Isha e martuar kur dashurova kolegun...

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi e gazetës “Intervista”! Jam lexuese e rregullt e rubrikës suaj “Histori nga jeta”. Meqenëse e shoh që edhe mentaliteti i njerëzve sikur ka filluar të ndryshojë, po tregoj historinë time të dashurisë me një koleg pune. Jam e sigurt se në kohën që unë e kam përjetuar këtë dashuri, i gjithë qyteti ku jetoj më ka sharë e paragjykuar. Është e lehtë ta përflasësh tjetrin kur nuk je në pozitat e tij. Gjithsesi, sot që jam gjashtëdhjetë vjeçe dhe po pres të bëhem gjyshe për herë të parë, kjo është e vetmja ndjenjë që kam më të fortë sesa ajo e dashurisë time për burrin që vazhdoj ta shoh në ëndërr.

Kam lindur në fshat, por duke qenë se im atë ka qenë burrë i shkathët, në shkollë të mesme më çoi për Infermieri në Tiranë. E dihet, në rininë time, të ishe infermiere ishte post i madh. Në shkollë në Tiranë u njoha me një djalë nga anët e mia dhe që banonte në qytet. Dy vitet e para të shkollës së mesme i kam kaluar në krahët e tij. Ai mbaroi shkollën për mekanik dy vite para meje dhe u kthye në shtëpi. Vitin e tretë dhe të katërt ne takoheshim rrallë, kur ai kishte mundësi të vinte në Tiranë ose kur unë kthehesha me pushime në shtëpinë time. Ai kishte një hallë të martuar në fshatin tim, kështu që kishte mundësinë të vinte lirisht për të më takuar. Sapo mbarova shkollën e mesme dhe u ktheva në shtëpi, ai erdhi e më takoi. Më tregoi për vendimin që kishte marrë. U kishte treguar prindërve të tij për mua dhe ata i kishin thënë, sipas tij, që “janë familje e mrekullueshme dhe ne ku ta gjejmë t’ua marrim të bijën për nuse”. Kështu, ai më tha që do vinte pas një jave në shtëpi për të më kërkuar dorën dhe unë duhej t’u tregoja në njëfarë mënyre prindërve.

- Ne do vijmë me burrin e hallës që të kemi një njeri si të njohur në mes të muhabetit, por edhe ti gjithsesi tregoji nënës tënde, - më tha ndërsa ishte skuqur e djersitur nga duart prej sikletit. (E kuptoj që të rinjtë e sotshëm as nuk skuqen e as nuk djersiten kur u propozojnë të dashurave të tyre, por neve në kohën tonë na mbulonte turpi.)

E shtuna erdhi dhe në shtëpinë time, Bardhi erdhi bashkë me të atin dhe burrin e hallës së tij. Babai im ishte përgatitur se i kisha treguar mamasë. Ata nuk më bënë asnjë koment, por thjesht më thanë që “do ta shohim një herë se ç’ke zgjedhur”. Darka atë natë shkoi shumë mirë. I ati i Bardhit foli qetë dhe tha se kjo ishte zgjedhje e ne të dyve.

- Në fakt, more lum miku, të them të drejtën, nuk është se më ka pyetur njeri, por djali im më tha që e dua atë vajzë dhe vetëm me atë do martohem, kështu që mendoj se këta të rinjtë që ne lodhemi për t’i shkolluar, ca shkollohen e ca shkallohen.

- Nuk do thosha shkallohen, ata po përpiqen të ecin me hapin e kohës, të rregullojnë ndonjë nga këto tradita prapanike qe kemi. Unë e kam parë për herë të parë gruan time të hënën pasi jam martuar, - tha babai im dhe ata qeshën të gjithë. – Shyqyr që erdhi kjo kohë që fëmijët tanë të zgjedhin vetë e të mos e kemi ne pishman që zgjodhëm mirë apo i mbytëm me martesa që nuk shkojnë.

