Kujdes nga çrregullimi bipolar!

Intervista - - SHENDET -

Çrregullimi bipolar, nganjëherë i quajtur edhe depresioni maniak, është një çrregullim psikologjik që shkakton ndryshime ekstreme në humor. Njerëzit që vuajnë prej tij mund të kalojnë javë të tëra duke qenë me humor shumë të mirë dhe më pas të zhyten në depresionin më të thellë. Kohëzgjatja e secilës prej këtyre periudhave ndryshon shumë nga njëri te tjetri. Në SHBA, ky çrregullim prek më shumë se 2% të të rriturve. Herën e parë dëgjuam për këtë sëmundje nga goja e aktorit Majkëll Dagllas, i cili tha se prej saj vuante gruaja e tij e asaj kohe, aktorja Ketrin Zeta Xhouns...

Simptomat e çrregullimi

bipolar

Pa trajtimin e duhur, një person me çrregullim bipolar mund të përjetojë faza të forta depresioni. Simptomat përfshijnë trishtimin, ankthin, humbjen e energjisë, gjendjen e pashpresë dhe vështirësinë në përqendrim. Pacientët mund të humbasin interesin për aktivitete që dikur u pëlqenin. Ata mund të shtojnë ose të bien në peshë, të flenë shumë ose shumë pak dhe të dëshirojnë vetëvrasjen.

Simptomat e fazës maniake (ose euforike)

Gjatë fazës maniake, pacientët kanë tendencë të ndjehen euforikë dhe të besojnë se mund të bëjnë çdo gjë. Kjo shkakton një shtim të vetëvlerësimit, eksitim e pakësim të nevojës për gjumë. Atyre u shtohet dëshira për të folur, hutohen shpejt dhe u kalojnë shumë mendime nëpër kokë. Ata kanë një sjellje të çuditshme; shpenzojnë në mënyrë të pakontrolluar, i japin makinës shpejt, përdorin drogë, bëjnë seks në mënyrë të shfrenuar, etj. Nëse një njeri përjeton tre ose më shumë nga këto simptoma pothuajse çdo ditë gjatë një jave, kjo mund të jetë shenjë e fazës maniake.

Çrregullimi bipolar 1 dhe 2 Njerëzit me çrregullim bipolar 1 kanë një ose më shumë faza euforike në javë, ose faza mikse dhe një ose disa faza depresioni të theksuar. Ata me çrregullim bipolar 2 kanë faza depresioni më të mëdha, faza euforike më të buta (quhen hipomani) dhe që zgjasin më pak. Këtyre pacientëve mund t’u duket jeta si një festë, plot sharm dhe humor. Ata mund të ndjehen mirë, megjithëse familja dhe shoqëria vënë re lëvizjet e tyre të humorit. Megjithatë, hipomania mund të kthehet në mani, ose në depresion.

Fazat mikse

Njerëzit që kalojnë faza mikse, mund të ndjejnë depresion dhe eufori në të njëjtën kohë. Kjo çon në një sjellje të paparashikueshme, si trishtim kur zhvillon një aktivitet të preferuar, ose të ndjerit shumë energjik. Ndodh më shpesh tek ata që vuajnë nga çrregullimi bipolar në moshë të re, veçanërisht, gjatë adoleshencës. Megjithatë, disa mendojnë se afro 70% e pacientëve bipolarë kalojnë faza mikse.

Shkaqet e çrregullimit

bipolar

Doktorët nuk e dinë me saktësi se çfarë e shkakton çrregullimin bipolar. Në një nga teoritë kryesore thuhet se substancat kimike të prodhuara në tru ndryshojnë në mënyrë jonormale. Kur nivelet e disa substancave rriten shumë, pacienti bëhet euforik dhe kur ato bien shumë, mund të shkaktojnë depresionin.

7. Kush rrezikohet nga

ky çrregullim?

Çrregullimi bipolar prek në mënyrë të njëllojtë si burrat, edhe gratë. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për njerëz të moshës 15-30 vjeç. Më të rrezikuar janë ata që kanë një pjesëtar të familjes të prekur prej tij, sidomos nëse është i afërm i shkallës së parë, por doktorët mendojnë se në të nuk luan rol vetëm gjenetika. Një ngjarje stresuese, një abuzim me drogën, ose faktorë të tjerë të panjohur mund të shkaktojnë këto cikle me ulje-ngritje humori.

Si ndikon çrregullimi bipolar në jetën e

përditshme

Çrregullimi bipolar mund të ndikojë në jetën e përditshme, duke penguar arritjen e objektivave në punë dhe shtëpi. Gjatë një ankete, 88% e pacientëve thanë se sëmundja u ishte bërë pengesë në karrierë. Ndryshimet e paparashikuara të humorit mund të ngrenë një mur mes tyre dhe kolegëve të punës, apo të afërmve. Në veçanti, faza euforike mund të trembë familjarët dhe miqtë. Njerëzit me çrregullim bipolar rrezikojnë më shumë të zhvillojnë çrregullime të ankthit.

