Askush nuk më tha se ishte autik!

Intervista - - FAQE 1 -

Jam një nënë 40 vjeçare që kam dy fëmijë, një vajzë 17 vjeçe dhe një djalë, 9 vjeç. Fëmijët i kam me baballarë të ndryshëm, jo për zgjedhjen time, por për ironi të fatit. Burri im i parë më vdiq dhe më la me një vajzë të vogël. Ai ishte njeri i mirë dhe punëtor e gjithë kjo mirësi është reflektuar te vajza ime. Nëse burri të vdes, asnjeri nuk do t’ia dijë më për ty dhe gjithë hallet të bien përsipër. Në këtë fatkeqësi, duke u gjendur edhe e papunë, shikova një zgjidhje tjetër për jetën time, sugjeruar edhe nga të tjerët; të rimartohesha.

Ajo që ndodh në një martesë të dytë, është se nuk vendos ti për kandidatin më të mirë, por merr të parin që të ofrohet dhe familja të thotë: “Nuk ke pse bën naze, nuk të merr njeri me fëmijë”. Kështu, unë u rimartova, por nuk rashë në një njeri të kamur dhe hallet e mia ekonomike të përfundonin aty, bile jeta u vështirësua. Burri im ishte murator, por punonte. Si fillim, gjërat shkonin mirë dhe vajzën ma donte, gjë që për mua në ato momente kishte shumë rëndësi. Brenda një viti, unë ngela shtatzënë dhe linda një djalë. Ndihesha shumë mirë. Kisha vajzën dhe tani djalin, kombinim perfekt! Gjatë shtatzanisë pata disa probleme me shëndetin, por kur djali lindi, ai ishte aq i bukur sa nuk di si ta përshkruaj, ose të paktën, kështu ishte për sytë e mi si nënë dhe problemet shëndetësore që kisha kaluar, u harruan. Gjatë vitit të parë të jetës, edhe djali kaloi disa probleme shëndetësore që më pas u përsëritën, megjithatë, doktorët thoshin se çdo gjë ishte në rregull dhe se kjo mund t’i ndodhte çdo fëmije. Vetëm duhet të bëja kujdes.

Kaloi viti i parë e i dytë i jetës dhe djali im nuk fliste, nuk tregonte për veprimet e veta. Unë e krahasoja me vajzën, që ka patur një zhvillim krejt ndryshe, por të gjithë na thoshin se djemtë në fëmijëri nuk janë aq të zhvilluar e të shkathët sa vajzat; e kundërta ndodh kur rriten. Kur po kalonte edhe vitin e tretë të jetës, mua m’u shtua shqetësimi dhe meraku. Djali ishte nevrik, nuk afrohej, nuk i shprehte ndjenjat e gëzimit dhe nëse ndodhte kjo, më shumë kishte të bënte me botën e tij sesa me botën tonë, apo për gjëra që mund të ishin shkaktuar nga ndonjë veprim apo sjellje e jona. Me motrën e tij ishte agresiv, nuk luanin dhe vajza nuk i afrohej shumë. Kur erdhi periudha e kopshtit, unë e çova në kopësht pa drekë, pasi edhe unë isha në shtëpi, kështu që në drekë e merrja vetë. Gjatë atij viti, më shumë përballesha me ankesat e edukatores, e cila më thoshte që ishte fëmijë që nuk punonte, nuk përgjigjej dhe gjithashtu, ishte agresiv me fëmijët e tjerë dhe se prindërit e tjerë ankoheshin. Disa herë mendova ta hiqja nga kopshti, por prapë nuk e bëja. Si mund ta largoja fëmijën nga një ambient ku mësohej?!

Kishte edhe raste kur edukatorja ma lavdëronte, sidomos kur vizatonte. Atij i pëlqen shumë të vizatojë dhe të shikojë filma vizatimorë edhe tani. Përsëri gjatë atyre viteve e çoja te mjeku dhe asgjë nuk u vërejt, madje edhe ezhe në kokë që i bëra, por asgjë. Mjekët thoshin që thjesht ishte karakteri i tij i tillë sepse nuk u rezultonte asnjë problem shëndetësor. Gjatë asaj periudhe, sikur të mos mjaftonin hallet që kisha, im shoq humbi punën dhe situata u tensionua edhe më në shtëpi. Filluan grindjet që varfëria i rëndonte edhe më, burri kaloi në krizë nervore dhe u vizitua te neurologu, i cili i dha ilaçe për ta stabilizuar. Gjendesha në një situatë ku çdo gjë dukej sikur ikte tatëpjetë dhe unë ndihesha e pafuqishme. Fillova dhe vetë punë si pastruese në një pallat, por rroga nuk ishte shumë e madhe dhe kur kthehesha nga puna, shpesh fëmijët i gjeja duke u përleshur me njëri-tjetrin. Fajin ia hidhja vajzës, ndonëse ajo ishte gjithmonë me shenja nga agresiviteti i të vëllait. Dihet që i madhi bëhet më shumë fajtor për gabimet e më të voglit dhe, edhe pse e ndjeja që nuk tregohesha e drejtë me vajzën, unë vazhdoja të sillesha ashtu.

