Pse mendoi i fejuari se jam qepur?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje Dr. Evi. Ju lutem, më ndihmoni me mendimin tuaj. Unë jam 45 vjeçe dhe i fejuari im është 51 vjeç. Jemi nga veriu dhe jemi fejuar me mblesëri. I fejuari e ka problem virgjërinë dhe unë më parë nuk kam kryer marrëdhënie seksuale, pasi nuk kam patur të dashur. Herën e parë që donim të kryenim marrëdhënie seksuale në shtëpinë e tij, ai u prish shpejt dhe ne nuk kryem marrëdhënie. Në moment nuk kisha hemorragji, por pas 2 orësh pashë që kisha pak. Pas dy javësh ne tentuam përsëri të kryenim marrëdhënie, madje disa herë, por unë nuk ndjeva penetrim, ndonëse i fejuari ushtroi disa herë forcë të futej brenda. Në moment përsëri nuk kisha hemorragji dhe i fejuari më bëri mua me faj, duke më thënë se nuk u fut dot se unë isha qepur. Pas 3 orësh, pashë përsëri hemorragji te mbathjet. Në pasqyrë pashë që i fejuari kishte çarë diçka nga forca që ushtroi dhe unë kisha hemorragji, por i fejuari nuk e pranoi dhe më tha se e kisha unë fajin që ai prishej pa kryer marrëdhënie dhe se nuk u fut fare tek unë. Vërtet marrëdhënia midis nesh nuk ndodhi, se nuk kishte penetrim, por a u prish virgjëria nga forca që ai ushtroi ai tek unë? Pse mendoi i fejuari që unë jam qepur, kur unë nuk kam kryer kurrë marrëdhënie seksuale më parë?

Dr. Evi Dani, seksolog- androlog: - Të qenurit e virgjër apo jo në momentet e martesës apo të kryerjes së aktit të parë seksual me atë që do të jetë burri i ardhshëm është një koncept që sa vjen e po zbehet. Është kryesisht një rit apo koncept për fenë myslimane apo ata që besojnë te kjo fe, por në kohën e sotme, ku shoqëria është liberalizuar dhe hapur, edhe marrëdhëniet seksuale janë tashmë më liberale, ndaj edhe ky koncept pothuajse po zhduket. Nga një vëzhgim i bërë në klinikën time u konstatua se 70 % e të pyeturve nuk e kishin problem virgjërinë te partnerja që do të kishin në krah, ose do të ishte gruaja e tyre e ardhshme. Në qoftë se një djalë e pëlqen dhe e dashuron një vajzë dhe do të mendojë se kjo do të jetë nëna e fëmijëve të tij, pra, gruaja me të cilën të kalojë një jetë të gjatë, do t’i vlerësojë në radhë të parë virtytet që ajo do të ketë si femër. Besnikëria që ajo do të ketë karshi burrit të saj, dashuria ndërmjet njëri-tjetrit e shumë cilësi të tjera janë tashmë ato çfarë shikon pjesa më e madhe e çiftit dhe prania e himenit (cipës së virgjërisë) nuk do të ndikojë aspak në marrëdhënie.

- Sigurisht, mospasja rëndësi e himenit të defloruar u vu re kryesisht te djemtë që jetonin në qendrat urbane dhe koncepti i tyre për këtë ishte i avancuar. Çfarë rëndësie do të ketë që një vajzë e cila ka gjitha virtytet e saj shumë të mira, për një moment në një moshë të re e ka humbur këtë virgjëri? Çfarë mund të thotë i fejuari juaj nëse i themi se shumë femra bëjnë marrëdhënie seksuale orale dhe anale që të mbajnë himenin e tyre të padefloruar? Do të ishte i kënaqur ai me një rast të tillë!? Do të kisha thënë që ju, me sa po kuptoj, jeni një vajzë që nuk keni bërë vërtet marrëdhënie seksuale, por edhe sikur të jetë dikush tjetër të ketë bërë në një moment të caktuar një marrëdhënie seksuale, çfarë rëndësie do të kishte, në qoftë se ju jeni e përkushtuar dhe e doni burrin tuaj? Sidoqoftë, në shumë raste ka edhe himen (cipë virgjërie), që ka një ndërtim të tillë që nuk nxjerr gjak në momentin kur ndodh marrëdhënia seksuale. Pavarësisht nga këto, nëse e shikoni të udhës, do të dëshiroja të komunikonim bashkë dhe unë do ta informoja të fejuarin tuaj, duke e bindur atë dhe ta qetësoja për mendimet që ka. Jeni të mirëpritur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.