Projektligji i ri për sigurimet shoqërore po na falimenton!

Intervista - - FAQE 1 -

Paketa fiskale 2016 do të ndryshojë bazën e llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e lira, ku bëjnë pjesë avokatë, noterë, përmbarues, stomatologë, mjekë, farmacistë, inxhinierë, ekspertë kontabël, vlerësues, auditues etj. Avokat Alban Duraj tregon në intervistën e tij dhënë gazetës “Intervista” se, pagesa e kontributeve, bazuar në pagën maksimale do të sjellë telashe në tregun e profesioneve të lira, duke rrezikuar mbylljen e qindrave prej tyre. Sipas tij, qeveria dhe kuvendi duhet të ndërhyjnë në skemën e pagesës së kontributeve, duke hartuar politika që e nxisin biznesin dhe jo politika që e asfiksojnë atë. Ky, thotë ai, do të jetë një hap pozitiv edhe për llogaritjen e pensioneve në të ardhmen...

Valbona Vukulaj: - Zoti Duraj, pse e shikoni me shqetësim miratimin e këtij projektligji?

Av. Alban Duraj: - Së pari, ju falënderoj shumë për intervistën! Profesionet e lira janë në gjendje alarmante që nga momenti kur jemi njohur me këtë nismë të qeverisë shqiptare. Kjo për faktin se ky projektligj penalizon pjesën dërrmuese të të vetëpunësuarve si profesionistë të lirë, të cilët janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve si persona fizikë. Aktualisht, profesionistët e lirë paguajnë 6556 lekë në muaj kontribute, ndërsa me projektligjin e propozuar nga qeveria, të vetëpunësuarit në profesionet e lira do të paguajnë 27.172 lekë kontribute në muaj. Pra, ne do të paguajmë 20.616 lekë të reja më shumë sesa paguajmë tani. Krahasimin mund ta bëjë çdo qytetar i cili e di sa sa e vështirë është të jesh i vetëpunë-

suar në Shqipëri.

- Çfarë impakti ka ky projektligj tek avokatët të cilët e fillojnë punën rishtas?

- Ky projektligj është vdekjeprurës për avokatët e rinj dhe për këdo profesionist të ri, i cili ka pak vite në treg. Studiues të shumtë në fushën e ekonomisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas anketave, intervistave dhe studimeve në terren kanë dalë në konkluzionin se, që këto profesione të konsolidohen, duhet të paktën 10 vite. Pra, profesionistëve të lirë në SHBA u duhen 10 vjet që të konsolidohen dhe të arrijnë performancë! Po flasim për SHBA-në, që është një nga vendet me ekonomi më të qëndrueshme në botë. Imagjinoni ç’mund të themi për Shqipërinë me ekonomi të brishtë. Profesionistët e rinj në vendet e Bashkimit Evropian stimulohen me paketa fiskale, duke i lënë për 5 vitet e para pa taksa, në mënyrë që rinia të orientohet drejt biznesit dhe të jetë kreative në treg, ndërsa në vendin tonë, jo vetëm që nuk ka këto stimulime, por tashmë po përgatitet një projektligj që do të sjellë falimentimin e mbylljen e shumë zyrave të sipërmarrësve të rinj në fushën e profesioneve të lira.

- Aktualisht, çfarë detyrimesh i paguani ju shtetit?

- Profesionistët e lirë të cilët konsiderohen biznese të vogla me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit, paguajnë: tatim fitimi, 25000 lekë në vit; siguracione, 6556 lekë në muaj; tatim mbi vlerën e shtuar, tatim i mbajtur në burim për marrjen me qira të ambienteve në vlerën e 15 % të qirasë mujore dhe taksat e bashkisë. Këta të vetëpunësuar, përveç këtyre detyrimeve, ndryshe nga bizneset e tjera të vogla, paguajnë edhe 20 % të vlerës së shtuar për çdo shërbim që ofrojnë.

Në shpenzimet e tjera fikse llogariten: shpenzimet për liçencën e ushtrimit të profesionit, të cilën avokatët e kanë 13000 lekë në vit, përmbaruesit e kanë 40000 lekë në vit etj; qiraja mujore e cila minimalisht është 30000 lekë në muaj; pagesa për internet, energji, ujë, etj. rreth 5000 lekë në muaj. Shpenzimet vjetore për një të vetëpunësuar shkojnë minimalisht në vlerën e 626000 lekëve, ndërsa me ndryshimet që propozon qeveria, këto shpenzime shkojnë në total 868064 lekë në vit. Pra, dhurata që po na bën qeveria këtë fillim viti është që ne duhet të paguajmë 242064 lekë të reja në vit më shumë sesa kemi paguar.

- Ndoshta qeveria mendon për të ardhmen, në mënyrë që profesionistët e lirë të marrin pensione më të larta kur të vijë koha e daljes në pension...

- Nëse qeveria do të kishte këtë mirësi, minimalisht këtë projektligj duhet ta diskutonte me grupet e interesit, që janë Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve, Dhoma Kombëtare e Noterëve etj. Në fakt, ky projektligj është diskutuar në fshehtësi dhe ne e kemi marrë vesh vetëm nga media. Institucioni që përfaqëson avokatët, Dhoma Kombëtare e Avokatëve, menjëherë pasi është vënë në dijeni të ekzistencës së këtij projektligji i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë se Financave për ta riparë këtë projektligj, por nga informacionet që kam, ministri nuk ka kthyer ende përgjigje. E bëni vetë llogarinë sa shpenzime ka një avokat i ri, i cili merr guximin të dalë në një treg të vështirë për të konkurruar me zyra dhe avokatë të cilët kanë disa vite në treg. Pastaj, lidhur me sigurimet për pension, nëse profesionistët e rinj do të kenë të ardhura nga ushtrimi i profesioneve të tyre, ata fare mirë regjistrohen si shoqëri tregtare dhe jo si persona fizikë, formë organizimi që e kanë shumë profesionistë të cilët kanë patur sukses në profesionin që ushtrojnë dhe janë regjistruar si të tillë.

