Edi Rama: Si u hap fjala se merrem me drogë...

Intervista - - FAQE 1 - Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Më pëlqeu shumë udhëtimi në avion me Kryeministrin, përpara dy javësh, kur shkuam dhe takuam Erdoganin e Turqisë. Besoj se e mbani mend. U nisa në një ditë të kësaj jave drejt kryeministrisë, për të takuar zotin Rama, me idenë që ishallah e gjeja aty dhe më ftonte në ndonjë udhëtim tjetër. E gjeta në zyrë, por ishte ulur në kolltuk i mërzitur.

- Përshëndetje zoti Rama!

- Hajde Kaso, hajde, hyr!

- I hyrë jam. Më falni që hyra pa trokitur, zoti Rama.

- Pse, mor Kaso, Fate Velaj je ti që të presësh pas dere? Tek unë hyr kur të duash dhe si të duash. E di ti Kaso që Fatja, këshilltari im, edhe kur i them “hyr”, nuk hyn brenda në zyrën time, por shkon hyn në internet dhe më dërgon këshillat e tij me email? (Sa u bëra të ulesha, zoti Rama u ngrit) Çohu Kaso, do nisemi me avion për në ndonjë vend jashtë. S’më rrihet me servilat përreth!

(“U shyqyr, thashë me vete, do ta bëjmë intervistën në avion”. Ai, sikur më kishte lexuar mendimet. Pas 5 minutash e gjeta veten në avion: unë, zoti kryeministër dhe piloti. Rama u ul në stol. Me urdhër të tij, unë qëndrova në krah të pilotit në kolltuk).

- Më falni, zoti Rama, por përse u ulët në stol?

- Zakon i vjetër, Kaso. Kur stërvitesha si basketbollist, më shumë rrija në stol sesa në fushë, madje kur futesha në fushë, bëhesha nervoz. Ndihesha më rehat në stol. Bëja ç’ishte e mundur që të merrja pesë gabime personale dhe të dilja nga fusha e t’i rikthehesha stolit. U mësova me të. Aty në stol mësova edhe të pikturoja.

- Si?

- I merrja ndonjë fletë trajnerit. Në fletë vizatoja, Kaso. Në fillim filloja të kopjoja vizatimet e trajnerit, ato të vendosjes së lojtarëve në fushë. Pastaj, me kalimin e viteve, fillova të vizatoja objekte të ndryshme.

- Thonë se grindeshit shumë kur luanit basketboll, zoti Rama. A është e vërtetë?

- Po nga të mos grindesha, o Kaso?! Shkaku i grindjes ama nuk ishte basketbolli, por piktura.

- Piktura?

- Dëgjomë Kaso. Mbaj mend, për shembull, kur po qëndroja gjatë një ndeshjeje në stol, vizatova një mollë. Gjithë shokët e ekipit pas ndeshjes më thoshin: “Qenka alamet pjeshke kjo molla”. Më hipën nervat. Kështu ma bënin përherë. Unë vizatoja për shembull shokun Enver, ata më thoshin: “E ke qarë fare këtë vizatimin me Mehmet Shehun”.

- Zoti Rama! Meqë më kujtuat atë kohë. Ju keni qenë një nga më aktivët e Lëvizjes së Dhjetorit, siç ka thënë edhe Erion Veliaj…

- Aq servil sa është Erioni, ndonjë ditë do thotë që kam qenë edhe në ngritjen e flamurit me Ismail Qemalin, o Kaso! Erioni është për mua siç është Luli për Salën, ndaj e ndëshkova duke e bërë Kryetar Bashkie.

- Para disa ditësh, ju thatë se ishit në meshën që u mbajt në Shkodër në vitin 1990...

- Sigurisht që isha, Kaso. E kam thënë publikisht. Shkova me tren.

- Me kë? Gjatë prononcimit, ju nuk thonit asnjë detaj. Nuk përmendnit asnjë bashkudhëtar.