E kështu, ne u fejuam dhe babai i Bardhit me miqësitë e tij më gjeti punë në spitalin e qytetit. Çdo ditë më duhej të bëja në këmbë një orë e një çerek për të shkuar në punë e një orë e një çerek për t’u kthyer. Por, dihet, puna në spital është me turne dhe turni i dytë dhe i tretë për mua ishte tmerr se më duhej se s’bën një burrë që të më çonte e të më merrte në punë. Për këtë arsye, ne u martuam në fund të nëntorit.

Për mua u bënë disa ndryshime njëherësh, puna në qytet, martesa e menjëhershme, pastaj kushtet asaj kohe diheshin. Në shtëpinë e burrit ishim një dyzinë njerëzish. Ai kishte katër vëllezër e tri motra. Punës duhej t’i rrija pincë në kokë, në shtëpi isha nusja e shtëpisë e sërish në këmbë. Nëse gjithë nuset fillojnë e shëndoshen, unë kur u martova isha gjashtëdhjetë kile e pas dy muajsh shkova pesëdhjetë... Burri im, sapo hynim në dhomë, fillonte të më fërkone shpatullat e krahët se e shihte që isha tejet e lodhur dhe ai ka zemër të butë, nuk ngjan me burrat e veriut. Fatmirësisht, këshilli i lagjes na dha një shtëpi dhomë e kuzhinë neve si çift meqenëse ishim njëmbëdhjetë vetë në një shtëpi dy dhoma e një kuzhinë. Shtëpia ime në tetë muajt e parë të martesës më ngjan me shtëpinë e xhuxhave te filmi “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”.

Jeta në shtëpinë e re ishte më e qetë, por me shumë halle. Nëse në shtëpinë e prindërve nuk më duhej të mendoja nëse kishim për të ngrënë, tani duhej të mendoja jo vetëm të haja, por edhe të blija ndonjë orendi. Gjithsesi, ndërsa përpiqeshim të kursenim, unë mbeta shtatzënë dhe linda djalin tim të parë. U lumturuam, ai fëmijë na solli veç mbarësi. Po rritej i shëndetshëm edhe pse e çoja në çerdhe në pikë të mëngjesit dhe e merrja pasdite, pasi mbaroja edhe radhat nëpër dyqane. Kur djali mbushi tre vjeç, unë isha me raportën e dytë të lindjes dhe linda vajzën. Ndërkohë që unë isha me raport, në spital kishte ardhur një mjek i ri pediatër. Pas lindjes së vajzës, me dy fëmijë, sigurisht që është e vështirë se sa i binte gripi njërit, ai ia kalonte tjetrit dhe mua më dukej sikur gripi nuk dilte kurrë nga shtëpia ime. Edhe pa qenë në punë, isha e detyruar të shkoja në spital që të vizitoja fëmijët. Si infermiere, unë i vizitoja në pavion, sepse i njihja të gjithë. Një herë, kur djali u sëmur me bajame, mjek roje gjeta doktorin e ri për të cilin ju fola më sipër.

Kur pashë doktorin, për disa sekonda e harrova sëmundjen e djalit. Ishte burri më i bukur që më kishin parë sytë ndonjëherë! As në televizor nuk kisha parë mashkull aq të bukur. Ai ishte i ri, por prapë ishte një vit më i madh se unë. I njihja prindërit e tij, sepse edhe ata banonin në të njëjtin qytet. Ndërsa po përpiqesha të artikuloja ndonjë fjalë për të thënë që djali kishte temperaturë të lartë, vështrimi i tij sikur më përshkoi gjithë trupin. I kishte thënë infermierja e tij që do të vinte një kolege për të vizituar djalin dhe mjeku e mblodhi veten i pari.

- Pa ta shohim këtë djalë të bukur që më ka ardhur për të më takuar, ç’ka që i ngrihet temperatura?! - Ai e vizitoi djalin me shumë kujdes,

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.