A i plotësoj kushtet për pension të parakohshëm?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një emigrante në Itali, me banim në Firence, e ditëlindjes 14.07.1957. Gjithsej kam 22 vite vjetërsi pune me kontribute në Shqipëri dhe dëshiroj të dal në pension të parakohshëm. A i plotësoj kushtet për pension të parakohshëm në Shqipëri dhe nëse i plotësoj, si mund të aplikoj? Në Itali kam gjithsej 6 vite me kontribute. A mund të përfitoj ndonjë pension? INAS për Shqipërinë

- E nderuar letërshkruese, bazuar në nenin nr. 17 të Ligjit nr. 104/ 2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin 7703 datë 11.05.1993, Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, pensioni i reduktuar përfitohet si më poshtë;

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur:

a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92;

b) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj.”

Nisur nga sa na shkruani, bazuar në nenin 43 të ligjit 104/ 2014, që ndryshon nenin nr. 92 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mosha për daljen në pension për ju është 35 vite e 6 muaj ( shtohen respektivisht nga dy muaj në vitet 2015,2016 dhe 2017)

Përfitimi i pensionit të reduktuar, i cili është i mundshëm 3 vite para se të plotësoni moshën për pension të plotë, kërkon për ju një vjetërsi kontributive prej 35 vite e 6 muaj, ndërkohë që keni një vjetërsi vetëm 22 vite, kështu që aktualisht nuk i plotësoni kushtet për pension të reduktuar.

Është një mundësi, për ta plotësuar vjetërsinë e punës nëpërmjet sigurimit vullnetar, por për vitet e pambuluara me sigurime shoqërore nga ana juaj, mendoj që është e kushtueshme. Për të plotësuar 35 vite e 6 muaj mund të siguroheni vullnetarisht duke paguar një masë mujore 4 752 lekë, ndërsa për periudhën prej 13.5 vitesh, do të duhet të paguani 769 824 lekë.

Por duhet mbajtur parasysh se për çdo muaj që do të dilni në pension më parë se mosha 35 vite e 6 muaj, do t’ju reduktohet pensioni për 0.6 për qind. Në qoftë se kërkoni mendimin tim, nuk jua rekomandoj këtë alternativë.

Sidoqoftë, me periudhën kontributive që keni, plotësoni kushtet për përfitimin e një pensioni proporcionalisht me vitet e punës që dispononi dhe bazën e vlerësuar që do t’ju llogaritet.

Përsa i përket pensionit në Itali, për të përfituar është domosdoshmëri që të keni 20 vite me kontribute. Në rast se jeni regjistruar dhe keni paguar kontribute mbas datës 01.01.1996, mund të përfitoni pension edhe me 5 vite, por mbas moshës 70 vjeç ( për vitin 2015, mosha është 70 vite e 3 muaj).

Në rast se keni qenë banuese 10 vite në vazhdimësi, pa ndërprerje, mbas moshës 65 vjeç ( në vitin 2015 mosha është 65 vite e 3 muaj), mund të aplikoni për Pagesë Sociale ( assegno sociale). Shuma e pagesës sociale këtë vit është 448.52 euro dhe indeksohet çdo vit. Ju falënderoj për besimin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.