Më pëlqen shumë dashnorja e burrit

Intervista - - FAQE 1 - (Vijon numrin e ardhshëm)

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një grua në mesomoshë. Ndoshta disa do të më paragjykojnë që e quaj veten kështu, por unë jam me teorinë se çdo njeri ka mendimin e vet. Tani jam 50 vjeçe, jam e martuar e kam katër fëmijë, dy djem e dy vajza. Unë si moshë jam dy vjet më e madhe se burri im, pra, ai është 48 vjeç tani.

Kur ishim të rinj, unë 25 e ai 23, u njohëm në punë. U dashuruam, edhe pse unë isha më e madhe. Në atë kohë më mbanin si femër shumë e bukur dhe mbi të gjitha, rridhja nga një familje e pasur. Arsyet e vërteta se pse burri im u martua me mua, as nuk i di dhe as nuk jam kurioze t’i di, por në atë kohë, ne ishim çifti më i bukur i qytetit. Nuk dukej se isha më e madhe pasi unë jam trupvogël dhe ai ka një fizik prej atleti. Është i gjatë, edhe sot që ka mbushur të 48-tat. Mes nesh gjithmonë ka patur mirëkuptim dhe nga ana ime, një dashuri të pafundme, që besoj se do të vazhdojë deri në përjetësi. Nga kjo dashuri e madhe lindën rresht njëri pas tjetrit katër fëmijët tanë. Kjo ishte gjëja më e bukur në botë dhe njëkohësisht, ajo që do të bënte që mes nesh ndryshimi i moshës të dukej e madje kohë pas kohe, të binte shumë në sy.

Meqenëse e dashuroja shumë dhe sigurisht, fëmijët që kisha me të ishin pasuria më e madhe për mua, ua kushtova jetën fëmijëve. E di se të gjitha nënat kështu bëjnë, por unë po e them në kuptimin se e harrova veten fare. Harrova se duhej t’i kushtoja rëndësi bukurisë së jashtme. Nga ana ekonomike ishim shumë mirë. Prindërit e mi na mbajtën afër gjithmonë e na ndihmonin me çdo gjë, kështu që për ne, rritja e fëmijëve në bollëk ishte e lehtë. Mirëpo nga ky bollëk “e pësova dhe unë”, që do të thotë, edhe pse lodhesha shumë, kisha shumë oreks dhe u shëndosha shumë kilogramë mbi peshën normale, ndërsa burri im nuk kishte ndryshuar aspak. Madje, koha kalonte e ai zbukurohej. Fëmijët u rritën dhe morën drejtime të ndryshme. I madhi është 24 vjeç dhe jeton në Francë, ku ka mbaruar shkollën e punon në një institucion. I dyti është 22 vjeç, jeton në Itali e është rregulluar për bukuri. Njërën nga vajzat e kam të martuar e tani ka një djalë të vogël, kurse e vogla, vazhdon universitetin.

Pra, gjithë halli im është në një drejtim tjetër. Nëse shumica e grave shqiptare nuk dinë me se t’i rrisin fëmijët, unë mendoj se si të ndryshoj diferencën mes meje e bashkëshortit. Tamam, historia ime fillon kur i gjeta një mesazh në telefon. Ishte një pasdite e qetë e po rrinim të dy bashkë. Ai u ngrit për të bërë një dush dhe harroi telefonin në tavolinë. I erdhi një mesazh. E hapa pa të keq që ta lexoja.

“Po të pres te vendi. Eja shpejt se nuk kam shumë kohë”. Nuk kishte shkruar as emrin dhe mesazhi ishte me një numër me kontratë, por nuk ishte ruajtur në telefon me ndonjë emër. Nuk e dija në ishte femër apo ndoshta ndonjë shok, kështu që nuk u nxitova. Në fakt, thuhet për ne të shëndoshat se i marrim punët me terezi, ama për këtë, unë doja të sigurohesha. E mora numrin shënim dhe mendova se po veproja gabim, por ky mendim u këput në mes nga prania e burrit.

- Uh, si e harroj dhe unë vend e pa vend këtë telefon! Më mori njeri?

- Nuk e di! Sa u ula edhe unë se isha në dhomën e gjumit - e gënjeva për herë të parë në jetën time.

E hapi telefonin dhe sa pa mesazhin, tha se i duhej të dilte se po e kërkonte një shok.

- Po ne sikur do të kalonim pasditen bashkë. - i thashë.

- Eh, ku të lënë shokët! Po ja, se nuk vonohem zemër. – Ai më fliste gjithmonë me fjalë të ëmbla e më trajtonte si një princeshë. Asnjëherë në jetën e tij nuk më kishte përmendur kilet e tepërta dhe nuk më kishte ofenduar. Edhe kur njerëzit flisnin për mbipeshën, ai gjithmonë mbante anën e të shëndoshëve.

- Jo po të jesh kockë e lëkurë si skelet - thoshte gjithmonë - Ja, zemra ime si është si shpirt, ke qejf të rrish me të. E qetë, pa stres. Ata që mbajnë dietë janë gjithmonë të stresuar, ndërsa zemra ime është gjithmonë në humor.

Me këto gjëra më bënte të harroja se si isha. Më bënte të harroja se ndoshta ai më tradhtonte dhe madje nuk më shkonte në mendje se do të kishte sy për ndonjë tjetër.

E kisha numrin, po nuk mund t’i telefonoja. Më dukej se po të ishte me të vërtetë ndonjë shok, do të isha unë ajo që po bëja gabim e nuk po e besoja. Nejse, kurioziteti ishte më i fortë se unë. Nuk e mora atë ditë, por nja dy ditë më pas dhe ashtu siç mund ta kuptoni, në telefon më doli një femër. Ajo, sa e mora, u përgjigj. E mbylla telefonin pa folur dhe menjëherë para meje u shemb ajo lumturi shumëvjeçare. Tani nuk e dija në duhej t’i thoja apo jo tim shoqi për çfarë kisha zbuluar. Vendosa të zbuloja se cila ishte ajo femër e më pas të ndërmerrja ndonjë veprim.

Pas shumë mendimeve, thura një “plan”. E mora në telefon dhe i thashë: - Alo, mirëdita! - Mirëdita! Kush jeni ju? - Oh, më fal i paskam rënë gabim. Ju, kush jeni?

Për çudi, ajo më tha emrin. Ndoshta nuk do ta mendonte kurrë kush isha dhe për këtë u tregua shumë naive. Nga ky emër zbulova se kush ishte. Ishte një vajzë që punonte si parukiere.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.