Amarda Arkaxhiu: Një këngë sa shqiptaria

Intervista - - FAQE 1 -

Nuk do të na duhej shumë mund për të prezantuar Amardën, sepse për publikun ajo është jo vetëm një zë, por edhe një artiste e dashur. Ajo ka sjellë një mori klipesh të suksesshme që janë mirëpritur nga publiku, një vlerësim që Amardës i ka dhënë shtysë për më tej, duke ardhur te klipi i saj i ri “Kosovë Shqipëri”, në bashkëpunim me Gëzim Nikën. Festat e nëntorit do të kenë një këngë më shumë në nder të tyre dhe këtë herë, nga dy këngëtarë që publiku i ka shumë për zemër. Amarda është një ndër të paktat artiste që theksin e vë te puna dhe jo te pamja fizike, edhe pse ajo është një bukuroshe e lindur...

Fabjola Kuburi: - Amarda, vjen me një këngë posaçërisht për festat e nëntorit. Cila është rruga që përshkoi “Kosovë Shqipëri” derisa iu prezantua publikut?

Amarda Arkaxhiu: -

Kënga ime më e re, kënga jonë e re, më saktë, sepse unë e këndoj bashkë me këngëtarin e madh Gëzim Nika, një këngë që e ka realizuar kompozitori Valter Beqo dhe tekst të Jorgo Papingjit dhe klip të Max Production, u lançua më 20 nëntor. Kemi dhënë te kjo këngë një interpretim me gjithë dashurinë e mundshme për publikun tonë. Uroj që fansat të jenë kënaqur nga klipi, sepse është shumë i realizuar dhe uroj të gjejë vendin që i takon mes tyre.

- Si u gjetët me Gëzim Nikën?

- Gëzim Nika ka qenë idhulli im qëkur këndoja nëpër aktivitet shkollore. Jemi takuar para tre vitesh kur unë punoja dhe jetoja në SHBA dhe kemi bërë disa koncerte bashkë atje. Ideja ishte e të dyve dhe ishte një mundësi e mirë, sepse unë nuk kisha kënduar këngë me ritme veriore. Gëzimit iu desh të vinte nga Amerika dhe fakti që unë kam realizuar një këngë me të, është vërtet një arritje për mua. Është një vlerësim nga ana e tij, që u bë pjesë e këtij projekti muzikor.

- U realizua shpejt si klip?

- E vetmja pengesë ishte koha që Gëzimi e kishte shumë të pakët sepse ishte i angazhuar në koncerte dhe u desh ta realizonim pak e nga pak, por në fund, u realizua në nivele të larta.

- Çfarë i ke dhënë ti kësaj kënge dhe çfarë ke marrë prej saj?

- Kam dhënë shumë, bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë, në mënyrë komplekse, ndërsa se sa do të marr është ende shpejt për të folur, sepse ka vetëm pak ditë që ka dalë. Është këngë patriotike dhe i qëndron kohës; uroj vetëm të gjejë vendin e duhur te publiku.

- Kush u kujdes për pamjen e veshjet në këtë klip?

- Për veshjet, Anisa collection me të cilën kam bashkëpunuar edhe në një klip tjetër. Grimi, Ela Gorenca.

- Kënga para kësaj ka qenë një tjetër bashkëpunim, në atë rast, me Muharrem Ahmetin, një këngë me ritme tërësisht ndryshe. Pse eksperimenton kaq shumë në muzikë?

- Më pëlqen të vë në provë dhe të sfidoj veten, sa e gatshme jam, sa mund të arrij dhe të them të vërtetën. Gjithçka që kam synuar apo menduar se mund ta bëj, e

kam bërë.

- Kush është vlerësuesi më i mirë, sipas teje?

- Në fillim është vetja, pastaj publiku. Duhet të më pëlqejë mua që të jem e gatshme ta sjell te publiku. Jam marrë me publikun prej vitesh dhe e di se çfarë pret ai nga unë.

- Ti je e martuar në SHBA, por punon këtu. Si është kjo mënyrë jetese për ty?

- Faktikisht, të jetuarit në një vend, nuk është se ka qenë pika ime e fortë. Unë jam njeri që më pëlqen të jem në lëvizje, më duket e bajatshme të rri në një vend.

- Cilën këngë nuk do ta këndoje kurrë?

