Ndihem shqiptar edhe pa pasaportë

Intervista - - FAQE 1 -

Nuk mund të imagjinohet Xhani de Biazi pa Paolo Tramexanin dhe e anasjellta. Një binom perfekt, mes idesh taktike- teknike, skemave, psikologjisë dhe sidomos përcjelljes së mesazheve te futbollistët. E megjithatë, nëse gjatë gjithë kësaj periudhe, pas kualifikimit historik të Shqipërisë, kryefjala ka qenë trajneri, “kallëzuesi” pa diskutim është Paolo Tramexani, ish-futbollisti i Interit. Ai është njeriu që “çirret” nga stoli duke dhënë udhëzime dhe që në përfundim të çdo ndeshjeje i telefon familjes për të ndarë gëzimin, por edhe hidhërimin. “Paolino”, siç e thërrasin, në këto katër vjet ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në aeroporte, kryesisht në Evropë, me valixhe në dorë...

Eraldo Harlicaj: - Ciao Paolo. Si ndihesh tani që për të parën herë në karrierën tënde ( edhe pse jo në fushë si futbollist) do të marrësh pjesë në Evropianin e futbollit?

Paolo Tramexani: - Mirëdita Eraldo… Ishte sigurisht një gëzim i madh dhe një kënaqësi e pamasë. Sa i përket aspektit të punës, mendoj se ishte suksesi dhe kurorëzimi i punës së zhvilluar në këto katër vjet, ndërsa sentimentalisht, është diçka unike sepse ka bërë të lumtur një popull të tërë. Një popull që ka besuar gjithmonë se mund t’ia dilte, që nuk është dorëzuar kurrë, një popull që është krenar për këtë skuadër.

- Kush ishte personi i parë me të cilin fole pasi Shqipëria arriti kualifikimin?

- Si gjithmonë, familja ime; babai im, nëna, gruaja dhe vajzat. Nuk mund të ishte ndryshe. Me ata kam ndarë gjithmonë jetën time, ata më kanë mbështetur si në momentet pozitive, si në ato negative.

- Pas këtij suksesi, si ndryshuan gjërat në jetën tënde të përditshme?

- Jeta ime nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Jam edukuar që fëmijë që të përballem me jetën ditë pas dite, me ekuilibër dhe shumë thjeshtësi, duke u përpjekur të jap gjithmonë maksimumin dhe të mos demoralizohem në vështirësi. Unë besoj se fati nuk ekziston; ai është një koncept abstrakt. Gjithçka arrihet nëpërmjet pasionit dhe punës. Fjala “punë” vjen përpara fjalës “sukses” edhe në fjalor.

- Nëse dy vite më parë do të të kishin thënë se do të shkoje në Evropian me Shqipërinë, do ta kishe besuar?

- Kam pasur gjithmonë përpara meje këtë objektiv, ashtu si edhe atë të kualifikueseve në Botëror, në dy vitet e para. Mund të jem i çmendur, por jetoj ende me zemër. Kjo më lejon që të kaloj edhe pengesat. Kur vendos të synosh lart dhe duhet të ndash këtë ecuri me një staf e një grup djemsh, duhet të zbresësh në fushë edhe ti. Nuk mund të fshihesh, duke ditur se do të kesh vështirësi dhe përpara tyre, s’mund t’ia mbathësh. Duhet të rezistosh; në këtë mënyrë nis të vendosësh gurin e parë për të arritur te suksesi. E bën për vete dhe sidomos për të tjerët. Kjo do të thotë forcë e grupit. Bashkë çdo gjë është e mundur, ashtu si skuadra e tregoi.

- Ti punon edhe si opinionist te RAI. Çfarë përgjigjeje u jep kolegëve kur të pyesin për kombëtaren shqiptare dhe për vendin tonë?

- Janë të shumtë personat që më pyesin për skuadrën tonë dhe për vendin tuaj. Përgjigjja është e njëjtë: skuadra ka karakterin dhe kurajon e popullit, të historisë dhe të origjinës së tij. Vendi juaj më pëlqen shumë, kam qenë edhe me pushime me familjen për tre javë. Edhe ata janë ndjerë shumë mirë këtu.

- Je krahu i djathtë i Xhani de Biazit, por në ndeshje, je ti ai që bërtet më shumë nga stoli. Si ka mundësi?

- Përpiqemi të veprojmë në çdo gjë me De Biazin dhe në pankinë ndodh që në disa situata të jem unë ai që sjell mesazhet te djemtë.

- Na kanë thënë që flet shqip më mirë se De Biazi... E vërtetë?

- Jo, jo, nuk është e vërtetë.

- Sipas teje, cili është sekreti i kësaj kombëtareje?

- Mentaliteti dhe ndjesia e përkatësisë për fanellën që mbajnë veshur. Përzihen personaliteti, kultura, karakteret e ndryshme që kanë objektiva të përbashkët, që arsyetojnë në të njëjtën mënyrë, duke vendosur skuadrën përpara çdo gjëje. Arrijnë të shkojnë përtej vetes, të kalojnë kufijtë dhe egoizmat individualë për të qëndruar tek aftësia e ndërtimit të diçkaje bashkë me të tjerët. Besoj se në fushë mund të shihen këto aspekte.

- Futbollisti kyç i kualifikimit?

- 68 futbollistë... Të gjithë ata që kemi grumbulluar në këto 4 vjet. Çdokush meriton falënderimin tim. Çdokush nga ata ka dhënë diçka në këtë rrugëtim dhe në rritjen e skuadrës.

- Si janë raportet me futbollistët? Flet shpesh me ata, i ndjek?

