Fjeta me të vetëm një natë, por më ka ngelur peng

Intervista - - FAQE 1 -

Kisha filluar punë si kameriere në një hotel në Dubai nëpërmjet një agjencie punësimi. Ishte hera e parë që udhëtoja jashtë vendit, puna ishte shumë e lodhshme dhe mënyra se si të trajtonin nuk ishte shumë e mirë. Punoja 10 deri në 12 orë në ditë dhe gjithë kohës isha e zënë sepse kishte jashtëzakonisht shumë punë. Mund të gjeja shumë punë të tjera, por nuk e lija dot këtë që kisha, për shkak të kontratës. Puna si kameriere nuk më pëlqente aspak, por fitoja mirë dhe ishte e vetmja gjë që po më mbante në Dubai për momentin. Përveç këtyre, merrja edhe ilaçe sepse vuaj nga çrregullime bipolare. Vetëm ai që vuan nga kjo sëmundje ose nga depresioni më kupton se sa shumë vuaja.

Ishte e premte dhe unë isha pushim. Zakonisht, vetëm dilja dhe bëja pazar për gjërat që më duheshin, por atë të premte, një shoqja ime më ftoi në një klub shumë luksoz ku e vetmja mënyrë që mund të futeshe ishte me prenotime, por kur ishin dy femra, edhe mund të futeshe. Vesha fustanin me të bukur që kisha dhe shkuam. Fatmirësisht, na lanë të hynim dhe unë isha shumë e emo- cionuar. Vendi ishte shumë luks dhe të gjithë ishin veshur shumë bukur; ishte një mrekulli. U ulëm në një qoshe me shoqen time pasi nuk kishim prenotuar dhe mezi e gjetëm atë vend. Filluam të qeshnim kur pamë menunë sepse çmimet ishin jashtëzakonisht të larta dhe ne porositëm, unë një koktejl analkolik pasi nuk pi alkool dhe shoqja ime, një gotë verë me çmimet më të ulëta të mundshme. Afër nesh kishim një tavolinë me disa djem që ishin veshur shumë bukur dhe ndërkohë që po bënim foto me shoqen time njëri nga ata nxjerr dy gishtat.

- Ata janë shumë të bukur - i thashë shoqes sime dhe bëmë sikur nuk na interesonin.

Më pas erdhi kamerierja me dy xhin tonik dhe tha që i kishim nga ajo tavolina që kishim afër. Ne i falënderuam duke ngritur gotën. Më pas, ata u larguan dhe unë i thashë shoqes sime:

– Shiko, nuk është se iu pëlqyem ne, thjesht na panë si më gjynahqaret këtu dhe na dhanë gotat -dhe filluam të qeshnim.

Pas disa minutash, erdhi djali bjond që ishte më përpara dhe na tha:

– Ne jemi ulur poshtë. Dëshironi të vini te tavolina jonë?

Ne shkuam poshtë dhe aty u takuam me djemtë e tjerë. Aty ishte dhe ai për të cilin, që në momentin e parë që e pashë, mendova: “Unë do të bie në dashuri me këtë”. Djemtë ishin nga Suedia dhe kishin ardhur me pushime në Dubai. Më pas, djali biond u largua dhe unë fillova të flisja me djalin që pëlqeja. Ishte brun, i veshur shumë bukur. Më pas, djali bjond erdhi me dy vajza të tjera shumë të bukura dhe djali që unë pëlqeja, iu afrua pak atyre. “E humba”, mendova. Më vonë ai m’u afrua edhe mua, më preku te faqet dhe më pyeti se pse isha aq e ngrohtë. E kuptova që edhe ai më pëlqente pak dhe isha duke përjetuar momente shumë të bukura. Shoqja ime u largua dhe më pyeti nëse do të shkoja me të. Unë i thoja: “Të lutem, rri edhe pak se mua po më pëlqen shumë ky djali”, por ajo u largua dhe unë qëndrova vetëm. Në fund ata paguan dhe po largoheshin. Unë qëndrova aty. Ai erdhi dhe më pyeti: “A mund të të puth?”. Unë i drejtova faqen dhe ai më tha me një zë të ulët, të ëmbël: “Buzën” dhe më puthi në buzë. Ishte puthja më e ëmbël që kisha marrë ndonjëherë. As që e kisha imagjinuar ndonjëherë që të më pëlqente kaq shumë dikush në aspektin fizik sepse në aspekte të tjera nuk e njihja. Unë djemve gjithmonë u gjeja difekte, por me atë isha shumë e tërhequr, më pëlqente shumë. Ai më puthi dhe u largua. Aty unë shtanga dhe mendova: “O Zot, po sikur të mos kthehet më?!”. Prita disa minuta dhe ai u kthye e më tha:

