fillim mendova se ishte ushqim. E ndjeja si një top që mund ta lëvizja, por mendova se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Megjithëse nuk kisha dhimbje, gunga poshtë gjoksit, dita-ditës po bëhej më e madhe. Në një bisedë normale i tregova mamasë sime, e cila pa hezituar, më dërgoi menjëherë në spital. Analizat nxorën një numër jashtëzakonisht të lartë të qelizave të bardha të gjakut, që tregonin se trupi im ishte duke luftuar një infeksion.

- Më pas, ju iu nënshtruat një sërë testesh, duke përfshirë skanime MRI dhe kirurgji. Mjekët gjetën një masë të madhe kanceri në gji… Çfarë mësuat nga kjo sëmundje?

- Unë mbaja syze të përshtatura për kirurgjinë lazer, në ndërhyrjet që bëra kur isha sëmurë. Ju kurrë nuk do të donit ta paguanit çmimin që kam paguar derisa i mbijetova kancerit të gjirit agre- siv dhe më pas, një krize në zemër. Nga kjo sëmundje kuptova se cilët ishin miqtë e mi të vërtetë, nga kjo sëmundje luftova për fansat e mi, nga kjo sëmundje pata çrregullime në organizëm dhe ndoqa një dietë të dhimbshme. Nga kjo sëmundje, desh humba edhe vetveten, por që nga fillimi e deri në fund të betejës, çdo sekondë jam lutur.

- Mesazhi juaj për gratë shqiptare...

- Në vitin 2013, turi dhe albumi im që doli, titulloheshin “It’s a man’s vvorld”. Ky titull nuk ishte për të thënë se bota u përket meshkujve, por sepse unë besoj që kjo botë mashkullore ka ardhur koha ta shohë femrën me një sy tjetër dhe që kjo të ndodhë, ne femrat vetë duhet ta meritojmë duke luftuar me armët tona më të mira kundër çdo forme paragjykimi apo diskriminimi që na paracakton shoqëria. Unë kam kaluar një betejë të gjatë në luftë me sëmundjen time, por kurrë nuk e fsheha atë dhe kurrë nuk u tremba prej saj. Nëse do të kthehesha pas, asgjë nuk do të ndryshoja, madje, e kam thënë që kancerin tim të dytë e konsideroj si një bekim. Unë gjithmonë mendoj se njerëzit duhet t’i shohin pengesat si një triumf dhe e kam parë kancerin e dytë si një bekim, sepse këtë radhë më duhej të zgjidhja dhe unë zgjodha fitoren, duke thënë: “E di çfarë? Ti mund t’ia dalësh”. Ky është mesazhi im për të gjitha gratë: “Ato kanë vetëm një zgjedhje; t’ia dalin”. Faleminderit!

Anastasia më 25 gusht koncert në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë

Grave shqiptare u them: Kanë vetëm një

zgjedhje: t’ia dalin!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.