Çfarë të përdor për të patur më shumë energji?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam një pyetje në lidhje me sportin. Mua më ndodh shpesh që para se të iki në palestër, nuk kam fare energji dhe përgjithësisht marr pije energjike që të stimuloj energjinë. Si fillim, ato më japin shumë energji, por më bie forca shumë shpejt. Ju, çfarë më këshilloni të përdor për të patur më shumë energji?

Mario, instruktor: - Unë pavarësisht se jam instruktor dhe më ndodh që dhe vetë të pi pije energjike, jam kundra tyre, aq më tepër përpara fillimit të ushtrimeve. Unë nuk ua rekomandoj ato asnjërit prej nxënësve të mi. Pijet energjike bëjnë pikërisht atë çfarë keni shkruar ju vetë në letrën tuaj: Ju japin shumë energji si fillim, por ju bie menjëherë niveli i forcës, ndaj sipas kërkimeve të fundit që janë bërë nga ekspertët e kësaj fushe, rekomandohet më mirë konsumimi i një bananeje ose pirja e një kafeje. Ky përfundim është arritur pasi është bërë një testim në një grup çiklistësh të cilët i kanë ndarë në dy grupe: Një grup që konsumonte pije energjike dhe një tjetër që hanin banane. Këto grupe çdo 15 minuta gjatë garës kishin ndaluar dhe kishin konsumuar një gotë pije sportive të pasur me karbohidrate, ndërsa grupi tjetër kishte konsumuar një gjysëm bananeje.

Rezultati i eksperimentit kishte vërtetuar se banania i kishte furnizuar sportistët me antioksiduesit e nevojshëm, të cilët nuk gjenden në pijen energjike, pra, me proteina, kalium dhe vitamina B6. Edhe ekspertët, me këtë rast, kishin mbetur të mahnitur. Ata po ashtu shtojnë se banania përmban në brendësinë e saj një përzierje sheqeri që është e nevojshme për shtimin e energjisë, prandaj mu për këtë arsye, banania u sugjerohet sportistëve dhe atyre që merren me stërvitje në natyrë. Ndaj edhe unë ju rekomandoj një gjysëm bananeje ose dhe një kafe shqeto pa sheqer.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.