Ia vrava shpirtin të dashurit pa shkak

Intervista - - FAQE 1 -

Të nderuar lexues! Shpresoj që stafi i gazetës “Intervista” ta marrë në konsideratë e-mailin tim për ta botuar këtë pjesë të jetës sime, dhe pse është e dhimbshme. Jam lexuese e rregullt e faqes tuaj të internetit sepse jetoj në Itali. Sot jam dyzet e shtatë vjeçe dhe jam e divorcuar. Kam lindur në një fshat në veri të Shqipërisë dhe në moshën shtatë vjeçare prindërit e mi arritën të merrnin pasaportizimin në qytet. Babai im kishte gjetur një punë në shtet dhe me miqësitë që zuri, arriti të merrte shtëpi në pallat e të na tërhiqte edhe neve më në fund. Ne jemi gjashtë fëmijë, tre djem e tri vajza. Vëllai i vogël ka lindur pasi ne erdhëm me banim në qytet dhe i vetmi që edhe u llastua pak. Ekonomia disi na u rregullua megjithëse ishim tetë frymë për t’u ushqyer.

Kemi qenë fëmijë të urtë, por në shkollë asnjëri nuk kemi ndritur. Më trazovaçja kam qenë unë. Qysh e vogël më thonë që kam qenë shumë e lëvizshme. “Dy gurë bashkë nuk i lije”, më thotë edhe sot nana ime. E kështu vazhdoj të jem edhe sot. Motra ime e madhe dhe vëllai janë njerëzit më të qetë e të urtë që mund të njohë njeriu. Ne rritëm njëri-tjetrin dhe vëllai i madh u rrit e u bë për ushtri. Kur ai iku ushtar, sikur na iku gjysma e qetësisë në shtëpi, por ato dy vjet kaluan shpejt e kur u kthye, prindërit e mi i kishin gjetur edhe nusen. Ashtu i urtë e butë siç ishte ai pranoi atë grua që i gjetën prindërit, nuk guxoi të shihte vajzë tjetër vetë. Por shyqyr Zotit, nusja ishte vajzë për së mbari. Kemi jetuar trembëdhjetë vjet në të njëjtën shtëpi dy dhoma e një kuzhinë, të gjithë bashkë dhe asaj nuk ia dëgjuam një herë zërin. Ata u bënë edhe me fmijë dhe të tre vajzat që u dhuroi Zoti, ai i rriti në shtëpi bashkë me ne. Vëllai punonte, por nusen e kishte pa punë. Motra, pasi mbaroi gjimnazin, filloi punë në komunale jo vetëm prej miqve të babait, por edhe për “mëshirë”, sepse kur ajo ishte në shkollë të mesme, në klasën e saj mori flakë perdja dhe me radhë, gjithë laboratori i kimisë e motra ime nuk ariti të dilte në kohë me shokët e saj. Ajo u dogj goxha dhe shenjat e djegies i ka edhe sot. Ndërsa vëllai i dytë, pas ushtrisë, filloi një punë goxha të mirë. Unë isha trazovaçja, fëmija i katërt. Unë isha në vitin e parë gjimnaz kur vëllai im e mbaroi shkollën e mesme, kështu që unë isha jashtë “kontrollit” të familjes. Në dallim me motrën e madhe, unë kam qenë më e bukur, por edhe shkathtësia dhe bilbilosja ime e jashtëzakonshme bënin që unë të bija në sy të të gjithë djemve.

Si adoleshente, numëroja me shoqen time sa djem më kishin ngacmuar dhe vazhdimisht më rritej mendja se isha e bukur, e zgjuar etj. domethënë, fluturoja.... Por të gjithë djemtë, meqenëse unë u bëja tangërllëk, largoheshin. Ishte njëri, Xh., që nuk u largua asnjë moment nga unë. Çdo ditë më priste të mbaroja mësimin dhe pasi më përshëndeste me kokë, ecte anash meje ose një hap pas meje, pa më folur. S’kishte si të fliste, i shkreti djalë, se përgjigjet e mia e trembnin. Në fakt, atë fjalët e mia nuk e kishin trembur, por e kishin fiksuar më shumë pas meje. Pasi m’u lut për tre vite rresht, unë, më në fund, pranova.

- Mund të flas me ty nëse ti do të më kërkosh dorën në shtëpi, përndryshe ti mund të tallesh me motrën tënde, jo me mua, - i thashë një ditë që më zuri rrugën e s’më linte të ecja përpara.

- Dakord, kjo është ajo që thua, duhet të të kërkoj në shtëpi? Dakord, do të vijë babai im e vëllai im i madh qysh sonte, por ta dish se përgjigjja e familjes tënde duhet të jetë PO, - më tha ndërsa dridhej dhe jam e sigurt, që edhe mbi këmishë, i dukeshin rrahjet e zemrës.

Më tha “mirupafshim” dhe në sy i lexohej lumturia që më kishte fituar. Atë pasdite ashtu siç më tha, në shtëpi erdhën babai dhe vëllai i tij i madh. Pas përshëndetjeve të zakonshme sepse njiheshim me babain tim, babai i Xh.-së tregoi qëllimin e vizitës së tij. Babi im e dëgjoi dhe me shumë qetësi e sipas zakonit, e falënderoi që kërkonte të bënte krushqi me ne dhe i tha se do të mendohej. Pas një ore, babai i Xh.së dhe vëllai i tij ikën. Sapo ata zbritën shkallën e katit të parë që nuk mund të dëgjonin më, babai im m’u lëshua jo vetëm me të shara, por edhe ca shpulla të mira.

- Moj faqezezë, kë e gjete të më sjellësh në shtëpi, babain e kurvave të qytetit? S’gjete ndonjë më të dalë duarsh, të sjellësh? Si dreqin do të jetosh në atë shtëpi imoralësh... etj., etj.

Vëllai im i madh ndërhyri dhe e largoi babain tim duke i thënë se aty është edhe nusja e s’bën mirë të të shohë kështu.

- S’më bëhet vonë ç’mendon nusja për mua, më duhet që vajza ime të mbledhë mend, - tha dhe u ul në minder. U ul se nuk kishte ç’t’i bënte vëllait se do më rrihte sa t’i mbetesha në dorë.

Më vonë, mamai ime më pyeti sa kisha që e njihja Xh.-në.

- Ka tre vjet që më rri para mbrapa, nuk kam folur e as kam bërë asgjë të keqe me të (ishte turp e gjë e keqe të kishe të dashur), - i thashë nanës. E pashë që edhe ajo mezi po e ruante qetësinë dhe kjo, falë pranisë së nuses së vëllait.

- Po ti, ia njeh familjen, e di ç’njerëz ka në shpi? - më tha nana.

- E di që është vëlla i vetëm, e di që e ëma i punon në ndërmarrjen e grumbullimit, di që ka dy motra dhe vëllain të martuar. Ka edhe një motër beqare.

- Po ti e di se ç’histori kanë si e ama, ashtu edhe të motrat? - më tha ajo, ndërsa e pashë që po acarohej.

- Po unë nuk njoh të motrat, para mbrapa më ka ndenjur Xh.- ja. Ç’punë kam unë me ato? - thashë si gjithmonë duke fluturuar.

- Po ai është pjesë e asaj familjeje të degjeneruar, moj torollake, ai ka gjakun e tyre ndër deje. Si të shkon mendja se ti je Helena e Trojës e do të të trajtojë si princeshë?

Atë natë, deri në dy të natës...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.