Avni përpiqet të helmojë Sadnën

Intervista - - FAQE 1 -

Avni përballet me Vinetin për problemin e arrestimit të këtij të fundit. Më tej, Avni bisedon me Navinin në lidhje me faktin se ishin ata të dy që e shkaktuan arrestimin e Vinetit. Ragni e dëgjon këtë bisedë, duke mësuar kështu se për këtë, e kanë fajësuar më kot Vasundrën. Sadna ndodhet në spital, por gjendja e saj përkeqësohet. Mjeku informon se Sadna duhet t’i nënshtrohet një operacioni.

Vasundra kërkon falje

Sadna i nënshtrohet operacionit, ndërkohë që Indraxhiti dhe Vasundra luten për shëndetin e saj. Mjeku informon të gjithë se operacioni përfundoi me sukses. Aleku, i prekur nga gjithë çfarë ka ndodhur, takohet me Sadnën. Vasundra arrin në spital, ku Ragni e lajmëron se Sadna e ka kaluar rrezikun. Nga ana tjetër, Aleku, i zemëruar me të, nis t’i bërtasë dhe ta fyejë. E prekur, Vasundra niset të ikë, por Aleku e thërret dhe e lejon të shkojë të takojë Sadnën.

Vasundra i kërkon falje Sadnës për lëndimin që i ka shkaktuar, ndërkohë që ajo është në gjumë. Kur hap sytë, Sadna arrin të shohë në mjegull vetëm siluetën e Vasundrës teksa largohet. Aleku dhe Ranviri e falin nënën e tyre dhe kalojnë pak kohë me të. Vasundra u kërkon Alekut dhe Ranvirit që të marrin me vete gratë e tyre, kur të kthehen në shtëpi. Ragni gëzohet kur i sheh të tre së bashku, ndërkohë që nuk ndodh e njëjta gjë me Navinin dhe Avnin. Këta të dy, të zemëruar që u del situata nga kontrolli, nisin të grinden me njëri-tjetrin.

Avni e Navini, veprojnë kundër

Sadnës

Mjeku informon Alekun për pasojat që do të ketë aksidenti i Sadnës dhe ai vazhdon të qëndrojë në dhomën e saj, duke i shërbyer. Ragni i tregon Maltit dhe Vinetit për çfarë ka dëgjuar të bisedojë Avni dhe Navini. Ragni i tregon planin e saj Maltit dhe të vëllait. Vasundra i sjell Sadnës ushqim në spital, por ende nuk e ka guximin që t’i dalë përballë asaj. Duke ndjekur planin e Ragnit, Malti shkon të takohet me Avnin.

Malti përpiqet të kuptojë planin që ka Avni e Navini dhe ia tregon Ragnit bisedën që bëri me Avnin. Mjeku informon se Sadna do të dalë shumë shpejt nga spitali. Nga biseda që bën me Avnin, Ragni e kupton se ajo po përpiqet të helmojë Sadnën dhe, duke qenë se ushqimin për këtë të fundit e ka sjellë Vasundra, mendon që t’ia hedhë fajin asaj për çfarë do të ndodhë.

Ragni ua çjerr maskën

Navinit e Avnit

Vineti mban nën vëzhgim Navinin, ndërkohë që Ragni dhe Malti nuk ia ndajnë sytë Avnit. Ragni dhe Malti vrapojnë për në spital që të mos e lënë Sadnën të hajë ushqimin e helmuar nga Avni. Në praninë e Vasundrës, Ragni e detyron Avnin të hajë ushqimin që u soll për Sadnën, por ajo refuzon dhe e pranon se ka hedhur helm në ushqimin e Sadnës sepse kështu e ka udhëzuar Navini. Navini gjithashtu bie në kurth kur Ragni, për të provuar fajësinë e tij, i thotë se Avni ka ngrënë ushqimin e sjellë për Sadnën dhe është helmuar. Navini dhe Avni arrestohen nga policia.

Malti tregon në shtëpi për gjithë çfarë ka ndodhur në spital. Anandi fshihet nga Ragni dhe Ranviri. Vineti i tregon Ranvirit dhe Alekut se është duke kërkuar punë. Vasundra përgatitet për ardhjen e djemve me nuset e tyre dhe Koshalia e ndihmon atë. Vasundra mirëpret Alekun, Ranvirin, Ragnin dhe Sadnën, e penduar për sjelljen e saj të deritanishme ndaj Sadnës.

Anandi bashkëpunon me Karanin

Të dyja çiftet e të rinjve janë të lumtur me ndryshimet që kanë ndodhur në jetën e tyre dhe kalojnë momente romantike me të dashurit e zemrës. Aleku merr Sadnën jashtë për një shëtitje, por ajo sheh Karanin dhe trembet. Aleku ia shpjegon se ai është shok i Ranvirit dhe i shpjegon asaj planin që kishte dikur vëllai i tij. Vineti vjen në shtëpi i rrahur dhe tregon se ndërsa kërkonte punë, është zënë me disa njerëz që kishin fyer atë dhe familjen e tij. Indraxhiti u dërgon një letër referimi ku u thotë Vineti ka qenë një punonjës i ndershëm në firmën Raxhvanxh. Anandi takohet me Karanin dhe, pasi i jep atij një foto të familjes Raxhvanxh, i kërkon të vazhdojnë me planin e tyre.

Ranviri dhe Ragni u bëjnë një dhuratë surprizë Indraxhitit dhe Vasundrës për përvjetorin e tyre të dasmës. Vasundra u dhuron bizhuteri të lashta të familjes Ragnit dhe Sadnës. Sadna është e shqetësuar për plagët e saj, por Aleku e ngushëllon. Vineti tregon se ka arritur ta fitojë vendin e punës. Ranviri, Aleku, Sadna dhe Ragni festojnë përvjetorin e martesës së Vasundrës dhe Indraxhitit, ku Aleku këndon për Sadnën.

Ragni mëson se Sumani merrej me prostitucion

Ndërsa po kalojnë momente të lumtura në familje, bie telefoni dhe e ngre Indraxhiti, i cili grindet me dikë. Ragni tronditet kur shikon në gazetë foton e Sumanit, bashkë me lajmin se ajo ishte e përfshirë në punë të pisëta e në prostitucion dhe se tani është zhdukur. Ragni frikësohet kur Indraxhiti lexon gazetën. Inspektori i policisë vjen në shtëpinë e tyre.

Ragni tronditet kur sheh Girdharilalin me inspektorin e policisë. Ragni i tregon gazetën Ranvirit dhe ai i thotë se do të hetojë për këtë çështje. Burri i Sumanit i thotë Ragnit dhe Ranvirit se Sumani nuk ishte gruaja e tij dhe se ajo është larguar nga qyteti një ditë më parë. Ranviri i thotë Ragnit se në këtë mes diçka nuk shkon. Nga ana tjetër, Indraxhiti vazhdon të jetë shumë i tensionuar. Ranviri dhe Ragni vihen në kërkim për Anandin, por nuk gjejnë dot asnjë informacion në lidhje me të.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.