Kam bërë një krim që e di vetëm vëllai im!

Intervista - - FAQE 1 -

Të nderuar lexues dhe botues të gazetës! Kam kohë që dua t’ju shkruaj, por brenga, dhimbja, turpi e mendimi që edhe kush e lexon historinë time do më telendisë, më kanë stepur. Tashmë jam dyzet e katër vjeçe e dhimbja po më gërryen.

Kam lindur në një fshat të thellë në jugun e Shqipërisë. Jemi shtatë fëmijë, pesë djem e dy vajza. Jemi rritur në varfëri të plotë jo vetëm se ashtu ishte koha e kooperativave, por edhe ishim shumë fëmijë, edhe biografinë e kishim përtokë e pushteti i asaj kohe nuk u jepte mundësi prindërve të mi të punonin në shtet që të kishin paga më të mira.

Babi im ka punuar në minierë gjithë jetën, me mendimin që të merrte rrogë sa më të lartë për të ushqyer fëmijët. Për atë rrogë, ai i bëri mushkëritë e tij blozë në minierë, si gjithë minatorët e tjerë. Sot jeton mes ilaçesh e spitalesh. Nëna ime pothuajse s’ka punuar se çdo një vit e gjysëm ishte shtatzënë. Dy fëmijët e parë i ka lindur të vdekur nga puna e rëndë në kooperativë e më në fund, mjekët e spitalit në qytet u bindën se duhej t’i jepnin raport të gjatë. Mjeku i konsultores së fshatit, edhe në shtatzaninë e fundit i thoshte se duhej të dilte në punë. Ajo është rritur jetime dhe veç mungesës së prindërve, edhe gjithë andrallat e tjera i duheshin. Pas vizitave të shumta e raporteve që i dhanë në qytet, nëna arriti të lindte fëmijët e parë. Vëllai im i madh ka lindur yll i bukur e thonë edhe sot mamitë e qytetit që kanë asistuar në lindje. Edhe sot ashtu është, të pushojnë sytë kur e sheh. Jo pse është vëllai im, por është djalë për t’u pirë në kupë. Pastaj lindën edhe dy djem e më në fund, linda unë. Mamaja ime thotë edhe sot që gëzimi për çupën ka qenë si gëzimi për djalin e parë që arrita ta sjell shëndoshë e mirë në jetë. Më pas erdhi vëllai tjetër, më pas një motër me kaçurrelat më të bukur në botë e më pas një vëllaçko tjetër. O Zot, një shtëpi si çerdhe apo kopësht, quajeni si të doni familjen time. Kemi patur shtëpi të vogël e ne dukeshim fëmijë akoma më shumë.

Mamaja ime duke qenë se ishte në shtëpi ato pak rroba që kishim i lante e i pastronte shkëlqenin gjithmonë. Mbaj mend që një triko (deve quhej në atë kohë filli me të cilin ishte e punuar) mamaja ime e ka prishur çdo verë për ta sajuar me modele të ndryshme për secilin që e ka veshur. I shtonte ndonjë vizë sipas fillit që i dhuronte tezja ose nusja e xhaxhit. Mamaja ime nga familja e saj ka patur vetëm një motër, por edhe nusen e xhaxhit e ka dashur si ta kishte motër prej gjaku. Edhe xhaxhin e kemi patur si shok, se ishte goxha më i ri se im atë. Për ne ka qenë festë, lumturi e paparë kur vinte xhaxhi me familjen e tij. Ata kishin tre fëmijë dhe na dukeshin sikur ishin pjesë e familjes tonë edhe ata. Ne u rritëm shumë shpejt. E mbaj mend veten që në shkollë kemi shkuar me vëllezërit e vegjël e motrën në krah se prindërit duhet të punonin, sigurisht, në punët më të rënda. Fëmijëri të vështirë kemi kaluar, por të bukur mes lojërave në lëndina e brigje. Kështu, vëllai i madh mbaroi shkollën e mesme dhe bëri një kurs për shofer. Në atë kohë ishte fat i madh të arrije të bëheshe shofer. U bë shumë i zoti dhe ishte djalë i pafjalë. Ai filloi punë menjëherë pas kursit si shofer i kryetarit të kooperativës. Sigurisht, rroga e tij na dha dorë menjëherë. Pas tij mbaruan shkollën dy vëlllezërit e tjerë njëri pas tjetrit e filluan punë në kooperativë. Erdhi radha ime të mbaroja shkollën e meqenëse vëllai ishte shoferi i kryetarit, më rregulloi që të filloja punë te furra e bukës. Punën e kisha pranë shtëpisë dhe meqenëse në punë kisha gra të reja në moshë, e bënim me radhë të iknim më shpejt, apo të merrnim himet (mbeturinat pasi sitet mielli). Na vinte radha ndonjëherë për të marrë edhe miell sepse na dilnin thasët me peshë më të madhe. Kështu, ekonomia në shtëpinë time ndryshoi.