Çrregullimi bipolar dhe

abuzimi me drogën

Afro 60% e njerëzve që vuajnë prej tij kanë probleme me drogat dhe alkoolin. Pacientët mund të pinë, ose të përdorin drogë për t’u lehtësuar nga simptomat e bezdisshme të ndryshimit të humorit. Kjo ndodh më shumë gjatë fazës euforike.

Çrregullimi bipolar dhe

vetëvrasja

Njerëzit me këtë çrregullim kanë 10-20 herë më shumë gjasa të bëjnë vetëvrasje sesa njerëzit e pasëmurë. Shenjat paralajmëruese përfshijnë të folurit për vetëvrasjen, rregullimin e gjërave personale dhe sjelljen e rrezikshme, ku sfidohet vdekja. Të gjithë këta pacientë duhen trajtuar shumë seriozisht nga mjeku.

Diagnostikimi i

çrregullimit bipolar

Një hap thelbësor në diagnostikimin e çrregullimit bipolar është të përjashtohen të gjitha shkaqet e tjera të mundshme të ndryshimit të humorit. Këto mund të përfshijnë infeksione të trurit, ose çrregullime të tjera neurologjike, abuzim me drogën, probleme me tiroiden, sida, efektet dytësore të disa ilaçeve, ose çrregullime psikiatrike. Nuk ekzistojnë analiza laboratorike për çrregullimin bipolar. Psikiatri zakonisht e bën diagnozën të bazuar në historikun e pacientit, si edhe vlerësimin e humorit dhe të simptomave.

Mjekimi që përdoret

Që njerëzit me çrregullim bipolar të jetojnë një jetë të qëndrueshme dhe produktive, thelbësore janë ilaçet. Stabilizuesit e humorit mund të zbusin ciklet e ulje-ngritjeve të tij. Pacientët gjithashtu mund të marrin ilaçe antipsikotike dhe kundër konvulsioneve. Edhe ndërmjet fazave akute të euforisë dhe depresionit, pacientët i marrin ilaçet për të evituar një rikthim të tyre.

Terapia e të folurit për

çrregullimin bipolar

Terapia e të folurit me një psikolog mund t’i ndihmojë pacientët të vazhdojnë të marrin ilaçet si edhe të përballen me këtë çrregullim në punë dhe në jetën familjare. Terapia përqendrohet në ndryshimin e mendimeve dhe sjelljeve që shoqërojnë ndryshimet e humorit. Ajo, gjithashtu, ndikon në marrëdhëniet e të sëmurit me njerëzit që e rrethojnë.

Disa këshilla për stilin e

jetesës

Vendosja e një rutine strikte mund t’i ndihmojë pacientët të përballen me këtë çrregullim. Rutina duhet të përfshijë gjumin e mjaftueshëm, ngrënien e rregullt dhe fizkulturën. Meqë alkooli dhe drogat mund t’i përkeqësojnë simptomat, ato duhen evituar. Pacientët gjithashtu duhet të mësojnë të identifikojnë shenjat e hershme të euforisë dhe depresionit. Kjo do t’u lejojë atyre të marrin ndihmë para se gjendja të dalë jashtë kontrollit.

Terapia me elektroshok

Kjo terapi mund të ndihmojë disa njerëz me çrregullim bipolar. Ajo është një nga mënyrat më të shpejta për të lehtësuar simptomat e rënda. Zakonisht, kjo është një nga mënyrat e fundit që përdoret, pasi mjekimi dhe psikoterapia nuk kanë dhënë rezultat.

Edukimi i miqve dhe

familjes

Miqtë dhe familjarët mund të mos e kuptojnë në fillim çrregullimin bipolar. Ata mund të zhgënjehen nga faza depresive dhe të frikësohen nga gjendja euforike. Nëse pacientët përpiqen t’ua shpjegojnë sëmundjen dhe si ndikon ajo tek ata, atëherë të afërmit mund ta kuptojnë situatën. Mbështetja e njerëzve të afërm është e rëndësishme që të sëmurët të mos ndjehen të izoluar dhe ta përballojnë më mirë problemin e tyre.

Si duhet kërkuar

ndihmë?

Shumë njerëz me çrregullim bipolar nuk e kuptojnë se kanë probleme, ose evitojnë vajtjen te doktori. Nëse ju keni ndonjë të afërm, ose mik me këtë problem, ja disa mënyra si mund ta shtyni të kërkojnë ndihmë: Thuajini se ka me miliona njerëz që vuajnë nga ky çrregullim dhe se kjo është një sëmundje që mund të trajtohet, jo një defekt karakteri. Ka një shpjegim mjekësor për këto ndryshime ekstreme të humorit dhe për to ekzistojnë trajtime efikase.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.