Ajo gjithashtu shfrynte dufin e saj duke thënë: “Ishim më mirë vetëm”. Unë e kuptoja që ajo nuk i referohej vetëm të vëllait, por edhe njerkut dhe problemeve të tij. Nuk arrija t’i thoja asgjë se e ndjeja peshën po aq sa ajo, kur mendon se po i rregullon gjërat dhe ato të rrëshqasin më keq nga duart. Gjithsesi, koha kaloi dhe problemet mbeteshin po aty. Ne jetonim me asistencën sociale, ndonjë punë private që bënte im shoq dhe punën time. Lekët nuk mjaftonin kurrë për kërkesat tona, aq më tepër kur djali hyri në klasë të parë. Lusja Zotin që t’i binte një mësuese e mirë, në mënyrë që ai të përparonte pasi në kopësht nuk mësonte dhe dihet që në kopësht nuk ka detyrime. Ajo që ndodhi në atë vit shkollor jo vetëm që qe një katastrofë e vërtetë, por fëmija im u bë më agresiv. Nëse e detyroja të ulej të mësonte, fillonte të ulërinte, nuk donte, shante. Edhe nëse qaja, atij nuk i interesonte fare, nuk shprehte pikë dhembshurie.

Të motrën, e cila përpiqej ta ndihmonte në mësime, ai e godiste dhe e shante. Madje edhe kur ajo ishte duke bërë mësimet e veta, ai e ngacmonte, i griste fletoret dhe të tjera. Dëshpërimi im si prind arriti kulmin. Fillova t’i lutesha mësueses, por ajo nga ana e vet kishte ankesa, sepse ai i prishte orën e mësimit dhe jepte rezultate vetëm në vizatim dhe orët e argëtimit. Atë vit shkollor ai e humbi pasi mësuesja e ngeli duke më thënë se fëmija im kishte nevojë për ndihmën e një psikologeje. Bëra atë që duhej për atë moment dhe e çova te një psikologe e cila më tha që djali im ishte autik. I shpjegova se doktorët nuk më kishin thënë asgjë dhe se as nga kontrollet nuk kishte rezultuar asgjë, por ajo më shpjegoi se shkaqet e këtij fenomeni nuk janë konstatuar akoma dhe se mund të kenë qenë të ndryshme, ndoshta edhe nga problematikat që mund të kem pasur gjatë shtatzanisë. Aty krijova një ide se çfarë mund të kishte djali im, por unë nuk kisha mundësi ta ndiqja te psikologia. Ai përsëriti klasën e parë. Mësuesja tjetër qëlloi disi më ndryshe; ajo kishte ndikim te djali, edhe pse nuk mund të them se atë vit ai u përmirësua. Djali kaloi në klasë të dytë, pa ditur as të shkruajë, as të lexojë, por vetëm prej ligjit që çdo fëmijë duhet të shkojë në shkollë.

Në klasë të dytë, fillova t’i qaja hallin mësueses dhe ajo filloi t’i kushtonte vëmendje të veçantë, por duke më shpjeguar se në klasë ishin 30 fëmijë dhe ishte e pamundur të merrej vetëm me djalin tim. Kështu, i kërkova që ta ndiqte jashtë mësimit sepse vetëm ajo kishte shumë ndikim tek ai. Ajo nuk ma hoqi shpresën dhe bëri diçka. Sot djali është në klasë të tretë, diçka ka ndryshuar, por shumë pak. Edhe unë kam filluar të kuptoj se kjo sëmundje nuk është e rrallë... Ka edhe shumë fëmijë të tjerë si djali im, që nuk e kanë aftësinë për të ndjerë apo të përcjellin ndjenja, fëmijë që e kanë të vështirë të kuptojnë apo të mësojnë, por që kanë talente të veçanta, si pikturuarit apo për të luajtur futboll. Ata janë fatkeqësi për veten e tyre sepse nuk arrijnë t’i kontrollojnë veprimet e tyre dhe më shumë fatkeqësi për prindërit, që nuk arrijnë t’i ndihmojnë. Pra, kjo ishte historia ime që ndoshta është e shumë nënave të tjera, kur gëzimi i një jete shuhet nga hidhërimi dhe pamundësia për të bërë gjë për të…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.