Burri nuk do që të ketë fëmijë me mua!

Intervista - - FAQE 1 -

Përshëndetje. Nuk e di a do ta botoni historinë time, por e vetmja gjë që dua është të shfryj, pasi më duket sikur do të pëlcas nga momenti në moment. Jetoj në shtëpi vetëm me bashkëshortin tim, që më të shumtën e kohës është në punë dhe nuk kam me kë të hapem. Në fakt, edhe nëse ai do të kishte kohë, nuk di a do të mund të hapesha me të, se ai është shumë i ngurtë. Pastaj, ne femrat ndonjëherë duam të bëjmë muhabet femrash dhe vetëm njëra-tjetrën mund ta kuptojmë. Unë, fatkeqësisht, nuk kam motër dhe shoqet më janë larguar qëkur jam martuar, nuk e di se pse... Në fillim vinin të më takonin, po im shoq u rrinte shumë ftohtë dhe si duket, ato e kuptuan se nuk duhet të vinin më. Si të them, burri im nuk është njeri i keq, po nuk do njeri në shtëpi, acarohet sa vjen dikush dhe nuk jep muhabet. Mundësisht shkon nga dhoma tjetër dhe ia fut gjumit. E kush të vjen në shtëpi kur sillesh kështu?

Unë ndihem shumë e vetmuar dhe dhimbja që po kaloj tani, më ka dërrmuar fare. Jam 37 vjeçe dhe nuk kam ende fëmijë... u martova pak e madhe me burrin, se nuk më ecte. Një lidhje pata para këtij dhe me atë isha e fejuar, por ai më la sepse provuam disa herë të bënim fëmijë dhe unë nuk ngela shtatzënë. Ai si duket i tregoi së ëmës se unë nuk po ngelesha shtatzënë dhe ajo ndikoi tek ai që gjërat të ftoheshin aq shumë, sa të më linte. E përjetova shumë keq ndarjen me të, por më shumë përjetova faktin që më dukej vetja si e pavlerë. Mos e provoftë femër në jetë që të mos ngelet dot shtatzënë! S’ka dhimbje më të madhe! Të duket sikur nuk je e zonja për asgjë kur nuk i jep dot një fëmijë burrit tënd dhe kur nuk arrin të bëhesh nënë. Kur u martova me burrin që kam, ai e dinte se unë nuk ngelesha shtatzënë, por nuk e vrau mendjen shumë. Ai ka një fëmijë nga martesa e parë dhe kur unë i tregova me zemër të ngrirë për problemin tim, ai jo vetëm nuk u mërzit, por sikur i erdhi mirë. Edhe sot, që unë përpiqem aq shumë të ngelem shtatzënë, ai nuk e vret mendjen shumë. Më duket sikur ndihet i plotësuar me fëmijën e parë dhe mua më do vetëm për t’i shërbyer, për të patur në shtëpi një grua që lan e shpëlan për të...

Juve mund t’ju duket sikur e teproj, por nuk e teproj fare. As e kam ndier ndonjëherë sikur më do. Nuk ma prish për asgjë, por edhe kjo s’më pëlqen. Më duket sikur as që ia ndien për mua... Që po thoja pak më lart, këto kohë po përjetoj një dhimbje tjetër të madhe. Me këmbënguljen time dhe jo shumë me dëshirën e tij, unë arrita të bëja farëzim artificial. Pas shumë e shumë lufte me tim shoq, ai e pa se unë nuk hiqja dorë nga qëllimi im dhe u bind se duhet ta bënim këtë. Shpenzimet ishin shpenzime, po për këtë ai s’e vret shumë mendjen se punon kamionist dhe i kemi lekët me thasë. Ai më shumë nuk donte që ta bënim këtë fëmijë sesa donte, por unë ia nxiva jetën derisa pranoi.

Shkuam në një klinikë këtu në Tiranë dhe mjeku na dha një qind për qind siguri se unë do të mbetesha shtatzënë, madje jo me një fëmijë, por ndoshta edhe me binjakë. Periudha kur prisja të mbaronim me të gjitha procedurat ka qenë periudha më e gjallë e jetës sime qëkur jam martuar. Megjithëse isha si e frikësuar e shumë në akth, mendimi se mund të ngelesha shtatzënë më përfshiu të tërën. Ne nuk i treguam askujt për këtë që po bënim. Prindërit e tij nuk para janë shumë prezentë në jetën tonë, se ata jetojnë jashtë me vëllain tjetër që ka ai, kështu që ata më shumë nuk janë sesa janë. Nga ana tjetër, nëna ime ka vdekur dhe unë kam vetëm një vëlla, por nuk jam shumë e lidhur me nusen e tij. Plus që kisha frikë se mos më merrte mësysh dhe nuk i tregova gjë. Thashë me vete se ishte më mirë të përfundonte kjo punë dhe ata ta merrnin vesh kur të më rritej barku.

Farëzimin e bëmë ...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.