“Edhe më morën zërin, edhe më dhunuan në polici”

Intervista - - FAQE 1 -

Suzana Skeja, nënë e tre fëmijëve dhe e papunë, 5 vjet pas operacionit të tiroides në QSUT, ende kërkon drejtësi duke u endur dyerve të gjykatave pa asnjë rezultat. Më 10 shtator 2015, në ambientet e Kryeministrisë ajo u përball me kundërshtimin e forcave të Gardës që nuk e lejuan të hynte për t’u ankuar për problemin e saj. Pas dhunës verbale dhe fizike, edhe nga forcat policore, Suzana u mbajt 5 orë në ambientet e Komisariatit nr 1 në Tiranë duke u lënë e lirë më pas me ndërhyrjen e avokatit të saj. ja, çfarë na thotë vetë Suzana, në këtë rrëfim për gazetën “Intervista”...

Fabjola Kuburi: - Zana, je vënë në qendër të vëmendjes se mediave dhe rrjeteve sociale, më së shumti dje, për një ngjarje që të ndodhi në ambientet e kryeminstrisë, por historia jote ka nisur prej vitesh...

Suzana Skeja: - Kjo histori nis në nëntor të 2010, kur me rekomandim të mjekëve, u krye operacioni i heqjes së tiroides. Ata më garantuan që është një operacion pa rreziqe dhe që nuk do të kisha probleme më pas. Realisht, pas operacionit, nuk pretendova të më vinte zëri shumë shpejt. Dola nga spitali me epikrizën “pacientja është e shëndetshme dhe mund të dalë nga spitali”. Në vazhdim, shkoja çdo ditë pranë QSUT- së për mjekim, por pas ditës së tretë po më shqetësonte zëri dhe pyeta mjekun. Ai më siguroi që kjo gjendje nuk do të vazhdonte gjatë. Rastësisht, te Spitali nr 2, takova një sanitare e cila më tha se zëri nuk do të më vinte më. Më shumë, kjo më shtyu që t’i hyja kësaj meseleje.

- Si rrodhën ngjarjet më pas?

- Pas tre vjetësh nga operacioni dhe konsultave me mjekë të tjerë, sepse mjeku që më operoi më fshihej, nuk ma thanë troç, por shikimi i tyre keqardhës më bëri të kuptoja që zëri im nuk do vinte më. Ngrita një padi pranë Gjykatës së Rrethit në Tiranë. Gjyqi ka vazhduar 19 seanca dhe më pas më kaluan kompetencat te Gjykata Administrative. Pas tre seancave e çuan në Gjykatën e Lartë, por u vendos që të vazhdohet tek Administrativja. Sorollajtje pas sorollatjesh. Më kërkuan një sërë dokumentesh dhe vizita tek eksperti mjeko-ligjor, te psikologu dhe te vlerësuesi i dëmit. Për vizitat e këtyre duhej një shumë e papërballueshme sepse unë rezultoj e papunë. I kërkova kësaj gjykate kalimin e shpenzimeve të ekspertëve palës së paditur ose subvencionim nga shteti, gjë që e përmban dhe Kodi Civil dhe kjo nuk u pranua nga gjykata. Në seancën e 10 shtatorit 2015, u dha vendimi përfundimtar: “Rrëzimi i padisë, lidhja shkak-pasojë, që zëri nuk ka ikur nga operacioni”.

- Më pas, si ndodhi konflikti me forcat e policisë?

- E revoltuar nga ky vendim i padrejtë, iu drejtova institucionit shtetëror, Kryeministrisë, për t’u takuar me një përfaqësues të shtetit dhe për t’u ankuar për shqetësimin tim. U ngjita konform rregullave me kartë identiteti dhe nuk u lejova të hyja, edhe pse unë insistova, sepse donin që shqetësimin tim ta tregoja në rrugë, pa hyrë brenda fare. Aty u acaruan gjërat më shumë. Në debat e sipër, oficerët e Gardës, përveçse përdorën forcën duke më tërhequr zvarrë për të dalë jashtë, por lajmëruan edhe forcat e policisë së Komisariatit numër 1. Aty më mbajtën rreth 5 orë, por lajmërova avokatin sepse mund të më kishin mbajtur edhe më shumë.

- Përdorën dhunë forcat e policisë?

- Pasi nuk pranova të hyja në makinën e policisë, edhe ata përdorën dhunën, duke më tërhequr për të më futur brenda në makinë. Pas 5 orësh dola me justifikimin që nuk kisha hyrë në një institucion shtetëror sipas rregullave, me përpilimin e një kërkese më parë dhe më pas, konfirmimin e saj.

- Sot, çfarë kërkon?

- Unë kërkoj drejtësi! Mua më kanë marrë zërin dhe më thonë që nuk është e vërtetë. Nuk kam mundësi të punësohem e as të krijoj kushtet e jetesës sepse në fund të fundit, unë jam nënë e tre fëmijëve dhe detyra ime është të jetoj për ta dhe t’u krijoj të paktën kushtet e jetesës.

- Si mendon ta vazhdosh rrugëtimin tënd, ndërkohë që nuk ke zgjidhur asgjë deri tani?

- Do apeloj në Gjykatën e Apelit me fakte dhe prova. Nëse nuk i japin zgjidhje aty, do ta çoj çështjen deri në Strasburg. Uroj që të zgjidhet këtu dhe të mos përdoret dhunë, kur kërkojmë drejtësi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.