- E kam thënë edhe herë të tjera, çdo muzikë më pëlqen, besoj se është e bukur dhe ka rëndësi në mënyrën e vet. Nuk do të tregohesha e drejtë po të ndaja zhanret. Ndoshta nuk i këndoj dot të gjitha, por kjo nuk do të thotë se nuk më pëlqejnë. Jam tip sportiv dhe i marr gjërat me sportivitet. Shumica e këngëtarëve, artiste të mëdha madje, kanë thënë edhe nëpër emisione televizive: “Ua, unë nuk këndoj, as nuk kërcej tallava”, ndërkohë që në shtëpi kërcejnë dhe këndojnë më shumë se të gjithë. Është hipokrizi të thuash kështu, sespe edhe tallavaja është shumë e bukur në mënyrën e saj. Vetë si përkufizim, tallavaja është një lloj xhazi që të duhet shumë fantazi ta realizosh. Ti luan me xhazin, krijon. Tallavaja ka aftësi krijuese, nuk po them për ata që këndojnë një vijë, por për ata që vërtetë luajnë me të dhe realizojnë gjithçka të bukur me këtë rrymë.

- Çfarë e bën Amardën kaq të talentuar dhe të bukur?

- Faleminderit për komplimentet. Organizimi jetës dhe gjërat joshëse e interesante. ( Qesh) Jam e kënaqur me çdo gjë që më ka dhuruar Zoti. Jam e thjeshtë, modeste dhe pamjes i kushtoj rëndësi vetëm kur jam në skenë.

- Që do të thotë...

- Bukuria luan rol tek artisti, por ai që më bën të eci përpara, është arti që krijoj dhe konkretizoj për fansat e mi. Unë theksin e kam vënë gjithmonë te puna që bëj, jo te pamja e jashtme.

- Mos më thuaj që nuk kalon shumë kohë para pasqyrës, përpara se të dalësh nga shtëpia...

- Nuk kaloj shumë orë para pasqyrës. Bëhem gati shumë shpejt, meqenëse jeta që kam bërë unë jashtë vendit ku kam punuar për shumë kohë, të imponon të bëhesh gati shpejt, sepse atje jetohet pak me stres dhe nuk ka shumë kohë në dispozicion si këtu. (Buzëqesh)

- Je ndopak e zonja me paratë, apo i ke duart e shpuara?

- Ah, paratë, paratë! Ashtu siç i fitoj, ashtu i shpenzoj. Unë sa të kem në xhep, kam për borxh t’i harxhoj. (Qesh) Gjithçka kam, e investoj për klipe, këngë, garderobë, shëtitje dhe shumë e shumë gjëra interesante që më bëjnë të ndihem mirë.

- Përveçse si vajzë e bukur, ti njihesh edhe si një vajzë me shumë stil në të veshur. Për ty, stili lind apo kultivohet?

- Stili lind te çdo artist. Thjesht më pëlqejnë ndryshimet në çdo prezantim që bëj, gjithmonë duke mos e tepruar dhe të jem gjithmonë vetvetja.

- A ka disa kushte të veçanta që duhet t’i përmbushë një këngëtare?

- Po, e para duhet të ketë zërin e bukur, pastaj paraqitje skenike si dhe stil, kreativitet, art dhe interpretim të shkëlqyer. Jam përgatitur emocionalisht dhe profesionalisht për çdo gjë që më rrethon dhe që mund të më vijë në jetë.

- Do të doje të ndryshoje

ndonjë gjë në jetën tënde?

- Jo, jam shumë e kënaqur me jetën që bëj dhe falënderoj Zotin dhe njerëzit që më përkrahin.

- Cila është filozofia që beson për të qenë e lumtur?

- Ai që ka më shumë rëndësi është shëndeti. Pastaj familja, suksesi, shoqëria dhe njerëzit që më duan. Fansat e mi zënë dhe do të kenë gjithmonë një vend të veçantë në jetën time. Unë këndoj për fansat dhe publikun. Pa ata nuk do të kisha kënduar dhe krijuar kurrë. Ata janë frymëzimi im.

- Frika më e madhe që ke?

- Dëshpërimi kur i kupton disa gjëra me vonesë. Thjesht jam e ndjeshme dhe më bëjnë të frikësohem ndonjëherë sepse më dhimbset koha e humbur.

- Ku i përqendron më tepër energjitë e tua?

- Në skenë.

- Ti merresh edhe me bamirësi...

- Është diçka që e bëj më dashuri dhe se dua, me aq mundësi sa kam. Askush nuk më detyron.

- Çfarë ke ti me shumicë që do t’ua jepje të gjithëve pa kursim?

- Buzëqeshje dhe faktin që e ndaj çdo gjë që kam me njerëzit që i dua dhe kanë nevojë për mua.

- Çfarë duhet për një jetë me dashuri?

- Besim, sinqeritet, përkrahje dhe dashuri.

- Cila është shprehja më e bukur që ti e ke edhe si moto në jetë?

- “Të jesh vetvetja”, është ajo që vlen më shumë në jetë.

- Ku e shikon veten në të ardhmen?

- E shikoj të lumtur, me familjen time, të kem muzikën afër meje. Edhe pse është e lodhshme të gjesh një barazpeshë mes tyre, besoj se do t’ia dal.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.