- Është një raport i veçantë. I ndjek vazhdimisht, nuk humbas kurrë asnjë ndeshje të tyren. Shkoj i shoh edhe në stadiume, i takoj dhe flas personalisht. Më pëlqen të ballafaqohem me ata dhe i trajtoj sikur të ishin fëmijët e mi. Bisedojmë shpesh, duke u përsëritur atë që kërkon trajneri De Biazi. Personalizoj bashkëbisedimin me çdo element të skuadrës duke i lënë të kuptojë atë që presim nga ai dhe gjëra të drejtpërdrejta sepse duam që të ketë besim dhe të jetë i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka në skuadër. E bëj gjithmonë me ndjenjë, sepse në fillim i flas njeriut dhe më pas, futbollistit. Është një moment reciprok përfshirjeje.

- Na flisni pak për cilësitë e dy futbollistëve të rinj në Serinë A, Elseid Hysaj dhe Rei Manaj...

- Elseidin e njoh qëkur luante me para të rinjtë e Empolit. Ai do të bëhet një nga mbrojtësit e krahut më të fortë ndërkombëtarë. Që në moshën 18-vjeçare ishte i pjekur dhe i përgjegjshëm. Rei Manaj, në perspektivë mund të bëhet një sulmues i kompletuar, cilësor, sepse ka gjithçka nga karakteri, te vendosmëria. Duhet të rritet pa presione.

- Të kalojmë pak tek ajo që do të ndodhë në të ardhmen. Pas Evropianit, nëse një klub të kërkon në pankinën e tij, çfarë do të bësh?

- Shqipëria ka prioritet, edhe pasi të ketë përfunduar Evropiani.

- Nëse De Biazi vendos të largohet dhe presidenti Duka të ofron stolin e kombëtares kuqezi...

- No coment.

- E njeh mjaft mirë Xhanin (De Biazi), kështu që mund të na thuash sekretet e tij... Si i përgatit ndeshjet? Thuhet se është maniak i detajeve...

- Shumë i përpiktë, një punëtor i vërtetë, dëshiron maksimumin nga vetja dhe nga ata që janë afër tij. Jeton 100% për këtë skuadër. Ka shumë intuitë dhe parashikon problemet që mund të krijohen. Vendoset në rolin e futbollistëve për të kuptuar se çfarë duan, sepse edhe ai ka qenë si ata dikur, ndaj e di për çfarë kanë nevojë dhe çfarë kërkojnë.

- Ti je i vetmi që nuk je pyetur se kush i ka meritat më të mëdha për kualifikimin...

- Besoj se meritat janë të shumë përbërësve: Trajner, futbollistë, mjekë, masazhatorë, magazinierë dhe tifozë. Të gjithë kanë pasur rol të rëndësishëm për funksionimin e grupit. Falënderoj me zemër Armando Dukën dhe Federatën për atë që kanë bërë në këto vite, për përgjegjësinë që kanë pasur në zgjedhjen aspak të lehtë të fillimit. Jemi vendosur gjithmonë në kushtet për të punuar sa më mirë në çdo aspekt, në një bashkëjetesë dhe stabilitet emotiv esencial për të krijuar një ambient të qetë, duke ndarë mendime, pasion dhe dashuri për këtë kombëtare. Në futboll, ashtu si në jetë, besimi është i rëndësishëm, na fuqizon të gjithëve. Pa këtë bashkim, nuk do ta kishim arritur kurrë atë që arritëm. Të gjithë jemi ndihmuar dhe të gjithë jemi rritur dhe përmirësuar.

- Na trego një anekdodë mbi kombëtaren shqiptare, apo mbi punën tuaj këtu në Shqipëri...

- Nuk mundem, sekret profesional.

- Po gatimin e preferuar shqiptar, do të na e tregosh?

- Byreku.

- Të pyesin shpesh për futbolistët shqiptarë që mund të luajnë në Serinë A. Cilët emra këshillon?

- Futbollistët tanë janë shumë të njohur, shumë prej tyre janë të ndjekur nga klube italiane. Do t’i këshilloja shumë nga djemtë tanë që luajnë me moshat U-21, U19 dhe U-17.

- Sa orë në ditë qëndron duke studiuar përgatitjen taktike?

- Shumë. Është një pjesë e punës sime, që e bëj me kënaqësi të madhe.

- Ku frymëzohesh për modelin tënd të trajnimit?

- Te pasioni im, që ishte forca ime edhe kur luaja futboll. Kam dhënë gjithçka në këtë zanat; i kam dhënë jetën qëkur isha fëmijë.

- Është e vërtetë që i studion lëvizjet e kundërshtarit duke i riparë skenat e lojës më shumë se dhjetë herë?

- Ndonjëherë analiza është më e gjatë dhe e përsëritur, por më jep mundësi që ta studioj me detaje kundërshtarin.

- Çfarë shpreson për Evropianin?

- Që të vazhdojmë të befasojmë dhe që skuadra të mund ta luajë futbollin e saj pa frikën e askujt.

- Po nëse në short ju bie Italia, çfarë himni do të këndosh?

- Të dyja himnet.

- Kosova thotë se në të ardhmen do të ftojë talentet kosovare... E keqe për Shqipërinë kjo gjë, duke qenë se në përbërje ka shumë kosovarë?

- Të shohim kur kjo të ndodhë.

- Futbolli shqiptar ka një të ardhme?

- Jam i bindur që po.

- E mbyllim kështu: De Biazi ka marrë pasaportën shqiptare dhe tani thërritet “Gani”... Kur do ta marrësh edhe ti nënshtetësinë shqiptare?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.