Fëmijët e vet ia kanë bërë benë!

Intervista - - FAQE 1 -

Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Erisa. Me lejen e dy kushërinjve të mi, sot vendosa të bëj publike historinë e hallës sime të vetme. Ajo është njeriu më i afërt që kam. Është një njeri me shumë vlera, por si gjithmonë, jeta njerëzit e mirë i vë në prova të vështira. Prindërit e mi thonë gjithmonë se fati i femrës është “telebingo” dhe kështu qenka vërtet. Halla ime vuajtjet e saj i nisi që në rininë e hershme, kur ishte adoleshente dhe u dashurua me një djalë që në qytetin tonë njihej si një ndër djemtë më rrugaçë. Por, siç e dini dhe ju, tipa të tillë janë shumë të hedhur dhe mjetin kryesor për të bërë për vete kanë gjuhën e mashtrimit. Kështu, halla ime u dashurua mbas tij. Ai me fjalët të ëmbla ia kishte arritur qëllimit që ta bënte për vete gruan që dashuronte. Halla ishte verbuar aq shumë nga dashuria e tij, saqë nuk i dëgjoi këshillat e prindërve dhe të njerëzve të saj më të afërt; krijoi familjen e saj, lindi edhe dy djem dhe dukej se jeta e saj ecte në rrjedhën normale, si e çdo familjeje tjetër. Të gjithëve nga fisi ynë iu bë qejfi që ajo kishte arritur ta shtronte burrin e saj, nga një djalë që mbahej si “rrugaç” në një djalë që punonte normalisht si gjithë të tjerët, por unë nuk e di me siguri nëse ishte halla që e shtroi apo regjimi socialist dhe politikat e tij. Po nejse, ç’rëndësi ka?! Ajo që dua t’ju them është se halla deri në fazën e ndryshimit të klasave politike, bënte një jetë të qetë dhe të rregullt. Në kohën kur ndryshoi sistemi politik, burri i saj dhe ajo bashkë me të dy djemtë ishin të parët që emigruan. Tani që e mendoj, them se edhe aq, burri i hallës kishte duruar tepër, me atë tip që kishte...

Në Itali, kuptohet, si shumë emigrantë të tjerë, edhe ata patën vështirësitë e tyre, por t’ju them të drejtën, bashkëshorti i hallës ishte një tip shumë i shkathët. Për të arritur atë që donte, ai përdorte të gjitha mënyrat, ishte gënjeshtar, hileqar, ishte ujk dhe dhelpër njëkohësisht. Siç jua thashë edhe më sipër, armë kryesore për të arritur atje ku donte, ai kishte fjalën. Nuk di t’ju them se në çfarë mënyre kishte kishte bërë shumë lek, por di të them se halla ime në Itali ka punuar si kafshë nëpër shtëpitë e italianëve duke bërë çdo lloj pune që i dilte para. Të gjithë lekët i dërgonin në Shqipëri te vëllai i burrit të hallës, që kishte blerë në Tiranë tri dyqane në vende shumë të mira. Këto dyqane i kishin dhënë me qira dhe me lekët që merrte, lante kredinë që ai pretendonte se kishte marrë në bankë. Gjatë kohës që halla jetoi në Itali, ajo kishte një komshie shqiptare, që jetonte me burrin dhe fëmijët e saj. Halla më tregonte se ajo grua i ishte gjendur pranë për çdo gjë, si në të mirë, edhe në të keq dhe halla e donte jo si shoqe, po si motër. Por në këtë botë janë shumë të rrallë njerëzit që e ruajnë miqësinë e sinqertë. Ajo kishte qenë një gjarpër i vërtetë dhe këtë gjë halla e kishte zbuluar një ditë kur kishte ardhur nga puna dhe te dhoma e gjumit nën krevat, kishte parë cepin e një shalli të hollë. Kur e kishte marrë në dorë, menjëherë e kishte kuptuar se ai ishte shalli që mbante shoqja e saj. I shoqi e tradhtonte me mikeshën e saj më të mirë. Halla me të shoqin patën një debat shumë të fortë. Në vend që të kërkonte falje, ai e akuzonte atë si fajtore, sepse ajo e kishte futur në shtëpi atë lloj femre. Megjithëse halla i kishte kërkuar të ndahej nga dashnorja, ata vazhdonin të komunikonin nëpërmjet telefonit dhe takoheshin fshehtas, por sinjalet e ndryshme nga telefoni, vonesat për të ardhur në shtëpi, justifikimet e kota që ai nxirrte për të qëndruar larg familjes kishin bërë që halla ime të kuptonte se historia e tyre vazhdonte akoma. Ata kishin debatuar përsëri, por ai ia kishte bërë të qartë:

- Unë nuk mund të jetoj pa e takuar atë. Ty të dua shumë, po ajo është diçka tjetër, që nuk arrij ta përjetoj me ty.

Nga gjykimi im, fakti që halla ia fali, ishte gabimi më i madh që bëri ajo në jetën e saj. Kur e fal një herë tradhtinë, tjetri mendon se do ta falësh gjithmonë. Halla i propozoi të shoqit që të ktheheshin në Shqipëri dhe ai pranoi. Arsyen e pranimit të tij nuk e di, por unë mendoj se ishte pasuria që ata kishin vënë dhe frika nga një divorc i mundshëm që do ta ndante pasurinë në mes. Kur u kthyen për të jetuar në Shqipëri, ata ishin mbi pesëdhjetë, çunat e tyre kishin nisur studimet e larta në Itali dhe bënin jetën e tyre. Periudhën e kthimit të familjes së hallës në Shqipëri e njoh shumë mirë sepse vuajtjet e saj i kam përjetuar në çdo moment.

Ata u vendosën në Tiranë, blenë një shtëpi me kredi dhe filluan të merreshin me biznesin e tyre. Të trija dyqanet që i kishin dhënë me qira i morën për t’i punuar vetë, punësuan edhe punëtore, një ndër të cilat isha edhe unë. Ky ka qenë kulmi i historisë së tr- ishtuar të hallës sime; ajo me duart e saj i bëri varrin vetes. Në kohën kur punoja si shitëse, pashë fytyrën e vërtetë të bashkëshortit të hallës; njeriu më dinak që kam njohur në jetën time. Unë nuk e di se çfarë i kishte bërë hallës që ajo e donte aq shumë dhe i përkushtohej totalisht atij. Ndoshta e bënte edhe nga frika se ai mund të ishte i pakënaqur me të dhe ta linte nga momenti në moment, por me veprimet e saj, ajo e dënoi më shumë veten e vet. Ajo e trajtonte burrin sikur e kishte fëmijë të vogël, i shërbente dhe kuronte te ai edhe detajin më të padukshëm, duke menduar se ashtu, do të ishte gruaja ideale për të. Disa herë e kisha parë që ia sillte ushqimin në dyqanin tim, i sillte edhe këmishën të larë dhe të hekurosur e ia vishte aty, sepse mund të ishte djersitur. Edhe i shoqi ia kthente në të njëjtën mënyrë, duke i folur me fjalët më të ëmbla që kishte fjalori.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.