I ndjeshëm? Po, faleminderit!

Intervista - - SPECIALE -

Sa herë ju ka ndodhur që të shihni një film edhe të prekeni me fundin tipik të lumtur? Sado të përmbaheni, ju sërish do të përfundoni në lot. Jo vetëm “kur ata nuk jetuan të lumtur përgjithmonë”, por edhe “kur ata jetuan të lumtur përgjithmonë”. Ju thjesht QANI... KUDO, KURDO, MË KËDO! Kjo, shkon përtej talljes së miqve tuaj aty për aty se jeni thjesht “një qaraman”. Ju thjesht vuani nga sëmundja e “të ndjerit” më shumë se të tjerët. E kemi quajtur sëmundje sepse ashtu si çdo sëmundje tjetër, edhe kjo “dukuri” ka shkaqet dhe pasojat e saj... Cilat janë? Lexoni më poshtë!

Fillimisht, duhet të theksojmë faktin se ju i përjetoni gjithë ndjesitë më shumë sesa njerëzit e tjerë, jo të ndjeshëm. Si përkthehet kjo? Po ja, kur ju ndodh diçka e mirë, ju nuk jeni thjesht i gëzuar, ju jeni në qiellin e shtatë! Dheee, kur ju ndodh diçka e keqe (larg qoftë! ), bini në depresion! Për ju, nuk ka gri, por vetëm të bardhë ose të zezë. Po tjetër? Le të shkojmë te tema juaj e preferuar, të çatuarit!

Jeni duke folur me dikë me mesazhe. Papritur, për një X arsye, ai nuk kthen përgjigje. Për njerëzit normalë (jo se ju nuk jeni normal, ky është thjesht një cilësim ), kjo do të thotë se me siguri ka punë. Por kjo nuk ndodh me ju! Ju filloni t’ia vini fajin vetes dhe mendoni se sa i mërzitshëm që jeni! Nuk e dimë ende se cila forcë ju shtyn të mendoni gjithmonë keq për veten tuaj, por cilado qoftë ajo, bëni mirë ta ndaloni.

Sigurisht, duke qenë një njeri i ndjeshëm, një ndër gjërat që e keni jo vetëm detyrim , por edhe me dëshirë, është se i trajtoni njerëzit tuaj më të afërt (dhe jo vetëm) shumë mirë (ndonjëherë edhe e teproni). Kjo sepse ju më mirë se të gjithë e dini se sa e shëmtuar është ndjesia kur nuk trajtohesh me respekt, apo dashuri. Reciprocitetin, sidomos në këtë rast, jo vetëm që e vlerësoni, por e quani edhe si detyrim. Por, harroni vetëm një detaj të vogël; që në këtë botë ka dhe njerëz që këto gjëra i quajnë pallavra! Ka njerëz që “Mirëmëngjesi”-n tuaj të thënë me një buzëqeshje 32-she, nuk marrin mundimin ta dëgjojnë e jo më t’i përgjigjen. Por edhe në këtë rast, ju do të mendoni se ka diçka që nuk shkon me ju...

Ne nuk ju vëmë edhe aq faj që mendoni në këtë mënyrë (jemi shumë të mirë, e dimë ), por ju këshillojmë që në kësi rastesh, të mendoni edhe se, nëse një person nuk është aq i sjellshëm sa jeni ju me të, ndoshta thjesht po kalon një ditë të keqe.

Diçka tjetër është se shumicën e kohës, ndiheni sikur jeni duke mërzitur dhe zhgënjyer çdo njeri që doni, edhe pse e dini shumë mirë se ju Në fakt, ju jeni ata që kujdeseni për ta...

Për të mos folur pastaj për gabimet! Nëse ju ndodh të bëni qoftë edhe gabimin më të vogël dhe të padëmshëm, ju stresoheni shumë më shumë nga ç’duhet të stresojë thjesht një pendim. Për ta minimizuar, ju sugjerojmë të inspiroheni nga politikanët tanë! Përpos shakave, ne e dimë, duke qenë se jeni të prirur të mendoni më shumë se të tjerët në lidhje me gjërat që ju rrethojnë, bërja e një gabimi është fatal dhe diçka që do t’ju mundojë gjithmonë. Dhe, kur themi gjithmonë, e kemi seriozisht. Ah, sikur të mos mjaftonte kjo!...

