INTERVISTA NË GREQI

Andon Caco, njeriu që sfidoi krizën greke

Intervista - - FAQE 1 -

Adrian Rakipi: - Përshëndetje. Me siguri ata që kanë parë dyqanet tuaja nëpër Athinë, por edhe lexuesit e tjerë të gazetës, janë kuriozë të dinë se si një emigrant ka arritur të hapë katër dyqane të tijat në Athinë… Mund të na thuash, së pari, se si e ke nisur?

Andon Caco: - Këtë punë e kam filluar në mars të 2003-shit, duke marrë një dyqan-furrë buke me qira, që, të them të drejtën, në fillim nuk na eci mirë dhe u mërzitëm shumë. Menduam se kishim bërë një hap të gabuar se “grekët janë racistë dhe nuk pranonin bukë nga dora e shqiptarëve”, por nuk thotë kot populli: “I duari, i fituari”. Pas 7-8 muajsh, dalëngadalë, filloi kthesa dhe klientët filluan të shtoheshin. Duke parë suksesin e tij, më vonë hapëm edhe dyqanet e tjera…

- Kishit përvojë në këtë fushë?

- Në Shqipëri kisha mbaruar shkollën pedagogjike në Berat, madje kam punuar dhe një vit si mësues në Vlorë. Në vitet ’90, kur u hapën kufijtë, kam punuar në Igumenicë për rreth një vit e më pas në Artë, në blegtori dhe punëra të ndryshme bujqësie. Pastaj shkova në Athinë, ku kisha edhe vëllain. Atje u punësova në një furrë buke. Të them të drejtën, më pëlqeu si profesion dhe, shpesh, më shkonte ndërmend që të kisha një dyqan të tillë timin. Mbaj mend se në atë kohë isha vetëm 21 vjeç dhe të gjithë shokët e bashkatdhetarët ironizonin me zanatin tim dhe më thoshin ta lija atë e të merresha me diçka tjetër që do të më jepte më shumë para, por unë mendoja ndryshe. Besoja se ai zanat do të më nxirrte në dritë…

Mbas 7-viteve pune në atë furrë, pronari im pati një problem shëndetësor me zemrën që e detyroi të shkëputej nga puna, ndaj më la mua të admnistroja gjithë biznesin. Kështu, fitova një përvojë të madhe në drejtimin e punëve. Një ditë, duke biseduar me gruan, i thamë njëri-tjetrit se kishte ardhur koha që të kishim biznesin tonë dhe hodhëm hapin e madh…

- Dhe tani, me katër furra në Athinë, mund të qu- hesh me plot gojën biznesmen i suksesshëm! Mund të më thuash, cili është sekreti i këtij suksesi, pika jote e fortë që të ka bërë t’ia dalësh mbanë edhe në këtë kohë krize për Greqinë?

- Mendoj se suksesi qëndron te prodhimet shumë cilësore që ne nxjerrim, tek administrimi i mirë, si dhe te reklama e madhe dhe efikase që bëjmë.

- A mund të “ndalesh” pak këtu?

- Po, çdokush e vë re lehtë ndryshimin cilësor të prodhimeve tona krahasuar me të tjerët. Këtu ka të bëjë puna, por lënda e parë që te ne është gjithmonë e cilësisë së lartë. Ndodh kështu se unë gjithmonë mallin e ble me lekë në dorë. Kështu marrr mallra me cilësi të mirë e të lirë, krahasuar me konkurrentët. Për këto arsye, nuk e ndjej edhe krizën. Jo rastësisht tre furrat e fundit i kam hapur tre vitet e fundit, kur kriza greke është në kulmin e saj… Ndërsa për reklamën, ju e keni parë se reklamohem shpesh, si në internet, ashtu edhe në radio... Kohët e fundit jam edhe sponsor në ekipe futbolli këtu në Athinë.

- E dinë shqiptarët se dyqanet “Epiros” janë shqiptare? Vijnë të blejnë te ju?

