Marsel Rupi: Po të isha unë kryebashkiaku...

Intervista - - FAQE 1 -

Fabjola Kuburi: - Marsel, përshëndetje, Si po shkon “Portokalli”-a?

Marsel Rupi: - Shumë

mirë.

- Ti je një personazh i ri në shou, kështu që ne duam të dimë pak më shumë për ty...

- Unë kam një vit që jam diplomuar në Bachelor dhe në master në Universitetin e Arteve. Përveç disa herë tentimeve me role episodike në Tiranë, në Durrës, në teatro të ndryshme, angazhimi im kryesor është “Portokalli”-a. Kam qenë edhe aktor në Teatrin e Kukullave. Nuk kam refuzuar asnjë punë dhe nuk refuzoj asnjë punë. Mendoj se akoma nuk e kam luksin apo eksperiencën për të zgjedhur punët. Mua më duhet shumë eksperienca. Që nga marsi i këtij viti, pas një audicioni me një personazh në “Portokalli” jam pjesë e këtij shou.

- Sa e njeh skenën ti dhe sa të njeh ajo ty?

- Vështirë të thuhet se e njoh shumë. Nuk jam pjekur aq shumë me skenën sa të them se jam njohës i mirë i saj apo ajo njohëse e imja. Kjo mund të thuhet për aktorë të mëdhenj që më realë janë në skenë, sesa në jetë.

- Besoj se aktorët e humorit lodhen shumë gjatë sezonit televiziv. A ndihet një lloj konsumimi?

- Unë nuk i ndaj në aktorë humori apo dramatikë; aktorët janë aktorë. Ka aktorë që kanë talent për aktrimin, disa në dramë, disa në komedi. Meqë po flasim për komiken e sidomos për programet televizive, ekziston frika e konsumimit. Një aktor mund të konsumohet edhe pa u ekspozuar në ekran. Nëse do të ruhet sensi i masës, atëherë nuk do të jesh as i bezdisshëm, as i mungueshëm te publiku. Prandaj ka variacion dhe gjetje personazhesh të reja.

- Si i ke marrëdhëniet me aktorët e tjerë të “Portokalli”-së?

- Ku ka botë artisitike, kalohet mirë. Në fund, ne jemi njerëz; ka momente stresi, ka alegri. Në “Portokalli” janë të gjithë të diplomuar në art dhe nëse je produktiv, je i aftë. E mira e profesionit tonë është se, duke qenë se jemi të paktë në numër, dashur padashur jemi një familje, sepse njihemi që në shkollë. Ne jemi të organizuar me njëri- tjetrin sepse vetë logjika e këtij programi është komunikimi dhe ndërveprimi mes nesh. Nëse marrëdhëniet nuk do të ishin të mira, kjo do të ndihej nga publiku.

- Është më e lehtë apo më e vështirë të punosh me dikë që e ke mik?

- Është fat të punosh me miq. Kush më mirë se miqtë mund ta kuptonin një veprim përpara se të bësh?!

- Mendon se profesionalisht ia ke arritur qëllimit?

- Jo, nuk kam arritur ende asgjë. Do të ishte fatkeqësi po t’i kisha arritur se, çfarë do bëja nesër? Kam pasur fatin të prek skena, por kam ende punë. Përsa i përket “Portokalli”- së, më është dhënë një personazh shumë i njohur dhe kjo më rrit përgjegjësinë. Gjatë gjithë kohës jam përpjekur t’i afrohem figurës që interpretoj. Jam shumë i lumtur që m’u besua mesazhi në publik, në programin më të njohur, i vetmi në llojin e tij në risi.

- Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë kritiku yt më i madh?

- Publiku, ka qenë është dhe do të jetë kritiku më i madh jo vetëm i imi, por i të gjithë artistëve. Më pas, është familja, janë ata persona që nuk kanë tendencë të thonë fjalë të mira se nuk duan të dëmtohesh, por as të këqija sepse nuk kanë zili ndaj teje. Më pas, janë të gjithë, secili që të thotë një mendim, një vlerësim.