Duke qenë se vuani nga “të menduarit e tepërt” (na besoni, kjo mund të quhet një sëmundje), ju ndodh shpesh që krejt papritur t’ju kujtohet një koment i keq apo një ngjarje e turpshme që ju ka ndodhur dekada më parë dheee NDALO TRU! “

Dhe bëheni me turp sërish, duke e kujtuar aty për aty, filloni skuqeni dhe mbyllni sytë, Ripërjetimi i ngjarjeve të sikletshme që ju kanë ndodhur shumë kohë më parë, ngelet i pandryshuar, në mos bëhet edhe më keq.

Gjithashtu, diçka që ju e keni kthyer në zakon është shmangia. Duke e njohur mirë veten tuaj dhe reagimin ndaj situatave të ndryshme, ju filloni të mendoni edhe për reagimet e njerëzve të tjerë të përfshirë. Dheee, duke qenë se ju zor se e mbani veten tuaj, frikësoheni se si do të mund ta përballoni “valën” e ndjesive të personit tjetër, dheeee, ia mbathni! Por, jo vetëm kaq. Le të themi se ju e vuani ca pjesën kur edhe miqtë tuaj më të mirë që ju njohin prej vitesh vazhdojnë të tallen me faktin se jeni kaq i ndjeshëm (e dimë, e përdorin thjesht për të justifikuar ftohtësinë e tyre! ) ... Duke qenë se ju mund të qani për ngrohjen globale, apo për adoptimin e kafshëve të rrugës, kjo automatikisht ju kthen në një njeri “të dobët”. Për këtë arsye, shpesh zgjidhni të mos flisni fare. Pra, kur ju pyesin se pse jeni mërzitur, ASGJË! Fundja, askush nuk do t’ju kuptojë… ( Edhe pse pas një periudhe të mbushur me ngjarje e ndjesi të mbajtura përbrenda, ju jeni gati të shpërtheni në çdo moment!...)

Pastaj, kaloni në anën e kundërt dhe dëshironi të flisni me miqtë tuaj për GJITHÇKA. Dheee, në momentin e parë që filloni të flisni, PUF, ju lind aty për aty mendimi se po tregoheni “shumë i bezdisshëm”, “i ngjitur” apo “i mërzitshëm”... Kjo, nuk përfundon askund përveç të mbyllurit në vetvete, të cilin ju nuk e keni aspak të nevojshëm!

Përsa u përket lidhjeve, qoftë atyre shoqërore, familjare apo me partnerë, ju ndiheni gjithmonë sikur ju jeni ata që “jepni më shumë”, që doni më shumë dhe që bëni më shumë.

Por, pavarësisht gjithë këtyre vuajtjeve të vogla që keni, ju këshillojmë të mos ndryshoni kurrë. Bota ka nevojë për njerëz të ndjeshëm, të dashur e të kujdesshëm si ju!

SI TA KUPTOJMË NËSE JEMI NJERËZ ME NDJESHMËRI TË LARTË? JA DISA SHENJA…

- Jeni më shumë se i sjellshëm, madje edhe me ata që nuk janë të sjellshëm me ju.

- Shpesh ndiheni të vetmuar, pasi ankoheni se njerëzit nuk ju kuptojnë. - Ju nuk mund të thoni “jo”. - Ju duhen shekuj për të marrë një vendim, qoftë edhe një vendim të vogël. - Jeni vëzhguës shumë i mirë i detajeve. - Keni tendenca perfeksionizmi. - Ju keni aftësinë të kuptoni se si ndihet dikush, apo nëse diçka nuk është në rregull me njerëzit që doni.

- Ju nuk keni turp të qani në çdo vend, me këdo të jeni, në çdo kohë!

- Shpesh, njerëzit që ju rrethojnë ju thonë se “i merrni gjërat shumë seriozisht”.

- Ju frikësoheni shumë shpejt, më shpejt se njerëzit normalë.

- E ndjeni dhimbjen fizike më shumë se të tjerët.

- Ju i urreni zhurmat dhe zërat shumë të lartë, gjithashtu edhe ngjyrat fluoreshente.

- Njerëzit super të ndjeshëm, janë gjithashtu edhe superkreativë e të mbushur me ide.

Kaq qe edhe rubrika e kësaj jave. Po ju lëmë me shpresën se ju kemi ndihmuar e argëtuar dhe se jeni kënaqur brenda këtyre faqeve. Mirë u lexofshim në të shtuna të tjera!

FRANÇESKA QEVANI

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.