Edhe e martuar, vuaj për dashurinë e parë

Intervista - - FAQE 1 -

Jam një vajzë 34 vjeçe që e mbaj në shpirt dashurinë e parë sepse s’e harroj dot dhe vuaj akoma. Në moshën 14 vjeçare u dashurova me një djalë që e kisha komshi në lagjen time. Ai ishte 4 vjet më i madh se unë. Duheshim shumë dhe çdo ditë takoheshim fshehurazi nga njerëzit, por më shumë ngaqë prindërit e mi nuk donin që unë të shoqërohesha me atë djalë, sepse ishte fukara. Në fakt, i kishin vdekur të dy prindërit dhe jetonte me vëllain e madh dhe motrat që ishin të martuara. Me pak fjalë, lidhja jonë vazhdoi 2 vjet. Ai ishte marrëzisht i dashuruar dhe unë çmendesha pas tij, deri kur një ditë me tha se do të më rrëmbente dhe të jetonim bashkë. Atë ditë ishim te një pallat ku takoheshim çdo ditë. Unë shtanga dhe i thashë:

- Po, dua shumë, por kam shumë frikë nga njerëzit e mi...

Në fakt, në atë kohë, prindërit e mi ishin ndarë dhe unë jetoja me gjyshërit e babin tim, ndërsa mami ishte e martuar me dikë tjetër dhe jetonte në Greqi prej disa ko- hësh. Megjithëse i thashë kështu, ai, pa e menduar, më mori dhe më dërgoi te vëllai i tij atë natë, por u mor vesh dhe babi erdhi më gjeti dhe më mori, duke më thënë që “duhet të lajmëroj edhe nënën tënde për vendimin që keni marrë”. Unë vajta në shtëpi duke i thënë babait se kjo punë kishte marrë fund. Unë e desha shumë atë djalë dhe ai mua, gjithashtu. Të nesërmen mora mamin në telefon dhe i shpjegova që doja një djalë dhe doja të martohesha me të! Ajo u inatos shumë dhe nisi të më thoshte se nuk ishte për mua dhe se isha shumë e vogël (Në fakt, në shtëpi u kisha thënë se e kisha humbur virgjërinë me atë djalë, por në fakt ai nuk me kish prekur me dorë. Më kishte premtuar se vetëm ditën e parë të martesës tonë do të bëhesha e tija).

Atëherë, nusja e xhaxhait më foli dhe më preku me fjalë, duke më thënë “mami të do shumë dhe kurrë s’do të të donte të keqen”. Unë e doja shumë mamin tim dhe më mungonte shumë, ndaj i tregova që mes meje dhe atij djali nuk kishte ndodhur kurrgjë! Pas kësaj, ne vazhdonim tashmë të takoheshim lirshëm, të gjithë e morën vesh që ai ishte i fejuari i im dhe kishim lënë një ditë që njerëzit e tij të vinin tek unë për të lënë datën e fejesës. Kaluan pak ditë dhe një mëngjes pashë përpara derës njerkun tim që më tha:

- Hajde se të kërkon mami ta takosh te shtëpia e prindërve të mi.

Unë, pa u menduar, vrapova pas tij të takoja mamin se më kishte marrë malli; kisha 2 vjet pa e parë. Gjithashtu, doja t’i tregoja planet që kisha bërë unë me atë djalë që e doja aq shumë, por nga ai moment, ndryshoi jeta ime! Ai njeri më kishte gënjyer. Mami im ishte në Greqi dhe kishte dërguar atë të më merrte me forcë. Nga aty filloi tmerri im. Ai më futi me dorë nga flokët në një veturë duke më thënë që s’kisha për ta marrë kurrë atë djalë se nuk ishte për mua e shumë e shumë... Hoqa shumë vuajtje dhe aventura që s’mund t’i tregoj të gjitha... Si përfundim, ata ia arritën qëllimit dhe na ndanë. Mua më sollën në Greqi te mami im. Qava shumë, vuajta shumë, u përula në gjunjë të nënës sime që të më kthente mbrapsh, por ishte e kotë. Zemra më dhimbte dhe mendja më rrinte tek ai djalë që s’do ta harroj kurrë.

Por koha ecën... Kaloi një vit dhe ai kishte pritur, derisa ishte martuar. Unë fillova të vuaja shumë. Nuk mund ta pranoja që ai kishte në krah një tjetër; si mundej? Atëherë mami më tha që mund të kthehesha në Shqipëri te babai im se ishte e sigurt që gjithçka kishte mbaruar, por a mund të kthehesha më unë? A mundej zemra ime ta shikonte me tjetrën? Ja që erdhi dita dhe u ktheva pas 5 vjetësh, kur gjyshja ime ishte shumë sëmurë, në prag të vdekjes. Duhet të shkoja patjetër se më kishte rritur, por mendja me rrinte tek ai djalë dhe emocionet shtoheshin më shumë, kur mendoja që do ta shikoja. Pyesja veten se çfarë shpjegimi do t’i jepja. Në njëfarë mënyre, ndihesha fajtore.

E pashë pas dy ditësh në lagje. Zemra filloi të më rrihte fort. Ai më shihte dhe diçka më bënte shenjë; më thoshte të takoheshim te vendi i vjetër, te pallati jonë. Të them të drejtën, nuk u përmbajta dot. Kisha shumë dëshirë ta takoja, ta puthja e ta shtrëngoja në krahët e mi. U takuam dhe ai më kërkoi shpjegime se si e kisha lënë. Më tha se më kishte pritur një vit e se kishte vuajtur për mua. I tregova të vërtetën, se nuk kisha faj. I thashë se të gjithën këtë ma kishte bërë mami im. Ai më pa me sy të përlotur dhe më tha:

- Mos bëftë hair ajo nëna jote, se më ndau nga ti dhe kurrë s’do të mund të gjej qetësi në shpirtin tim.

Fillova të qaja. Filluam të qanim të dy duke u puthur si të çmendur dhe ai më përqafonte, por ishte shumë vonë për ne të dy; gruaja e tij ishte shtatzënë dhe priste fëmijën e tij. U ktheva në Greqi ku edhe punoja, por ai ishte fiksimi im. U njoha me një djalë shumë të sjellshëm dhe që më donte shumë, por unë s’munda ta fusja dot në zemër. E respektoja shumë dhe më pëlqente, se ishte djalë i sinqertë, kështu që u martuam bashkë. Prapë mamaja kundërshtoi, por tashmë s’mund të bënte asgjë, se isha në një moshë që vendosja vetë. Ama, unë vetëm një herë e dhashë dashurinë time dhe s’mund t’ia jepja më bashkëshortit tim. Atij i kisha treguar gjithçka para se të martoheshim, e dinte se unë vuaja për atë djalë, por ai më donte dhe më thoshte që “jeta vazhdon dhe ti do jesh si një princeshë me mua”.

Para 2 vjetesh unë vajta me dy fëmijët e mi në Shqipëri ku fati na ra të përplaseshim përsëri bashkë me atë djalë që e desha shumë. Pimë një kafe bashkë dhe ai kishte të njëjtin problem me mua, më tha se s’mund ta donte gruan e tij si dashurinë e parë. S’munda t’i përmbahesha dhe s’mund t’i përmbaheshim dashurisë që kishim, kështu që kaluam një moment të zjarrtë të dy bashkë në një hotel që gjetëm aty pranë. E di që ishte një gabim i madh për mua dhe mund të më gjykoni, por ai ishte përmbushja ime dhe njëkohësisht, vuajtja e shpirtit tim. Nuk mundem dhe s’do të mund ta harroj dot kurrë dashurinë time të parë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.