- Të lutem, eja me mua sonte. Jam shumë i dehur dhe dua që dikush të kujdeset për mua.

Unë i thashë: - Jo, më vjen keq, nuk vij dot.

Nuk e kisha bërë kurrë një gjë të tillë, të shkoja me një djalë që sapo e kisha njohur ne klub, por kur e pashë që po largohej, i kapa dorën dhe u largova me të.

- Jam shumë i pirë, - më tha, por mua më dukej normal.

Morëm taksi dhe po shkonim te hoteli ku ai rrinte. Ai u ndal dy herë për të vjellë. Doja të shkoja t’i rrija afër, por nuk e bëra, duke menduar që ishte shumë herët për të bërë një veprim të tillë. Gjatë gjithë rrugës më pyeste se si ndjehesha, ndërkohë që ishte ai që ndjehej keq. Shkuam te hoteli ku rrinte... Ç’të shikoje! Një hotel me 5 yje, super luksoz. Njehesha shumë në siklet sepse nuk më kishte ndodhur ndonjëherë të shkoja të flija me dikë që sapo e kisha njohur, por ai më pëlqente dhe çdo gjë e tij më bëri të ndjehesha shumë mirë. Nuk më zinte gjumi, ndërkohë që mbaja të shtrënguar dorën e tij dhe nuk fjeta fare, tërë natën. Në mëngjes ai u zgjua dhe unë e pyeta se si ndjehej. Më tha që nuk ndjehej mirë dhe se kishte pirë shumë. Aty më tha që ishte 37 vjeç dhe që kishte një kompani ndertimi. Pastaj erdhën shokët e tij në dhomë dhe unë e pyeta se deri kur do të rrinte. Ai më tha: “Do të largohem “next Monday” (të hënën tjetër) dhe unë e mendova që ai do të largohej të hënën tjetër dhe jo të hënën që vinte. “Do rrike goxha!”, i thashë. U mundova t’i afrohesha dy herë, por po më rrinte larg. U ndjeva shumë keq, bëra dush dhe u largova. Kur po largohesha, më pyeti nëse kisha kaluar një natë të bukur. Unë i thashë që po dhe u largova me një ndjenjë trishtimi. Ishte djali i ëndrrave të mia deri në ato momente. Nuk gjeja asgjë që nuk shkonte tek ai. Më vonë u kujtova që të paktën t’i kisha dhënë numrin e telefonit tim sepse nuk i thashë as se te cili hotel punoja, por mendova: “Do t’i telefonoj te hoteli dhe do ta përshëndes një ditë tjetër”. Ditën e hënë mora në telefon hotelin dhe ata më thanë që ai ishte larguar. Domethënë, unë isha ngatërruar; ai do të ikte këtë të hënë dhe jo të hënën tjetër. Fillova të qaja. E kisha humbur përgjithmonë dhe nuk i thashë se sa shumë më kishte pëlqyer dhe sa mirë isha ndjerë. Më ka ngelur peng dhe sot, pas një viti e gjysëm, unë përsëri e mendoj. Kam kontrolluar gjithandej në internet dhe rrjete sociale që ta gjej, por nuk e kam gjetur dot. Më ka mbetur vetëm një foto jo shumë e qartë e tij. Më thonë “it was meant to be like this” (ishte e shkruar të ndodhte kështu), por unë nuk e harroj dot. Lutem që të mund ta takoj ndonjëherë në jetë dhe t’i them se sa shumë e kam menduar. Ju lutem, më sugjeroni se si mund ta gjej. I vetmi informacion që kam është se ai quhet Robert, është 38 vjeç, brun dhe ka një kompani ndërtimi në Suedi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.