Atë e vranë për shkakun tim

Intervista - - FAQE 1 -

Po e shkruaj letrën time për shkak të trishtimit që ndjej në shpirt. Tragjedi si kjo e imja mund të ndodhin kudo në botë, por në Shqipëri mendoj se janë më të shpeshta. Sot jam njëzet e gjashtë vjeçe dhe akoma qaj e vuaj për atë që më ndodhi kur isha 20 vjeçe. Kam mbaruar Fakultetin Filologjik dhe punoj në qytetin tim. Megjithëse është qytet i vogël dhe i qetë, nuk më ofron aspak qetësinë ndoshta për shkak të ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të të dashurit tim. Po e filloj nga fillimi historinë e trishtë e cila po më përndjek akoma edhe sot. Kur unë mbarova shkollën e mesme, me rezultate të mira, sigurisht, fitova edhe të drejtën e shkollës së lartë.

Prindërit e mi, të lumturuar që vajza e madhe po jepte shembullin perfekt për vajzën tjetër adoleshente, e përjetuan shkollën time si mrekulli. E në fakt kush është ai prind që nuk do të gëzohej më ecjen përpara të fëmijëve? S’ka besoj. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçe, unë erdha në Tiranë dhe im atë më shoqëroi deri te god- ina ku unë do të banoja deri në përfundim të fakultetit. Pasi ngrita çantat e mia lart në katin e katërt, përshëndeta babain nga dritarja dhe zbrita menjëherë për t’i treguar se ç’kisha e ç’më mungonte në dhomë. Ai më la aq para sa kishte dhe më tha që kur të shkoja në fundjavë në shtëpi, do të më jepte edhe të tjera, se sigurisht ,është frikë të lëvizësh me shumë para në xhep (jo se ne kishim aq shumë, por për ne ato ishin mjaftueshëm shumë).

Pas prezantimit me shoqet e dhomës, në darkë të dyja më mësuan se ku mund të blija gjëra e kështu, muhabete vajzash. Ato ishin njëra në vitin e dytë, tjetra në të tretin dhe ishin më të mësuara. Nata e parë m’u duk bukur, por qysh të nesërmen në mëngjes e ndjeva mungesën e prindërve, mungesë që do ta ndieja derisa u takova me Ermalin.

Në ditën e parë në fakultet mësova të orientohem me auditoret, takova moshataret e mia dhe kur u ktheva në dhomë, m’u duk sikur kisha vite që banoja aty. Sa për fillim, e kisha vendo- sur t’i përkushtohesha shkollës e të “mësoja” vetëm ato daljet e domosdoshme me shoqet për kafe. Kur mbarova sezonin e parë të provimeve, unë isha studentja më rregullt në leksione e seminare. Edhe me provimet dola shumë mirë. Kisha zënë shoqe e shokë në shkollë, por rrija pak e tërhequr për vendimin që kisha marrë. Deri atëherë asnjë natë të vetme s’kam dalë me shoqërinë në pab, gjithmonë thoja “duhet të mësoj”, por ky serioziteti im jo për të gjithë ishte mefshtësi. Për një djalë, kjo kishte qenë karakteristika më e mirë ndër gjithë vajzat e shkollës. Shoqëria e grupit tim kishin shumë të njohur nga fakultetet e tjera. E ndër këta ishte edhe Ermali. Ai ishte kushëriri i shokut tim të grupit. Ishim takuar në oborrin e fakultetit disa herë. Ermali banonte në Tiranë, ishte në vitin e fundit. Herët e para s’më ra në sy asgjë e veçantë te ky djalë që vinte e rrinte me ne që quheshim “të rinjtë e ardhur”. Po afronte fundi i vitit të parë të fakultetit, ndërkohë që unë akoma dija rrugën shkollë-konvikt dhe të kundërtën. E vetmja hargalisje ishin ndenjtjet me orë të tëra në oborr herë duke pritur profesorët e herë pas mësimit. Në këto ndenjtje në oborr të fakultetit miqësia me Ermalin filloi të më dukej si e domosdoshme. Me ardhjen e vapës, filluam të shkonim në kafene. Kishim filluar të rrinim gjithmonë e më afër me njëri-tjetrin, derisa një ditë Ermali më kapi për krahu teksa kalonim rrugën për të kaluar të kafja. Kur më futi krahun aq miqësisht, m’u rrënqeth trupi. Ai e ndjeu, por bëri sikur nuk e kuptoi. Pasi dolëm nga kafja ai nuk më përshëndeti për t’u ndarë njëkohësisht me të tjerët si gjithmonë, por më futi sërish krahun dhe e kaluam rrugën bashkë. Kur ishim te porta e fakultetit, më tha:

- Të të përcjell deri lart? Mund të flasim pak edhe kur jemi vetëm? - dhe po më shihte sikur do të më hante.

- Sigurisht që mund të më përcjellësh, - i thashë ndërkohë që mornicat më përshkruan trupin sërish. Sapo kaluam rrugën pas fakultetit ai më hodhi krahun në qafë ndërsa ecnim. U përpoqa të lirohesha sa nga frika se do na shihte njeri, sa nga emocionet.

- Dua të të ndjej... të lutem mos shty, mos më largo, - tha dhe vazhdoi të ecte. Eca si e ngrirë me një bllokim total të trurit nga emocionet që m’u mblodhën në grykë.

- Atëherë, ti pret që të flas vetëm unë, - tha ai, duke e ndier që unë po dridhesha. - Mirë atëherë, po e them unë i pari, ti je vajza më e veçantë që kam parë e takuar ndonjëherë. Ti më pëlqen kaq shumë dhe do të më pëlqente shumë, po shuuuumë... të dua, - tha dhe më puthi në flokë sikur unë të isha ndonjë princeshë.

Nuk mbaj mend se si e ngjita maloren te kinoteatri, ndërsa në sheshpushim, Ermali më tërhoqi të uleshim në një stol. Në pesë minutat e para nuk arrita as ta shikoj, as të dëgjoj se ç’më tha. Kisha ngrirë e tëra. Me sa duket, edhe ai e pa që e kisha humbur fare dhe më pyeti:

- Po më dëgjon apo po flas me veten time? - dhe qeshi. E ktheva kokën e pa- shë dhe i buzëqesha.

- E di deri kur të kam ndjekur? - thashë. - Pa hë? - Deri kur ti më the “të dua”... I kam dëgjuar shumë mirë jo vetëm fjalët, por edhe sa herë ke marrë frymë. Po pas kësaj ke folur veçse me veten tënde, - dhe qesha, ndërsa më në fund arita ta shihja në sy.

- Po unë u lodha mi goce! Edhe rruga malore, edhe ti s’më dëgjon, e kupton sa humbës jam? - qeshi edhe ai, ndërsa duart e tij shëtisnin në flokët e mi.

- Nuk e di sa humbës je, por unë s’të gënjeva. Isha plotësisht e sinqertë, kështu që të lutem më falëndero.

- Oh, sigurisht që do të të falënderoj me shumë kënaqësi, - tha dhe nuk e di se si ndodhi por menjëherë më puthi. U përpoqa të tërhiqesha mbrapsht dhe Ermali i largoi buzët e tij nga të miat e më tha: - Ç’pate, më the që të të falënderoj, apo e kuptova gabim unë?

- Po falënderimi është me fjalë, pse ngatërrohesh kaq shumë? - i thashë.

- Po mua më pëlqen më shumë falënderimi me vepra, - tha ai, ndërsa...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.