Mami është fajtore; nuk dua ta fal!

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Kur më ndodhi kjo që do t’ju tregoj, unë nuk isha më shumë se 14 vjeçe, kurse motra ime ishte shtatë. Prindërit na kishin bërë me diferencë të madhe moshe sepse as ata vetë nuk e dinin çfarë bënin. Jam rritur duke ushqyer brenda meje një mllef të madh ndaj të dyve, që ishin aq të papërgjegjshëm dhe që me një guxim prej budallai kishin ngritur një familje dhe pretendonin të na edukonin si duhet neve, dy vajzat e veta.

Unë isha pak më e madhe dhe kisha përjetuar shumë herë kriza mes atyre të dyve, i shihja tek ziheshin dhe secili përpiqej të më bënte për vete duke sharë tjetrin. Me pak fjalë, ma bënin kokën çorbë që të dy dhe askush nuk mendonte për mua. Gjatë të gjithë jetës së tyre ata kanë menduar vetëm për veten. Kushedi se sa herë mami më merrte me inat me vete dhe duke qarë, shkonim te gjyshja, që nuk e kishim shumë larg me shtëpi. Gjatë të gjithë rrugës ajo çfarë s’më thoshte për babin. E shante në njëfarë feje sa më bënte aq keq sa nuk e mblidhja veten për disa ditë me radhë. As gjumë nuk flija. Kurse mami, nga ana e saj, me sa duket, aq e kishte inatin, sa të shfrynte, sepse pasi shkonim te gjyshja dhe më plaste mua atje, vetë vishej e dilte. Megjithëse gjyshja e qortonte gjithë kohës, madje një herë e pashë fshehurazi që i ra me një shpullë e i thoshte: “Po për vajzën a mendon, moj qyqe?! Ku pispillosesh e shkon tani? Kthehu tek yt shoq”, mami vazhdonte me të sajën.

Ato ditë që rrinim te gjyshja, babi nuk dukej fare, kurse mami pispillosej e dilte çdo mbrëmje. Sa herë më shihte mua duke qarë, më thoshte: “Çfarë ke? Do të shkosh tek ai babi yt që ka dashnore? Shko, shko, se të rrit njerka...”. Unë qaja më shumë, por ajo as që donte t’ia dinte.

Babi, nga ana e tij, bënte indiferentin derisa nuk mbante më ujë pilafi. Pastaj vinte të na merrte mamin e mua e na kthente në shtëpi. Për ca kohë ata ia kalonin shumë mirë me njëri- tjetrin, putheshin e përqafoheshin e “shpirt” e “zemër”, derisa të plaste sherri... Pastaj gjithçka niste nga e para...

Pak a shumë, kështu jam rritur unë. Në një nga periudhat e “mjaltit” mes atyre të dyve, mami ngeli shtatzënë. Unë u gëzova sepse tani nuk do të isha më vetëm. Kur erdhi në jetë motra, e pata më të lehtë ta përballoja marrëdhënien e frikshme të prindërve të mi, sepse kisha motrën e harrohesha me të. Pastaj nisa të rritesha dhe nuk ikja më pas mamit, kur ajo shkonte te gjyshja. Isha më e qetë kur rrija me babin. Ai e shante mamin, por nuk ishte aq i egër sa ajo. Mendonte edhe për ne dhe, herë pas here, na nxirrte shëtitje. Nuk e mohoj se babin e kam dashur shumë më tepër se mamin.

Por ngjarja më e rëndë për ne të dyja do të vinte atëhere kur mami na la të dyjave te babi dhe, pasi u zunë të dy keq fare, ajo doli në mes të natës nga shtëpia. Këtë herë as që më kërkoi të shkoja me të, madje nuk mori as motrën, që ishte vetëm katër vjeçe. As na puthi, as na përqafoi, vetëm përplasi derën dhe, pasi tha: “Vdeksh këtu, me vajzat e tua!”, iku. Unë mendova se ishte një ikje si gjithë të tjerat, por fati e deshi që ajo të mos kthehej më. Më saktë, jo fati, por ajo bëri atë që i shkonte më shumë për shtat: Na la!

Ju thashë pak më parë se unë gjithmonë kam dashur më shumë babin dhe se isha lodhur me grindjet e tyre të vazhdueshme, por s’kishte patur gjë më të keqe sesa ikja e saj! Sido që të jetë nëna, fëmija ka nevojë për të dhe unë këtë e ndjeva më shumë se kurrë atë natë dhe në të tjerat që do të pasonin. Ne menduam se kishte shkuar te gjyshja dhe fjetëm atë natë. Megjithëse ndjeja një boshllëk në shpirt, mendoja se e kisha thjesht nga grindja e tyre dhe, pasi qetësova motrën që po qante, fjeta edhe unë...

Të nesërmen, babi i telefonoi gjyshes, por ajo i tha se mami nuk kishte shkuar atë natë në shtëpinë e saj. Ne u alarmuam dhe gjyshja u alarmua po aq sa ne. Motra që e dëgjoi bisedën nisi të bërtiste nga frika se çfarë mund t’i kishte ndodhur mamit. Edhe një herë tjetër m’u desh të tregohesha një prind për të, e binda se mami ishte mirë dhe se e dija unë ku kishte shkuar. Në sytë e babit pashë lot, por ai u mundua ta përmbante veten. Do t’ju duket e çuditshme, por është e vërtetë kjo që po ju them: për shumë vjet, ne nuk e mësuam kurrë ku ndodhej mami. Ajo nuk u interesua kurrë për ne, nuk na e qetësoi kurrë shpirtin që na qante për të, nuk na tha të paktën se ishte gjallë.

Vetëm pas tre vjetësh, ajo na telefonoi dhe na tha se ishte në shtëpinë e dajës (gjyshja kishte vdekur në atë kohë) dhe donte të na shihte. Telefonin e hapa unë dhe e dëgjova zërin e saj ndërsa qante. E kisha ëndërruar shumë momentin kur do të mund ta dëgjoja edhe një herë zërin e saj, nganjëherë kjo më ishte dukur gjëja më e pamundur në botë, por në atë moment, e vetmja ndjenjë që më pushtoi ishte urrejtja. Për fat të mirë, motra nuk ishte aty dhe unë iu përgjigja mamit se do të shkoja ta takoja vetë, në atë moment. Kur shkova në shtëpinë e dajës, ajo u sul të më përqafonte, por unë e shtyva dhe i thashë se kisha shkuar t’i thoja vetëm të na linte të qetë dhe të mos na dilte kurrë më përpara. Ajo u mundua të justifikohej duke më thënë se të gjithë fajin e kishte babi, por unë i plasa në fytyrë se nuk më interesonte i kujt ishte faji; e vetmja gjë që mbaja mend, ishte që ajo na kishte lënë vetëm, me atë baba!

Motrës nuk i tregova asgjë, por mami e kishte gjetur mënyrën për t’u lidhur me të dhe e kishte takuar. Tani, ato të dyja takohen me njëratjetrën dhe motra më lutet që ta fal mamin për atë që ka bërë, por unë e kam ende zemrën të thyer dhe nuk dua ta shoh atë femër me sy kurrë në jetën time.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.