Pagesa e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore është për rrogë 85000 lekë të reja në muaj, e ka pamundur për një profesionist të lirë i cili ka shumë pak vite në treg ose i ka të ardhurat mjaft të vogla për t’i përballuar këto detyrime të cilat ia marrin frymën biznesit. Mbi të gjitha, pagesa për shumën e detyrimit mund të lihet edhe në dëshirën e atyre që ushtrojnë këto profesione, ai mund ta ketë xhiron vjetore mbi 2 milionë lekë të reja në vit por do të bëjë sigurimin minimal, pasi mendon se pensioni që mund të përfitojë në të ardhmen nuk i përgjigjet kontributit të tij. Arsye tjetër është edhe sigurimi që mund të bëjë ky person në shoqëritë e sigurimit për pension privat etj. Mjafton që ai sigurohet minimalisht dhe ky është qëllimi për shtetin, në mënyrë që nesër mos t’i bëhet barrë.

Lidhur me pyetjen tuaj, se qeveria mendon për të ardhmen e atyre që ushtrojnë profesionin e lirë, mund të them që me këtë projektligj, ajo nuk mendon për të ardhmen, por për t’i asfiksuar dhe për t’ua marrë frymën këtyre bizneseve. Kjo pasi ata që ushtrojnë këto biznese janë shtresa e mesme e shoqërisë, profesionistë të lartë të cilët duhet të ndihmohen nga qeveria me politika nxitëse dhe favorizuese, jo me politika represive të cilat nuk do të sjellin në përfundim gjë tjetër vetëm probleme sociale dhe ekonomike për shoqërinë dhe ekonominë tonë.

- Në ç’kuptim?

- Në këtë moment që flasim, ky target grup që po diskutojmë mezi po mbijeton me këto shpenzime mujore që ka dhe ndihma e shtetit nuk ndihet asgjëkundi. Vjen fundi i muajit dhe vetëm pagesa kemi. Të ardhurat janë të pakta, pasi qytetarët nuk kanë të paguajnë për shërbimin që ofrojmë... Është një situatë e vështirë ekonomikë për të cilën qeveria duhet të jetë më e ndjeshme. Ajo duhet të testojë tregun, fuqinë blerëse, të ardhurat e qytetarëve dhe jo ta ketë synimin vetëm të marrë masa sa më represive për ata që merren me biznes. Ai që merret me biznes në Shqipëri është një hero i vërtetë dhe jo dikush që duhet sulmuar duke ia zënë frymën derisa të vdesë fare. Pasi ta kemi të pamundur t’i përballojmë këto shpenzime, ne do të mbyllim derën e biznesit dhe do t’i bëhemi barrë shtetit me asistencë sociale, ndihmë ekonomike, do të vijmë nëpër zyrat e shtetit për të kërkuar një punë në shtet, pasi vetëm aty është rroga e sigurt. Ku do të gjejë shteti mundësi t’i punësojë këta njerëz të cilët deri tani nuk i janë bërë barrë shtetit, por ky i fundit veçse ka përfituar prej tyre. Nga ne kanë përfituar edhe pronarët e pronave të cilët i kanë lënë ambientet e tyre me qira. Pra, me punën tonë ne jo vetëm kontribuojmë për shtetin, por edhe për qiradhënësit e ambienteve, dhomat kombëtare ku jemi anëtarë, kompanitë e energjisë, internetit dhe ujit. Është një zinxhir organik, hallkat e të cilit kanë lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën. Shteti është rregullator dhe duhet të dijë ta mbajë gjallë e t’i japë oksigjen këtij organizmi.

- Çfarë propozoni për ta zgjidhur këtë problem?

- Mendimi im është që komisioni i ekonomisë dhe financave të thërrasë grupet e interesit të cilët preken nga ky projektligj, të dëgjohet zëri i tyre dhe të merren në konsideratë propozimet e tyre. Gjithashtu, qeveria duhet të dërgojë ekspertë në terren që të shohin realitetin, pasi me sa po kuptoj, këta nuk e njohin realitetin e shoqërisë sonë dhe momentet e vështira që ne po kalojmë. Ajo duhet të mendojë për të na ndihmuar, të paktën të na heqë TVSHnë për çdo shërbim që ne ofrojmë, pasi është diskriminim që na bëhet lidhur me bizneset e tjera të vogla. Ç’ndryshim ka një tatimpagues i vogël i cili tregton produkte të ndryshme nga një tatimpagues i vogël që ushtron shërbim avokatie? Pse ne duhet të paguajmë 20 % për çdo shërbim që ofrojmë dhe një bar- kafe nuk e paguan për të njëjtën xhiro vjetore? Profesionet e lira me xhiro deri në 2 milion lekë në vit duhen ndihmuar duke ua hequr TVSH-në pasi kjo jo vetëm na ndihmon neve që ofrojmë shërbimet tona, por ndihmon edhe ata të cilët i përfitojnë këto shërbime. Nëse qeveria nuk reagon me pozitivitet për të na ndihmuar lidhur me shqetësimet tona, atëherë të na presë në dyert e saj për të na punësuar në ndonjë zyrë shteti.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.