- Sa të ka lodhur ky spektakël humori dhe sa energji pozitive ke marrë prej tij?

- Nuk besoj se dikush është lodhur nga ky spektakël. Edhe nëse ndodh, nuk të lodh spektakli, por puna kolosale dhe ritmi shumë i madh i punës që ka.

- Që nga koha e diplomimit dhe deri tani, sa ka ndryshuar Marseli?

- Nuk kam pasur kohë të kem ndonjë rritje profesionale, sepse koha e diplomimit është shumë e shkurtër, por kjo e “Portokalli”-së është një eksperiencë që më ndjek çdo ditë. Ka një tension artistik dhe kjo është një sprovë shumë e mirë për rritje profesionale.

- Nëse do të të duhej të shkruaje aftësitë e tua në një Cv...

- Unë jam ende “duke hapur plaçkat” në tregun e punës dhe shpresoj të gjejnë vendin e duhur. Do kisha shkruar ato pesë gjëra që kam bërë realisht.

- Sipas teje, çfarë e bën dallimin mes aktorëve?

- Ky është një profesion dhe çdo profesion ka të mirë dhe jo të mirë. Ka me talent më të madh, ka me më pak

talent, ka që u ka buzëqeshur fati më shumë dhe ka nga ata, më pak. Pjesën më të madhe e ka fati dhe pjesa e vogël, të ngelet ty. Asgjë nuk realizohet pa fat, fati të hap dyert, por talenti duhet të të mbajë brenda në atë shtëpi.

- Po të kishe “makinën e kohës” në cilin vend dhe kohë do të udhëtoje?

- Dëshira kemi shumë, por natyra njerëzore e ka këtë të metë; sapo ka diçka, kërkon diçka tjetër. Pjesë e lumturisë sime është vendi ku jetoj dhe pjesë e makinës së kohës, është koha ku unë jetoj.

- Si do ta bëje për vete një femër në një takim?

- Nuk mendoj se jam i aftë ta bëj, por meqë qenka si pyetje-lojë, do zgjidhja sinqeritetin.

- Cilën do të zgjidhje për të darkuar, Mishel Obamën apo Karla Brunin?

- Ti më bën pyetje ku unë nuk mund të zgjedh. (Qesh) Janë figura të njohura botërisht, e vërtetë, por unë nuk kam njohuritë e duhura sepse nuk më lidh asgjë me to. Gjithsesi, secila në mënyrën e saj është një figurë e veçantë dhe me peshë.

- Mendon se ke bërë shumë gabime në jetë?

- Shumë. Kjo është jeta që ne jetojmë... Jam i bindur që do të bëj ende shumë, vetëm lutem që fati të më ketë rezervuar mundësinë, kushtet dhe inteligjencën që të riparoj sa më shumë. Me gabimet që bëj, të prek sa më pak njerëzit dhe sa më shumë veten.

- Çfarë të frikëson?

- Vetja, sepse çdo gjë që mund të më ndodhë është rezultat i asaj që unë do të bëj apo fatit tim.

- Si mund ta ndash jetën private nga ajo profesionale?

- Janë të ndara, do apo nuk do ti. Suksesi yt personal nuk mund të jetë profesional. Je aktor i mirë ose i keq sepse je dhe nuk ka lidhje nëse je njeri i mirë apo i keq.

- Mendon se jeta private arrin të shesë deri diku edhe artin?

- Nëse ti do ta shfrytëzoje këtë, po, edhe pse është shfrytëzim i keq. Është një gënjeshtër që ti ia thua vetes në fillim e pastaj të tjerëve. Shitja është aftësi, por nuk është vlerë.

- Beson te dashuria me shikim të parë?

- Jo, besoj te një tërheqje fizike që mund të çojë në një dashuri të vërtetë.

- Seks apo dashuri?

- Si dashuria nuk ka, por pyetja është pak e prerë. Dashuria është gjëja e vetme e vërtetë që kemi në këtë jetë.

- Ke menduar ndonjëherë se çfarë do të kishe bërë nëse nuk do të ishe aktor?

