Bali: Që të jem gjithmonë e para

Organizatorja e spektakleve në Belgjikë flet për “Intervista”

Intervista - - FAQE 1 -

Bali është nga ato organizatore që kur i vë vetes një synim, ia arrin dhe këtë e tregon me koncertin që po organizon me rastin e festave të nëntorit në Belgjikë, me këngëtarë të përzgjedhur nga Shqipëria dhe Kosova. I urojmë Balit suksese dhe koncerte të tjera të bukura...

- Gjatë intervistave të tjera, na ke thënë dhe premtuar që për festat e nëntorit do të organizosh një super koncert në Belgjikë. Për këtë edhe po flasim sot së bashku… Do ta mbash premtimin?

Bali: - Po, është e vërtetë që po organizoj një koncert për Festën e flamurit në datë 28 nëntor dhe gjithashtu, kam në plan një koncert tjetër në datë 17 shkurt për Pavarësinë e Kosovës. Është një superkoncert me të gjitha kushtet që nevojiten që publiku të jetë 100% i sigurt dhe me shërbim të përsosur. Gjithashtu, në të do të jenë të ftuar këngëtarët më të kërkuar: Shyhrete Behluli, Mahmut Ferati, Shpat Kasapi, Miss Xhuli, Sabjani dhe Marseli.

- Pse gjithë ky organizim për këto festa? Ka edhe festa të tjera që kanë rëndësi, apo jo?

- Ne, populli shqiptar kemi shumë festa dhe i festojmë, por jo gjithmonë me koncerte. Ama, festa e flamurit është më e rëndësishmja për popullin tonë, duke folur këtu për të gjithë Shqipërinë e madhe.

- Më thuaj gjithçka rreth këtij organizimi madhështor, kush merr pjesë, ku organizohet...

- Në organizimin e koncertit jam marrë unë dhe vajzat e mia, që më ndihmojnë për gjithçka, Suela dhe Xhuli.

- Cili është sekreti i realizimit të një koncerti të bukur?

- Ke shumë të drejtë, çdo gjë ka sekretin e vet... Që koncerti të dalë i bukur dhe me shumë gjallëri, duhet që të ekzistojë edukata, kultura dhe mikpritja e mysafirëve në maksimum. Këtë kërkoj unë, që mysafirët të jenë të gjithë të lumtur dhe të kënaqur në një festë të tillë.

- Ti organizon shpesh koncerte të tilla. Cili është kujtimi më i bukur prej tyre? Po bashkëpunimi më i rëndësishëm?

- Unë kam më shumë se 10 vjet që organizoj koncerte, por kujtimi më i bukur është koncerti i parë me Artjola Toskën dhe Bujar Qamilin. E nisëm atë natë dhe kështu morëm guximin dhe organizuam përsëri koncerte me këngetarët e mirënjohur nga Shqipëria dhe Kosova.

- Ke ndonjë projekt tjetër në dorë?

- Po, kam një projekt në dorë, një eveniment të rëndësishëm, por nuk dua ta bëj publik derisa ta realizoj. Me kismet, shpresoj te Zoti se do t’ia arrij.

- Cila është e veçanta e koncerteve që realizon ti?

- Zgjedh këngëtarë në nivelin e duhur dhe që ata të këndojnë këngët e popullit tonë, jo këngë arabe dhe jo tallava.

- Cilat janë mënyrat më efikase për të goditur te publiku?

- Unë mendoj se te një publik me nivel të lartë duhet të godas me muzikë të mirëfilltë.

- Nëse nuk do të ishe bërë këngëtare dhe organizatore koncertesh, çfarë profesioni mund të kishe zgjedhur?

- Më ke zënë ngushtë këtu, por po të them se, qëkur kam qenë e vogël më ka pëlqyer të jem një këngëtare e mirëfilltë. Fati nuk më la ta ndiqja rrugën time dhe kam punuar te qilimat e eksportit në atë kohë, por nuk e harrova asnjëherë pasionin dhe dëshirën time për të qenë në skenë. E dua muzikën, e kam pasion dhe më bën të ndihem mrekullisht mirë.

- Si do t’i komentoje konkurrencën dhe rivalitetin në botën e muzikës?

- Në fakt, po nuk pate konkurrencë, nuk e kupton se po punon, të duket si punë e përditshme. Edhe konkurrenca ka lezetin e vet, më bën të luftoj më shumë për punën time, më bën të bëj diçka ndryshe nga të tjerët, që të jem gjithmonë e para.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.