- Po natyrisht që e dinë. Nëse në dyqanet e mia futen 10 klientë, 8 prej tyre janë shqiptarë.

- Kemi dëgjuar se i ndihmoni shpesh…

- Po, i ndihmoj sa herë kam mundësi ata që kanë nevoja. Jap shpesh bukë falas, sepse e kuptoj në çfarë situate ndodhen. Njerëzit e mirë duhen ndihmuar sepse shikon Zoti lart... Çdo Pashkë, unë nxjerr jashtë në rrugë një tavolinë me prodhimet e mia dhe verë, meze etj. që gjithsecili mund të marrë apo të pijë një gotë aty. Ndjehem mirë kur e bëj këtë. “Harxhoj para?”, do pyesni ju. Natyrisht që harxhoj, por nuk prishet ekonomia me një ditë që unë mendoj për njerëzinë. Kjo më bën të lumtur! Kjo është edhe një arsye pse njerëzit më duan dhe blejnë te dyqanet e mia.

- Meqë keni shumë klientë shqiptarë, keni futur prodhime nga tradita jonë?

- Po. Fillimisht, para tre viteve kërkova një specialist që të ishte marrë në Shqipëri me prodhime ëmbëlsirash dhe brumërash. Gjeta një djalë nga Saranda i cili ishte shumë i mirë. Ai tani më përgatit të gjitha prodhimet shqiptare për të katër dyqanet që kam. Prodhojmë torona, kulaçe, kurabie, pufka, zupa etj. Përveç këtyre, shesim edhe kafe shqiptare, raki, ujë Gline etj. Shpesh bashkëpunoj edhe me ambasadën shqiptare dhe biznese shqiptare në Athinë, duke i furnizuar me prodhime të ndryshme shqiptare.

- Për vitet në vijim, çfarë parashikon?

- Për vitet në vijim nuk parashikoj ta zgjeroj më shumë aktivitetin sepse investimi i fundit në Petralona ishte shumë i madh, pasi bleva edhe ndërtesën dhe gjithçka në të është bashkëkohore e me standarde shumë të larta... Më vonë, të shohim...

- Biznesin tuaj mund ta quajmë edhe familjar, apo jo, sepse edhe gruaja juaj është e përfshirë në të...

- Që me hapjen e dyqanit të parë, ime shoqe u përfshi në të. Edhe brumin, por edhe prodhimin e bukës e bënim bashkë. Unë dilja jashtë që furnizoja dyqanet e tjera, kurse ajo merrej me prodhimin. Sot, me plot gojën, them se ajo është bërë profesioniste e vërtetë në prodhimin e bukës dhe të ëmbëlsirave, duke dhënë edhe ide të reja shumë të mira. Pjesëmarrjen e gruas unë e quaj pjesë të fuqishme të suksesit tim, por dua të përmend këtu që nuk është vetëm gruaja. Shpeshherë angazhoj në punë edhe vajzën time e cila është vetëm 12-vjeçe, por vjen në dyqan e na ndihmon... Mendoj se i fus edukatën e punës kështu... Akoma nuk kam nisur me djalin, se është 8-vjeç, sepse edhe atë do të dëshiroja ta angazhoja...

- Kam vënë re se je gjithë ditën në punë...

- ( Buzëqesh) Po, ne punojmë gjithë ditën. Në 24 orë pushojmë vetëm 3-4 orë.

- Është e vërtetë se keni punësuar vetëm shqiptarë?

- Unë nuk e shikoj kombësinë e punëtorëve, shoh punën e tyre, por të 30 punëtorët që kam dhe që i kam të gjithë të siguruar, janë shqiptarë! Mund t’ju duket çudi, por sa herë bëj lajmërime për punë nëpërmjet gazetës, të gjithë ata që marrin në telefon janë shqiptarë. Siç duket, na tërheq gjaku...

- Në emër të “Intervistës” ju falënderojmëpër intervistën dhe ju urojmë punë të mbarë e suksese më të mëdha!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.