- Kaso, kur të them diçka, o më beso, o të hodha nga avioni! Unë nuk gënjej. Nuk ka burrë nëne dhe bir ashtuje të thotë që unë gënjej. Atë ditë, që ta dish ti, gjatë udhëtimit drejt Shkodrës, më zuri qymyri.

- U dashuruat me ndonjë udhëtare, zoti Rama?

- Po jo, o Kaso jo! Më zuri qymyri se hipa në tren mallrash, ngarkuar me qymyr. S’ika me trenin e linjës së udhëtarëve Tiranë-Shkodër, o rrotë!

- Meqë jemi tek udhëtimet... Përse ju pëlqejnë udhëtimet me avion, zoti Rama?

- Po nga të mos më pëlqejnë, Kaso?! Nga avioni nuk duket fare rrumpallë Tirana. Nuk duket fare se në ç’derexhe është katandisur nga keqqeverisja e këtyre 25 vjetëve, duke më hequr mua. Meqë më kujtove avionin, Kaso... Me të kam një histori të trishtë, që thua ti, madje të tmerrshme. Gjithsesi, më mirë të më ndodhë ndonjë gjë në avion, sesa në tokë.

- Mund ta di, ç’histori?

- Posi jo, Kaso! Ty t’i them të gjitha unë. Isha një ditë në zyrë. “Ça të bëj, ça të bëj?”, thosha me vete. Dokumente mbi tavolinë s’kisha që t’i vizatoja. Dola nga zyra e mora pilotin. Ai mori një avion të vogël dhe filluam të bridhnim me të në qiell. Bridh e bridh, bridh e bridh, pamë një avion tjetër. I vinte era drogë që në ajër. “Ndiqe”, i thashë pilotit. Ne ndiq, avioni tjetër largohej. Ndiq e ndiq, e ndiq e ndiq, kur humbëm rrugën. “Kthehu në drejtim të Italisë”, i thashë pilotit. U kthye piloti. Sa u kthye ai, na erdhën edhe dy avionë të tjerë. Edhe ata mbanin erë drogë. S’dija cilin të ndiqja më parë. “Në sulm Aqif, i thashë pilotit. Të luftojmë trafikimin e drogës. Na e ka lënë detyrë BE-ja!”. U hodh në sulm piloti si shqiponjë me 400 mijë lekë të vjetra rrogë. Po s’i kapëm dot, Kaso...

- Përse?

- S’kishim karburant të mjaftueshëm. Ata të LSI-së i kishin hequr karburantin avionit, duke e thithur me zorrë, nga serbatori.

- Kur e zbuluat këtë?

- Që në 2003-shin, kur u nda Meta nga PSja. Ata, Kaso, janë sabotatorë të qeverisë, por ç’t’u bëj?!

- Po si arritët të uleshit në tokë, zoti Rama?

- U hodha me parashutë, Kaso. Ia mora pilotit të tijën... Kur rashë në tokë, e gjeta veten pranë një avioni. Ishte një prej avionëve me drogë që kisha ndjekur, që, sikur ta kisha kapur në ajër, do ta kisha bërë copë-copë, do ta kisha bërë. U ul zagari, pa ia tregoja unë...

- Po pse s’e bëtë copë-copë në tokë, zoti Rama?

- Ata kishin rënë, o Kaso. S’ishin më në fluturim. Me të rënët nuk merret partia jonë. Të rënët ne i nderojmë. Më pas erdhën banorët e katundit e na panë aty bashkë. Shumë katundarë u lëshuan drejt meje, kush e kush të më puthte më parë.

- Ju puthën?

- Jo, jo, s’i lashë. I lashë të më puthnin vetëm dorën. Këta katundarë, mendova, do jenë ata të “1 milion shuplakave” që i dhanë opozitës, ndaj u dhashë të më puthnin shuplakën.

- Po pjesa tjetër e banorëve?

- Ata, si duket, ishin me opozitën, u larguan. Pastaj, Kaso, u hap llafi që Rama bashkëpunon me trafikantët e drogës. Ja kështu!

Mos e merrni

seriozisht,

ju lutemi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.