A ndikon diabeti te sytë?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Doktor Dashamiri, doja t’ju pyesja a ndikon diabeti te sytë? Babait tim, që është diabetik prej 20 vjetësh, i kanë thënë që i ka krijuar diabeti perde në sy dhe dëmtime të rënda në retinë. Më thoni, ju lutem, si të veproj më tej sepse kjo gjendje na ka shqetësuar të gjithëve? Fatmiri.

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: - I nderuar letërshkrues, ju falënderoj për adresimin e shqetësimit tuaj te ne. Që në fillim ju bëj të ditur se diabeti dhe dëmtimet e syrit kanë një lidhje aq të ngushtë sa reshjet e dendura me përmbytjet. Diabeti si sëmundje metabolike jep dëmtime të rënda në çdo qelizë të organizmit, por organi që preferon më shumë të godasë e ta shkatërrojë, për fat të keq, është syri. Sytë janë objekt i “presë” së diabetit për shkak të përqendrimit të madh të enëve të gjakut dhe mbaresave nervore që ata kanë. Janë pikërisht këto struktura të organizmit tonë që ndikojnë drejtpërsëdrejti në vlerat e sheqerit në gjak. Proceset dëmtuese ka të ngjarë që të fillojnë përpara dhe gjatë momentit të shfaqjes së diabetit. Rregulli i përkeqësimit të dëmtimeve nga diabeti është se, sa më shumë të kalojë me vlera të panormalizuara të sheqerit, aq më të shumta dhe aq më të rënda do të jenë dëmtimet nga kjo sëmundje. Duke u rikthyer te rasti juaj, jam plotësisht dakord me përshkrimin dhe konkluzionin që kanë nxjerrë në pah kolegët, sepse edhe perdet e syrit (kataraktet) dhe dëmtimet në retinë (retinopatia diabetike) janë sëmundje të shpeshta të syve te diabetikët. Konkre- tisht, diabetikët i vuajnë dëmtimet e retinës diabetike 4-6 herë më tepër se popullata normale, kataraktet ndodhin 2-4 herë më shumë te diabetiket. Edhe shumë sëmundje të tjera të syve, përfshirë këtu infeksionet, inflamacionet, tumoret dhe sëmundje të tjera të syve, janë shumë më të shpeshta te diabetiket.

- Në rastin e babait tuaj, ka vetëm një moment paqartësie nga ana ime në kuptimin që duhet të më shkruanit specifikisht çfarë ekzaminimesh ka bërë dhe si është arritur në këtë diagnozë. Retinopatia ose dëmtimet e retinës te diabetikët kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm jo vetëm në pamjen direkte, por edhe në fotografimin e fundit të syrit nëpërmjet imazhit të disa substancave me kontrast apo ekografi të syrit, topografi etj. Në kushtet kur i sëmuri i paraqet të dyja diagnozat, pra, edhe perdet, edhe dëmtime në retinë, në një vlerësim të drejtpërdrejtë është shpesh e pamundur të konstatojmë ndryshime në retinë sepse perdja të kufizon dhe bllokon pamjen e pasme të syrit.

Gjithsesi, nëse diagnoza është përcaktuar nga një specialist oftalmolog, mbetet që ju t’i besoni vlerësimit të tyre dhe të vazhdoni më tej me këshillimet që ata ju kanë rekomanduar. Fakti që syri është prekur nga dëmtimet e diabetit, më bën të mendoj që edhe diabeti nuk është i normalizuar, ndaj paralelisht me kujdesin për sytë duhet të ushtroni më shumë kujdes në kontrollin e vlerave normale të sheqerit. Mos harroni se diabeti është shkaku numër 1 i verbimit në botë, por duhet të keni parasysh gjithash- tu që edhe nëse ne i përcaktojmë shpejt dëmtimet në sy, edhe kur i kurojmë ato me lazer, injeksione, VEGF etj. sërish nëse nuk normalizohet diabeti, këto përmirësime do të jenë të përkohshme dhe të parëndësishme. Shpresoj të kem qartësuar më shumë gjendjen e rastit tuaj dhe t’ju kem ardhur në ndihmë. Të shkuara!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.