Fatos Malaj: Arogi, përkrahje emigrantëve

Fatos Malaj, ekspert për politikën e emigracionit dhe president i organizatës Arogi (Përkrahje)

Intervista - - FAQE 1 -

- Para disa muajsh u vunë në zbatim dispozitat e reja për emigracionin në Greqi. Cilat janë anët pozitive që përmbajnë ato?

- Anët pozitive të ligjit të ri Nr.4332 janë të shumta. Së pari, sepse nga ky ligj përfitojnë afërsisht 150 000 emigrantë, më konkretisht të gjithë ata që kishin humbur të drejtën e lejes së qendrimit, gratë e emigrantëve që kishin lindur fëmijë këtu në Greqi, por prej vitesh ishin të paligjshme, si dhe mijëra e mijëra emigrantë të brezit të dytë që marrin nënshtetësinë greke.

- Cilat janë hapat që duhen ndjekur për marrjen e nënshtetësisë greke?

- Për marrjen e nënshtetësisë greke, në parim, janë dy mundësi, marrja si brezi i dytë i familjeve të emigrantëve edhe marrja si emigrant i brezit të parë, i ardhur në Greqi. Të dyja rastet ndahen në disa kategori. Në kategorinë e parë hyjnë fëmijët e emigrantëve të cilët kanë lindur në Greqi. Këta e përfitojnë nënshtetësinë me hyrjen në klasën e parë të sistemit arsimor grek. Këtu hyjnë fëmijët që nuk kanë lindur në Greqi, por kanë mbaruar 9-vite shkollë nga klasa e parë, ose kanë përfunduar 6 vite shkollë gjimnaz-lice, ose kanë mbaruar arsimin e lartë në Greqi me provime të maturës greke.

Marrja e nënshtetësisë për brezin e parë është disi më e vështirë, sepse ata që kanë mbushur 10 vite të ligjshme në Greqi, kalojnë në provim për historinë edhe gjuhën greke.

- Ndryshime janë bërë sipas ligjit të ri edhe për prindërit që kanë lindur fëmijë në Greqi. Në ç’mënyrë e përfitojnë lejen ata?

- Prindërit që kanë lindur fëmijë në Greqi, për të përfituar leje qëndrimi, duhet të paraqesin certifikatën e lindjes së fëmijës i cili ka lindur në Greqi para datës 9.7.2015, lejen e qëndrimit të fëmijes, lejen e bashkëshortit dhe siguracionin e shëndetit. Ligji jep edhe një mundësi për ata që janë divorcuar, ose kanë fëmijë jashtë martese. Edhe ata përfitojnë nga ky ligj, duke paraqitur të njëjtat dokumente, madje pa lejen e bashkëshortit.

- Çfarë bëhet me ata prindër, fëmija i të cilëve ka lindur pas datës 9 korrik 2015?

- Këta duhet t’i drejtohen Ministrisë së Brendshme për aplikim për leje për arsye të jashtëzakonshme.

- A mund të na thoni, ju lutem, më konkretisht, se cilat kategori të emigrantëve përfitojnë të tillë leje dhe ku duhet të ap-

likojnë ata?

- Në këtë kategori hyjnë ata që kanë qenë të ligjshëm 5 vjet gjatë 10 viteve të fundit, si dhe ata emigrantë që gjatë gjithë viteve të qëndrimit në Greqi janë pajisur qoftë edhe me një leje qëndrimi. Këta duhet të vërtetojnë me dokumente të ndryshme që jetojnë rregullisht gjatë këtyre viteve në Greqi. Së treti, në këtë kategori, hyjnë edhe ata që nuk kanë patur leje, por mund ta vërtetojnë me dokumente të ndryshme se ndodhen ne Greqi gjatë 7 viteve të fundit.

- Ju falemnderit për informacionin me vlerëqë na dhatë. Gjithashtu, nga ju deshëm të dinim edhe disa fjalë për organizatën joqeveritare Arogi-Përkrahje, që ju drejtoni. Në pak vite ajo është bërë shumë e njohur mes emigrantëve. Gjithashtu, ajo shquhet për një bashkëpunim të mirë, edhe me komunitetin, edhe me autoritetet greke. Si është arritur ky bashkëpunim?

- Ky bashkëpunim është arritur me punën konkrete të kësaj organizate. Ajo ka qëndruar gjithmonë pranë emigrantëve duke i njohur problemet dhe vështirësitë e tyre. Kështu, ne e kishim më të thjeshtë për t’i përcjellë ato në organet përkatëse qeveritare edhe joqeveritare.

Organizata përbëhet nga shumë emigrantë të cilët në Greqi kanë patur suksese në fushat ku ata kanë punuar, si për shembull artistë, juristë, gazetarë, biznesmenë, ndërmjetës ndërkulturorë, sportistë etj., që me përvojën e tyre shumëvjeçare janë të besueshëm, si në komunitetin shqiptar, ashtu edhe në atë grek. Kjo u jep mundesi më të mëdha në ndihmën që u japin emigrantëve për integrimin e tyre në shoqërinë greke dhe në atë evropiane.

- Cilat janë objektivat më ambicioze të organizatës së emigrantëve Arogi (Përkrahje)?

- Objektivat kryesore te organizatës janë integrimi i emigrantëve në shoqërinë evropiane, ndihma për emigrantët me informacione mbi ligjet për marrjen e lejes së qëndrimit, aktivitete kulturore në masë të gjerë të emigranteve duke gërshetuar kulturat e të dyja vendeve etj.

Do të kemi kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Emigracionit, Ministrinë e Brendshme të Greqisë, prefekturat, si organe ekzekutive, por edhe institucione të tjera shtetërore. Aty, organizata, si edhe më parë, do të sugjerojë dhe shprehë mendimet e saj për ligjet e urdhëresat e ndryshme, si dhe për zbatimin e tyre në praktikë. Ne do të mbajmë lidhje me simotrat tona në Evropë, si dhe me institucionet evropiane, ashtu siç kemi bërë këtë vit që sapo u mbyll. Një aktivitet me rëndësi i shoqatës sonë ishte vizita në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel ku në takimin me përfaqësues të lartë të tij diskutuam për të ardhmen e intergrimit të emigracionit në Greqi dhe ligjeve që do ta realizojnë këtë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.