- Nuk jam me idenë se unë kam lindur për të qenë aktor. Askush nuk e di për çfarë ka lindur. Pasion tjetër unë kam mjekësinë. Jam shumë i lumtur që arrita të jem pjesë e Akademisë së Arteve, por vazhdoj ta ushqej veten time për një degë të mjekësisë; ajo që më pëlqen është fizioterapia. Megjithatë, do të isha shumë pishman po të mos isha bërë pjesë e artit.

- Personazhi më i dashur i filmave të animuar...

- Ja përsëri një pyetje lojë dhe do luaj... ( Buzëqesh) Mua më pëlqejnë të gjitha personazhet e animuara sepse kanë një sinqeritet të çuditshëm. Veten time do ta personifikoja me një personazh që ka një filozofi më vete, Piter Pan. Më pëlqen të jem akoma fëmijë. Nëse do të më pyesnit kur isha i vogël se “çfarë do bëhesh kur të rritesh?” do thoja: “Kur të rritem dua të bëhem fëmijë”.

Sikur të ishe kryebashkiak...

- Nëse do të ishe kryebashkiak, çfarë do ndryshoje?

- Si fillim, nuk do zgjidhja veten sepse nuk jam i aftë për poste politike, por kushdo që do ta bënte, do doja të mos humbte ato gjëra që i kishte para se të ulej në atë karrige, në atë post.

- Marsel, si mund ta ndryshojë botën artisti dhe si, kryebashkiaku?

- Një artist e ndryshon botën sepse arti është universal. Artisti është një menaxher shpirtëror i pakufishëm. Një kryebashkiak mund të ndryshojë vendin ku ai drejton; ai është një menaxher i mirë për komunitetin e tij, por jo për botën.

- Cili është fenomeni që të tërheq më tepër vëmendjen në realitetin shqiptar dhe çfarë mund të bëje për të, si kryebashkiak?

- Si ka mundësi që vazhdojmë e ekzistojmë kur kemi humbur gjënë kryesore, besimin? Arti është i besueshëm, aktori futet thellë në personazh dhe ta sjell para syve të gjallë. Po të isha kryebashkiak, do të ulesha këmbëkryq me njerëzit që t’ua fitoja besimin përsëri.

- Cili film do të personifikonte kryetarin e bashkisë?

- Mua më pëlqejnë filmat për të qeshur, por edhe ata që më bëjnë të qaj, sidomos këta të fundit, dramatikët. Nëse do të personifikoja kryetarin e bashkisë me një film, ai do ishte “Il padrino”.

- Ke pasur shpesh “lidhje për një natë”? Po të ishe kryebashkiak, do kishe më shumë apo më pak?

- Jo, nuk jam person i “lidhjeve për një natë”. Nëse do isha kryebashkiak, mendoj se nuk do ta bëja. Do të ishte shumë banale të bësh bujë me këto gjëra.

- Po të ishe Erion Veliaj, do ta bëje dasmën në kala apo në një lokal të thjeshtë?

- Besoj se në një lokal të thjeshtë. Edhe pse ia kam frikën vetes se nuk do isha kaq i drejtë dhe i sinqertë nëse do të isha kryebashkiak. (Buzëqesh)

- Ku do ta pije kafen si kryebashkiak?

- Unë nuk e pi kafen fare. (Qesh)

- Do t’i pushoje nga puna punonjësit pa të

drejtë?

- E vetmja gjë që nuk do ta bëja kurrë është që t’ia hiqja bukën e gojës dikujt pa të drejtë. As si kryebashkiak, as si askush.

- Si do ta mbyllje si kryebashkiak?

- Po të isha kryebashkiak do ta mbyllja intervistën duke gënjyer jo më pak se ç’kanë gënjyer të tjerët para meje, duke i thënë trurit tim: “Ja ku mbaroi edhe kjo intervistë dhe ishalla kam dalë mirë!”. Si kryebashkiak, do ta mbyllja duke i uruar vetes e jo të tjerëve: “Sa më i papërlyer në këtë lumë të mbuluar nga balta, sa më pak pis, fat që ta mbyllja me nder”.

Erion Veliaj në "Portokalli"

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.