Përveç ekonomisë, kishim ndryshuar edhe ne fëmijët që ishim rritur. Vëllezërit që ishin më të mëdhenj, duke e patur mendjen të zgjeronin shtëpinë, nuk shihnin çupat lart e poshtë, por unë s’i mbaja dot sytë larg djemve. Kam qenë një vajzë e hijshme dhe bija në sy e sigurisht më kishin ngacmuar djemtë e gjithë fshatit dhe të fshatrave përreth. Shkolla e mesme ishte në fshatin tim për disa fshatra rreth e rrotull, kështu që kishim varacion për të kullotur sytë. Ndërsa flirtimet ishin të përditshme, zemra më rrihte për një djalë të fshatit tim. Ai ishte goxha më i madh. Kishte dy vite që kur më përshëndeste më shihte ndryshe e kishte filluar të më pyeste më gjatë. Në ditët e fundit të shkollës madje më shoqëroi rrugës për në shtëpi se pa një djalë që donte të më fliste.

- Po të shoqëroj, bukuroshe se të kanë zënë pritë, - më tha.

- Çfarë? - thashë dhe ngriva. - Të kanë zënë pritë, djali i X po të pret se helbete, po mbaron shkolla e s’kanë ku të të shohin më, - tha ai dhe eci përkrah meje. - E për ta çuar deri në fund, unë nuk dua që të të flasë njeri. Dua të flas veç vetë më ty, të shoh veç unë, të të afrohem veç unë. Me një fjalë, jam xheloz me Xh të madhe, - tha dhe më shikoi sikur do të më hante. Në atë moment kaluam në rrugën kryesore dhe nuk fola derisa e kaluam atë djalin që më “kishte zënë pritë” dhe pastaj e pyeta jo vetëm me naivitet:

- Ti, xheloz me Xh të madhe për mua? Pse, çfarë kam bërë e çfarë më ke ti mua që na u bëke xheloz? - thashë e qesha sa më hëngrën mushkëritë.

- Ja që ti më pëlqen e dua të të kem për vete, meqë nuk e paske kuptuar akoma. Nuk ke bërë asgjë të keqe, të paktën deri tani e më saktë, nuk do të të kisha lënë të bëje asgjë me askënd se po të ruaj për vete. Pastaj, më ndjek zanati si magazinier e di t’i ruaj gjërat e mia.

U pataksa nga gjithë ato fjalë njëkohësisht, por diçka kisha kuptuar.

Ai, një moment, u ndal e u kthye nga unë. - Pse, ty nuk të pëlqej fare unë? - më tha dhe nuk lëvizi për të ecur. Unë bëra të ecja, por ai më ndaloi.

- Nuk e di, s’e kam menduar asnjëherë, - i thashë, ndërkohë që u përpoqa të merresha me çantën e shkollës që ai të mos shihte dridhjen e duarve të mia.

- Epo, duhet ta mendosh dhe të më tregosh.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.